Papa me Seminaristët e Agrixhentos Papa me Seminaristët e Agrixhentos 

Papa Françesku: Kisha është e thirrur të dëgjojë britmën e njerëzimit

Në audiencën me seminaristët e kryedioqezës së Agrixhentos, Papa foli lirisht, pa tekst zyrtar, duke e dorëzuar fjalimin e përgatitur me shkrim, në të cilin thekson disa fjalë kyçe për ardhmërinë e tyre si meshtarë. Françesku ngulmon shumë në tekst mbi nevojën për të hequr çdo maskë, çdo shtirje, në përpjekjen për të qenë sa më të vërtetë para Krishtit.

R. SH. - Vatikan

Vërtetësi! Para vetes e para Zotit! Ky, koncepti, që Papa Françesku nuk lodhet kurrë s’e përsërituri në fjalimin dorëzuar seminaristëve të kryedioqezës së Agrixhentos, shoqëruar gjatë audiencës në Vatikan, nga kryeipeshkvi i tyre, kardinali Francesco Montenegro që, pak para takimit,  bisedoi për disa çaste me Papën.

Si dishepujt e Emmaus

Françesku theksoi katër fjalë kyçe: frymëzim - nga ikona biblike - e dishepujve - të Emmaus, duke kujtuar, kështu, Sinodin e sapopërfunduar të të rinjve. Në fjalimin e tij, Papa foli për udhën, të cilën të gjithë jemi të thirrur ta bëjmë, duke pasur si dritë të vetme, Zotin. “Jezusi i Ngjallur  na takon, nësa jemi për udhë, që njëkohësisht është rruga - vëren Papa në tekstin e dorëzuar - domethënë, realiteti, në të cilin është i thirrur të jetojë secili prej nesh; e është udhë shpirtërore, udhë e fesë dhe e shpresës, me çaste drite, por edhe errësire. Këtu, në udhë, Zoti na takon, na dëgjon, na flet”.

Krejt pa maska

E vërteta, që dëshiron Papa, duhet kërkuar në dëgjimin e Fjalës së Zotit, në dialogun e vazhdueshëm e reciprok me Jezusin. “Ai më dëgjon mua - nënvizon Françesku - e unë e dëgjoj Atë. Pa shtirje! Pa maskë!”. Ky dëgjim i zemrës në lutje, na edukon të jemi njerëz të aftë për t’i dëgjuar edhe të tjerët, për të kuptuar se Zoti dëshiron priftërinj, që ofrojnë shërbimin e dëgjimit - e sa shumë nevojë kemi për të - e na edukon të jemi  gjithnjë më shumë Kishë në dëgjim, bashkësi, që di të dëgjojë! Kisha - shton Françesku - dërgohet në botë për të dëgjuar britmën e njerëzimit, që shpesh është e heshtur. Britmë që zihet në fyt, që mbytet!

Seminari, vend shoshitjeje

Jezusi i shoqëron dishepujt e Emmaus, duke ua ringjallur shpresën e duke  u treguar, kështu, jo vetëm mik, por edhe mjek i mirë, që nganjëherë përdor edhe bisturinë. Është e rëndësishme të shqyrtosh, e seminari është pikërisht vendi ku duhet bërë kjo. Shumë probleme, që shfaqen në jetën e priftërinjve, vijnë si pasojë e mungesës së shoshitjes në vitet e seminarit - kujton në vijim Papa. Normale. E njëjta gjë vlen edhe për martesën: disa gjëra, që nuk përballohen përpara, mund të bëhen problematike më pas. Misteri i thirrjes dhe i shqyrtimit është kryevepër e Shpirtit Shenjt, që kërkon bashkëpunimin e të riut të thirrur, me të rriturin që e shoqëron.

Nuk duhet të jeni misionarë individualë

“Misioni” është fjala e fundit, që Papa u nënvizoi seminaristëve, duke u kujtuar “përmasën sinodale, të shkuarit bashkë tek të tjerët, pa u tunduar kurrë nga ideja se mund të jesh edhe “misionar i mirë individual”. E pa harruar se bashkimi nuk bëhet me detyrim: duhet besuar në të, duke iu bindur Shpirtit Shenjt”.

24 nëntor 2018, 17:19