Papa Françesku takon 70 pjesëmarrësit e Seminarit IV mbi Etikën në administrimin e shëndetësisë Papa Françesku takon 70 pjesëmarrësit e Seminarit IV mbi Etikën në administrimin e shëndetësisë 

Papa: nëse njeriu e ndjen se e duan, hija e eutanazisë largohet

Besimi i pacientit se mund të shërohet dhe kujdesi për të sëmurët, si për vëllezërit që vuajnë: mbi këto aspekte u ndal Papa Françesku, në fjalën për 70 pjesëmarrësit e Seminarit IV mbi Etikën në administrimin e shëndetësisë, pritur sot në audiencë.

R.SH. - Vatikan

Nëse njeriu e ndjen se e duan, “hija negative e eutanazisë” zhduket, ose bëhet gati e padukshme. Kështu u tha Papa rreth 70 pjesëmarrësve të Seminarit IV mbi Etikën në administrimin e shëndetësisë, që i priti sot në Vatikan. Në fjalimin e tij në spanjisht, Papa përshëndeti organizatorët e Kishës argjentinase, që nisin sot Seminarin, i cili do të vazhdojë deri më 5 tetor, nën udhëheqjen e Akademisë Papnore për Jetën.

Tek i sëmuri, një Fytyrë që vuan

         Tri, fjalët rreth të cilave shtjellohet diskutimi i Papës: mrekulli, kujdes dhe besim. Bota e shëndetit, në Amerikën Latine në veçanti, përjeton krizën ekonomike dhe vështirësitë për të arritur tek terapitë e tek ilaçet. Natyrisht, për të zgjidhur këtë problem, lypset rishpërndarja e pasurisë botërore, por Papa fton edhe të shihet i sëmuri si vëlla. E shpesh, për vëllain, bëhet gjithçka, deri sa gjenden mjetet ekonomike e tekno-shkencore. “Sidomos më të varfërit – nënvizon Ati i Shenjtë – do t’i vlerësojnë shumë përpjekjet dhe nismat tuaja” në këtë drejtim.

Përballë dashurisë, zhduket hija e eutanazisë

         Kujdesi për të sëmurët, vijon Papa, nuk ka të bëjë vetëm me dhënien e ilaçeve e me shërimin e pacientëve. Kjo shihet qartë në kurat paliative. “Po përjetojmë, gati në të gjithë botën, një prirje të fuqishme drejt ligjërimit të eutanazisë”, denoncon Bergoglio, por “e dimë se kur e shoqërojmë me dashuri, pacienti kronik i sëmurë rëndë, ose i sëmuri pa shpëtim e ndjen kujdesin tonë”. Për rrjedhojë, “edhe në këto rrethana të rënda, kur njeriu e ndjen se e duan, e respektojnë, e pranojnë, hija negative e eutanazisë zhduket, ose bëhet gati e padukshme, sepse vlera e jetës së tij matet me aftësinë për të dhënë e për të marrë dashuri, e jo nga prodhimtaria”.

Besimi i pacientit se mund të shërohet

         Pastaj, vijon Papa Françesku, kemi nevojë që pacienti të ketë besim në vetvete e në shërimin e tij. Prej kësaj varet shumë edhe suksesi i terapisë. Por, për të arritur në këto lloj marrëdhëniesh, që dikojnë besim tek pacienti, veprimtarët e shëndetësisë duhet të punojnë në ambiente, ku mbretëron qetësia shpirtërore. Nuk duhet të jetë kontrata ajo, që përcakton marrëdhëniet e mjekëve dhe të infermierëve me pacientët, thekson Ati i Shenjtë, por një lidhje më humane, që respekton autonominë e pacientit, e kupton dhe hyn në dialog me të, për t’u bërë kështu shprehje e punës së konceptuar si shërbim për të tjerët.

01 tetor 2018, 14:04