Papa Françesku me presidentin e Konfederatës Helvetike, Alain Berset Papa Françesku me presidentin e Konfederatës Helvetike, Alain Berset 

Papa Françesku takon presidentin zviceran Berset

Sot paradite, audienca e Papës Françesku me presidentin e Konfederatës Helvetike, Alain Berset. Në qendër të bisedës, lidhja historike e Vatikanit me Zvicrën.

R.SH. - Vatikan

“Bisedime të përzemërta” – njofton një komunikatë e Sallës së Shtypit të Vatikanit – ndërmjet Papës Françesku dhe presidentit të Konfederatës Helvetike, Alain Berset, sot paradite, në Vatikan. Gjatë takimit u vu në dukje “lidhja historike, siguruar përmes shërbimit besnik e profesional të Rojës Papnore Zvicerane për Atin e Shenjtë”.

Të promovohet drejtësia e paqja

         Në qendër të bisedimeve, edhe marrëdhëniet e mira dypalëshe, si edhe urimi i “përforcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kishës e shtetit, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët”. U prekën tema me aktualitet ndërkombëtar, si çështja e “emigracionit, ndërmjetësimi në konflikte, çarmatimi bërthamor dhe trafiku i njerëzve”. U diskutua mbi impenjimin e përbashkët “për një shoqëri më solidare, për promovimin e drejtësisë e të paqes”, u fol mbi rëndësinë e multilateralizmit dhe mbrojtjen e të drejtave humanitare.

12 nëntor 2018, 19:00