Pena di morte, pena capitale Pena di morte, pena capitale 

Papa Françesku e ndryshon paragrafin e Katekizmit mbi dënimin me vdekje

Kisha mëson, në dritën e Ungjillit”, se “dënimi me vdekje është i papranueshëm, sepse cënon paprekshmërinë e dinjitetit të njeriut” dhe angazhohet vendosmërisht për zhdukjen e tij në mbarë botën. Ky, teksti i ri i katekizmit të Kishës katolike mbi dënimin me vdekje..

Papa Françesku miratoi me një Reskript rishikimin e n. 2267 të Katekizmit të Kishës Katolike lidhur me dënimin me vdekje. Teksti i ri është ky, që vijon:

“Për shumë kohë vendimi i dënimit me vdekje nga ana e autoriteteve ligjore, pas një procesi të rregullt, konsiderohej si përgjigje e përshtatshme, që i jepej disa krimeve, e edhe mjet i pranueshëm, ndonëse ekstrem, për mbrojtjen e së mirës së përbashkët. Sot është gjithnjë e gjallë vetëdija se dinjiteti i njeriut nuk humbet,  as pasi të ketë kryer krime tejet të rënda. Veç kësaj, është krijuar një mendësi e re  lidhur me kuptimin e dënimeve penale nga ana e shtetit. Së fundi, janë vënë në jetë sisteme dënimi më të frytshme, që garatojnë mbrojtjen e detyrueshme të qytetarëve, por, njëkohësisht, nuk ia heqin përfundimisht fajtorit mundësinë e shfajsimit. Për më tepër Kisha mëson, në dritën e Ungjillit, se “dënimi me vdekje është i papranueshën, sepse cënon paprekshmërinë e dinjitetit njerëzor dhe angazhohet me vendosmëri për zhdukjen e tij në mbarë botën”.

Citimi, i shkëputur nga fjalimi i Papës Françesku drejtuar pjesëmarrësve të takimit, organizuar nga Këshilli Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të ri, më 11 tetor 2017, u miratua gjatë audiencës me prefektin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, kardinalin Luis F. Ladaria, më 11 majin e kaluar, ndërsa nënshkrimi është i datës 1 gusht 2018, në festën e Shën Alfons Maria de’Liguori.

Teksti i mëparshëm

Katekizmi i Kishës Katolike, shpallur më 1992, qe korrigjuar në paragrafin mbi dënimin me vdekje pas pohimeve të Gjon Palit II në Enciklikën Evangelium vitae, më 1995. Teksti i ndryshuar, që i konsideronte  “praktikisht” të paqena rastet e nevojës absolute të dënimit me vdekje, pohonte kështu:

“Mësimi tradicional i Kishës nuk e përjashton, pas sqarimit të identitetit dhe të përgjegjësisë së fajtorit, dënimin me vdekje, kur ky dënim është rruga e vetme për të mbrojtur me sukses nga agresori i padrejtë, jetë njerëzore. Por nëse mjetet pa gjakderdhje janë të mjaftueshme për t’u mbrojtur nga agresori e për të siguruar jetën e njerëzve, autoriteti duhet të kufizohet në përdorimin e këtyre mjeteve, sepse kështu u përgjigjet më me fryt kushteve konkrete të së mirës së përbashkët, që janë më në përkim me dinjitetin e njeriut. Sot, me krijimin e mundësive të reja të shtetit për ta mbajtur nën kontroll krimin, duke e bërë të parrezikshëm atë që e kreu, pa ia hequr përfundimisht mundësinë për t’u shfajsuar, rastet e nevojës absolute të zhdukjes së fajtorit “janë tashmë fare të rralla, për të mos thënë, nuk  ekzistojnë”.

Zhvillimi i doktrinës nuk u kundërvihet mësimeve të mëparshme

Reskripti i Papës shoqërohet me një letër të kardinalit Ladaria drejtuar ipeshkvijve të botës mbarë, përmes së cilës prefekti i Kongregatës për Doktrinën e Fesë shpjegon se “formulimi i n. 2267 të Katekizmit përbën një zhvillim të mirëfilltë të doktrinës” e “nuk u kundërvihet aspak  mësimeve të hershme të Magjisterit”. Këto mund të shpjegohen në dritën e përgjegjësisë parësore të autoritetit publik për të mbrojtur të mirën e përbashkët në rrethana shoqërore, në të cilat dënimet penale kuptoheshin ndryshe e ndodhnin në një mjedis, në të cilin ishte më e vështirë të garantohej që krimineli të mos kryente ndonjë krim të ri”.

Korrigjimi i Katekizmit lidhur me dënimin me vdekje, vendosur nga Papa Françesku, është në vazhdimësi të shërbesës papnore të Gjon Palit II e Benediktit XVI.

Gjon Pali II dhe Benedikti XVI për zhdukjen e dënimit me vdekje

Papa Gjon Pali II pati bërë disa herë thirrje për heqjen e dënimit me vdekje. Ndërsa Benedikti XVI tërhoqi shpesh vëmendjen e drejtuesve të shoqërisë civile mbi nevojën për të bërë ç’është e mundur, që të arrihej në zhdukjen e dënimit kapital. Duke pasur parasysh se autoritetet e kanë për detyrë ta mbrojnë jetën e gjithë qytetarëve, siç mëson gjithnjë Magjisteri e siç  e konfirmon Katekizmi i Kishës Katolike në numrat 2265 e 2266.

Teksti i korrigjuar - përfundon kardinali Ladaria - synon të jetë shtytje e re dhe angazhim i vendosur, edhe përmes dialogut respektues me autoritetet politike, që të favorizohet një mendësi, e cila ia njeh dinjitetin çdo jete njerëzore dhe krijon kushte, të cilat mundësojnë që sot të zhduket  institucioni juridik i dënimit me vdekje, atje ku është akoma në fuqi”.

02 gusht 2018, 13:31