Papa kujtoi Ditën e Solidaritetit me Kishën e persekutuar

Në përfundim të katekizmit të audiencës së përgjithshme, duke përshëndetur shtegtarët polakë, Papa kujtoi dy nisma të rëndësishme: “Kartën e paqes”, hartuar nga studentët polakë dhe Ditën e Solidaritetit me Kishën e persektuar, që do të kremtohet në Poloni, të dielën e ardhshme, kushtuar ndihmës ekonomike të të krishterëve të Pakistanit. Ati i Shenjtë i falënderoi polakët për këto dy nisma.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim të katekizmit, Papa përshëndeti mësuesit e studentët polakë të liceut “Norvid” të Stargard, “autorë të nismës së quajtur ‘Karta e paqes’”. Është   - shpjegoi - një thirrje për paqen, hartuar pas një studimi të kujdesshëm të mësimeve të Papëve të shekullit XX e XXI, që do t’u dërgohet krerëve të të gjitha vendeve të botës, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Polonisë. Papa Françesku kujtoi, më pas, edhe Ditën e ardhshme të Solidaritetit me Kishën e persekutuar, tashmë në prag të kremtimit:

“Të dielën e ardhshme, Kisha në Poloni do të kremtojë Ditën e Solidaritetit me Kishën e persekutuar, organizuar nga Fondacioni Papnor ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’, së bashku me Konferencën Ipeshkvnore polake. Ndihma ekonomike do të shkojë sivjet në mbështetje të të krishterëve të Pakistanit. Faleminderit për këtë nismë paqeje e solidariteti. Zoti ju bekoftë!” - përfundoi Ati i Shenjtë.

24 tetor 2018, 14:00