Papa para memorialit të viktimave të pushtimit sovjetik në Muzeun e pushtimeve dhe të luftës për liri Papa para memorialit të viktimave të pushtimit sovjetik në Muzeun e pushtimeve dhe të luftës për liri 

Papa në muzeun e Vilniusit: mjaft me delirin e gjithëpushtetit

Në lutjen e shqiptuar në Muzeun e pushtimeve dhe të luftës për liri, Papa Françesku nënvizon impenjimin kundër çdo lloj padrejtësie.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku, në Vilnius, në vendet e kujtesës së popullit lituan. “O Zot, bëj që Lituania të jetë fener shprese. Të jetë tokë e kujtesës në veprim, që rinovon çdo impenjim kundër padrejtësisë. Të promovojë përpjekje krijuese në mbrojtje të të drejtave të çdo njeriu, sidomos të më të pambrojturve dhe të më të brishtëve. E të jetë mësuese e pajtimit dhe e harmonizimit të ndryshimeve”.

         Kjo është lutja e Atit të Shenjtë, gjatë vizitës në Muzeun e pushtimeve dhe të luftës për liri, pasi u ndal para Monumentit të viktimave të getos hebraike dhe para se të vendoste lule në Monumentin, që kujton viktimat e pushtimit sovjetik. Thirrja e Krishtit në kryq – “o Zot, pse më ke braktisur” – është në qendër të saj. Ati i Shenjtë kujton vuajtjet e popullit të Lituanisë, që jehojnë qartas ndër muret e muzeut. “Dëshmojnë – nënvizon – delirin e gjithëpushtetit të atyre, që pretendonin të kontrollonin gjithçka”. Në atë britmë të Zotit në kryq pasqyrohen edhe britmat e të pafajshmëve, hidhërimi, mjerimi, pafuqia, mizoria e pakuptimtë, përjetuar nga populli lituan para ambicies së shfrenuar, që e ngurtëson dhe e verbon zemrën.

         “Në këtë vend kujtimi – këto, fjalët e Papës – të përgjërohemi o Zot që britma jote të na mbajë zgjuar. Që britma jote të na çlirojë nga sëmundja shpirtërore, nga e cila, si popull, jemi tunduar gjithnjë: harrimi i etërve, i jetës dhe i mundimeve të tyre. Që në britmën tënde dhe në jetën e etërve tanë, të cilët kanë vuajtur shumë, të gjejmë guximin për t’u impenjuar me vendosmëri në të tashmen e në të ardhmen; që ajo britmë të jetë stimul për të mos iu përshtatur modave aktuale, parrullave thjeshtuese e çdo përpjekjeje për ta reduktuar e për t’ia hequr çdo njeriu dinjitetin, me të cilin Ti e ke veshur. O Zot – lutet Papa – bëj që Lituania të jetë tokë shprese… mos lejo që ta bëjmë veshin shurdh para atyre, që edhe sot, vazhdojnë ta ngrenë zërin drejt qiellit”.

23 shtator 2018, 17:35