Papa Françesku takohet me gazetarët gjermanë Papa Françesku takohet me gazetarët gjermanë 

Papa gazetarëve gjermanë: ndihmoni për t’ua hapur sytë e zemrat të tjerëve

Papa Françesku u takua me më se 300 studentë, ish-studentë dhe pedagogë të Ifp, shkollë e gazetarisë së Kishës katolike gjermane, themeluar 50 vjet më parë, dhe u kërkoi të vijojnë të shkruajnë “si njerëz, për njerëzit”. duke folur për gjëra të bukura, që duken më pak në faqen e parë e duke i ndihmuar njerëzit të “bëhen roje të njëri-tjetrit”.

R. SH. - Vatikan

“Mos lejoni të zvarriteni nga disfatizmi e pesimizmi, që paralizon e verbon, por ndihmojini njerëzit t’i hapin sytë e veshët e, sidomos, zemrat, për t’u bërë rojtarë të njëri-tjetrit e për të kuptuar se janë bij e bija të njëjtin Atë”. Me këto fjalë i përshëndeti Papa Françesku më se 300 studentë, ish-studentë e pedagogë të Ifp, shkolla e gazetarisë e Kishës katolike në Gjermani, themeluar 50 vjet më parë, menjëherë pas Koncilit II të Vatikanit, nga Konferenca  ipeshkvnore gjermane.

Shkollë për gazetarë  “që punojnë si të krishterë”

Duke pritur në Sallën Klementine delegacionin, kryesuar nga drejtorët Bernhard Remmers dhe fra Helmut Rakowski, kapuçin, Papa kujtoi se që në vitin  1968 Instituti për promovimin e breznive të reja të gazetarëve "formon gazetarë të kualifikuar, që punojnë si të krishterë në gjirin e shoqërisë”. Në Gjermani -  shtoi,  “mund të quhet fat, duke e ditur se ndërmjet gazetarëve, ka shumë të diplomuar në këtë institut”, si në mediat shekullare, ashtu edhe në ato kishtare.

“Si gazetarë të krishterë, ju duhet të dalloheni për sjelljen pozitive ndaj njeriut e për etikën tuaj profesionale. Ju nuk bëni thjesht një punë e aq, por kryesisht  kryeni një detyrë e një angazhim. Por sa e lehtë është të tërhiqesh nga opinioni i rëndomtë, nga disfatizmi, nga pesimizmi, që paralizon e verbon!”.

Mos lejoni që punët të shkojnë si po shkojnë!

Për forcë zakoni - vijoi Françesku duke cituar Nxitjen Apostolike “Gaudete et exultate”, ne nuk i kundërvihemi së keqes, duke lejuar që punët të shkojnë, ashtu si po shkojnë, ose si disa kanë vendosur të shkojnë. Të kërkojmë parresinë,  e cila vjen nga Shpirti Shenjt e na ndihmon  të besojmë në të vërtetën e Krishtit, që na bën të lirë”

Ta kapërcejmë murin trishtimit e të dorëzimit e t’i ndihmojmë njerëzit t’i hapin mirë sytë,  veshët e posaçërisht zemrën, për t’u bërë rojtarë të njëri-tjetrit  e për të kuptuar se jemi bij e bija të të njëjtit Atë”.

Quajeni padrejtësi, atë që është padrejtësi!

Papa përfundoi me një falënderim, para kërkesës për të mos harruar të luten për të:

“Faleminderit, sepse si gazetarë shikoni në radhë të parë njeriun dhe e quani padrejtësi, çka është padrejtësi. Faleminderit, pse flisni edhe për gjërat e bukura, që ndoshta duken më pak në faqen e parë, por që vënë njeriun në qendër të vëmendjes! Faleminderit, sepse me stilin tuaj të krishterë e shoqëroni punën e Kishës! Ju uroj  të vijoni të bëni gazetarinë e njerëzve e për njerëzit”.

09 nëntor 2018, 15:33