Papa Françesku dhe Zoja e Guadalupes Papa Françesku dhe Zoja e Guadalupes 

Më 12 dhjetor, Papa kremton meshën në nder të Zojës së Guadalupes

Në festën e Zojës së Guadalupes, më 12 dhjetor, Papa Françesku do të kryesojë meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit. Lajmi jepet nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine.

R.SH. - Vatikan

Tashmë, është kthyer në ngjarje të gëzueshme, që përsëritet çdo vit: edhe më 12 të muajit që vjen, në festën e Zojës së Guadalupes, Papa Françesku do të kremtojë meshën e solemnitetit në Bazilikën e Shën Pjetrit. Kështu lexohet në një komunikatë të Komisionit Papnor për Amerikën Latine, që nënvizon se kjo festë është shumë e dashur për Atin e Shenjtë dhe për gjithë latinoamerikanët. Kujtohet “shkëmbimi i vështrimeve ndërmjet ‘Morenitës’(Zojës së Zeshkët) dhe Papës”, gjatë udhëtimit apostolik në Meksikë, në shkurt 2016. “Zoja e Zeshkët na mëson, së pari, se e vetmja forcë e aftë t’i fitojë zemrat e njerëzve është dhembshuria e Zotit”, pati thënë Françesku atëherë.

Lutje për paqen e vëllazërimin

         Mesha e 12 dhjetorit “do të jetë rast i çmuar – shkruhet në notë – për t’ia paraqitur zemrës së Nënës dëshirat më të zjarrta për solidaritet e vëllazërim, për paqe, drejtësi e lumturi në jetën e popujve e të kombeve tona e për t’ia besuar Asaj të gjitha ndjetet” e Papës.

Kori i Sikstinës dhe i Kolegjit Pio Latinoamerikan

         Kremtimi i Zojës së Guadalupes është parashikuar për në orën 18.00. Do të paraprihet nga Rruzarja, në orën 17.30 e, do të përfundojnë me himnin e Ditës Botërore të Rinisë në Panama, që do të fillojë në janar. Mesha do të shoqërohet me këngë nga Kori i Kapelës Sikstine dhe Kori i Kolegjit Pio Latinoamerikan.

28 nëntor 2018, 11:27