Atentat në Pittsburgh. Papa Françesku: dhunë çnjerëzore

Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa i shprehu afërsinë e tij qytetit të Pittsburgh-ut, në SHBA, e, posaçërisht, bashkësisë hebraike goditur dje nga një atentat i tmerrshëm në Sinagogë.

R. SH. - Vatikan

Akt çnjerëzor dhune! Kështu e quajti Papa atentatin e djeshëm, që e tronditi rëndë Pittsburgh-un. Vrasësi, pasi shtiu edhe kundër policëve, më në fund u arrestua. Sipas bilancit të burimeve të policisë, gjetën vdekjen të paktën 11 vetë. Këto, fjalët e Papës:

“I Tejetlarti i pranoftë të vdekurit në paqen e Tij, i ngushëlloftë familjet e tyre e i ndihmoftë të plagosurit. Të gjithë, në të vërtetë, u plagosëm nga ky akt çnjerëzor dhune.

 Zoti na ndihmoftë për t’i shuar vatrat e urrejtjes, që ndizen në gjirin e shoqërisë sonë, duke forcuar ndjenjat njerëzore, respektin për jetën, vlerat morale e civile dhe druajtjen e shenjtë nga Zoti, që është dashuri e Atë për të gjithë!”.

28 tetor 2018, 15:12