Audienca e përgjithshme Audienca e përgjithshme 

Papa Françesku: “nuk mund të duash, vetëm kur të leverdis”

Urdhërimi VI, sot në audiencën e përgjithshme të Papës: “Mos kurvëro!”. Françesku foli për rëndësinë e besnikërisë në marrëdhëniet njerëzore e, përsa i përket martesës, theksoi fort nevojën e përgatitjes së përshtatshme.

R. SH. - Vatikan

“Asnjë lidhje njerëzore nuk mund të jetë e vërtetë, pa besnikëri e sinqeritet”. Këtë pohoi Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke vijuar katekizmin kushtuar Urdhërimeve të Tënzot,  Françesku ia kushtoi takimin e sotëm të gjashtit, që urdhëron: “Mos kurvëro!”, e menjëherë pas, shkoi drejt e tek lidhjet e dashurisë:

“Nuk mund të duash vetëm derisa të të leverdisë; dashuria shkon përtej llogarive tuaja. Sepse dashuri do të thotë të japësh gjithçka, pa asnjë rezervë. Ashtu si pohon edhe Katekizmi: ‘Dashuria dëshiron të jetë pa cak’!”.  

Krishti është mik besnik,  që na pushton përgjithmonë

Besnikëria është karakteristikë e lidhjeve njerëzore plot me liri, me pjekuri, me përgjegjësi. E kjo ka vlerë edhe për miqësinë.  Është Krishti, Ai që na tregon ç’do të thotë dashuri e vërtetë. Ai është Miku besnik, që na pranon e na do fort edhe kur gabojmë, ose kur nuk e meritojmë. Na do pa asnjë kusht! E secili prej nesh ka nevojë për këtë dashuri pa asnjë kusht,  që ta mbush shpirtin përplot, pa lënë bosh skaj as skutë.

Sepse, pastaj, zemra njerëzore kërkon ta mbushë këtë boshllëk me surrogate, duke pranuar kompromise e mediokritete, që në dashuri kanë shije të hidhur. Rrezikohemi, atëhere, t’i quajmë “dashuri” marrëdhëniet e papjekura, e shpresojmë ta gjejmë dritën e jetës në atë që, në rastet më të mira, është vetëm pasqyrim i dashurisë së ëndërruar.

Për marrëdhënie të vërteta, nuk mjafton tërheqja fizike

Françesku nënvizoi, më pas, se shpesh ndodh të mbivlerësohet tërheqja fizike,  që duhet t’i hapë rrugën një lidhjeje personale të mirëfilltë e besnike. E citoi Shën Gjon Palin II, sipas të cilit njeriu është i thirrur t’i dallojë rrahjet e zemrës së vet me ngulm e koherencë. Martesa - vijoi Françesku - kërkon shoshitje të imtë  të cilësisë së marrëdhënies, si dhe kohën e  fejesës, për ta vërtetuar.

Është shumë e nevojshme, koha e përgatitjes

“Për të marrë Sakramentin e Martesës - vijoi Papa - të fejuarit duhet të jenë të sigurt se në lidhjen e tyre është vetë dora e Zotit. Vetëm me ndihmën e Tij, e jo mbi bazën e vullnetit të mirë ose të shpresës, është e mundur t’i shqiptojnë fjalët: “Me hirin e Zotit premtoj të jem besnik përgjithmonë e jetës”. E këtu Françesku u ndal e  shpjegoi:

“Prandaj, para se të marrësh Sakramentin e Martesës, duhet një përgatitje e përshtatshme. Do ta quaja katekumenat, sepse në dashuri vihet në lojë gjithë jeta, e me dashurinë nuk mund të luhet. Nuk mund të quhen ‘përgatitje për martesë’ dy a tri konferenca të ndjekura në famulli: jo, kjo nuk është përgatitje. E përgjegjësia bie mbi atë, që vepron kështu, mbi famullitarin a ipeshkvin, i cili lejon të bëhen këto gjëra. Përgatitja duhet të jetë e pjekur e do kohë. Nuk është akt formal: është Sakrament!”.

Besnikëria, vlerë në të gjitha përmasat e jetës

Besnikëria - pohoi Papa - tregon se kush je! Është stil jete. Punohet me besnikëri, flitet me sinqeritet, mbetesh besnik i mendimeve tua, i veprimeve tua. Jeta e bazuar mbi besnikërinë shprehet në të gjitha përmasat dhe e bën burrin a gruan të besueshëm në të gjitha rrethanat. Besnikëria është një nga vlerat më të larta të njeriut!

Urdhërimi VI - përfundoi Papa - na fton t’ia ngulim sytë Krishtit që, me besnikërinë e Tij, mund të na e zëvendësojë zemrën e pabesë, me një zemër besnike. Nga dashuria e tij e pakushtëzuar, lind qëndrueshmëria në marrëdhëniet njerëzore.

24 tetor 2018, 13:55