Papa Françesku me atë Renato dos Santos Papa Françesku me atë Renato dos Santos 

Papa Françesku kremton, pa lajmëruar, një martesë

Duke i lënë të gjithë gojëhapur, Papa Françesku shkoi të shtunën në kishën e Shën Shtjefnit të Abisinëve në Vatikan, ku do të kremtohej martesa ndërmjet një roje zvicerane dhe një vajze braziliane. Intervista me atë Renato Dos Santos.

R.SH. - Vatikan

Të shtunën e kaluar, Papa Françesku kremtoi një martesë. Gjë që, pavarësisht se është fjala për Papën, do të ishte krejt e natyrshme, pasi Ati i Shenjtë është, në radhë të parë, meshtar, por kësaj here, askush nuk e dinte, që në kishën e Shën Shtjefnit të Abisinëve, në Vatikan, do të vinte Shenjtëria e Tij e do të ngjitej në altar me priftin brazilian, atë Renato Dos Santos, duke e kremtuar vetë meshën. Natyrisht, si gjithë të tjerët, edhe meshtari nuk dinte gjë. Hyri në sakresti për t’u përgatitur dhe gjeti Papën, ulur e buzëqeshur. “Kurrë e për këtë jetë nuk e kisha menduar se do ta takoja Papën në ndonjë sakresti”, deklaron në një intervistë për Vatican News.

Fakt i paparë

         Çudia vazhdoi edhe në fillim të meshës, kujton meshtari, pasi “njerëzit pyesnin njëri-tjetrin a ishte me të vërtetë Papa Françesku ai, që kishin përpara… Më la përshtypjen e një famullitari të vërtetë – vijon atë Renato – që kujdeset për grigjën e famullisë së vet. Kështu ka bërë gjithnjë”.

Homelia me tri fjalë

         “Të fillojmë”, “të ndalemi”, “të rivihemi për udhë”: me këto tri fjalë, Papa shprehu në homeli mendimin e tij për ta jetuar plotësisht martesën. “Tek Ati i Shenjtë - nënvizon atë Dos Santos – shohim dashurinë për këtë sakrament, që i jep zanafillën familjes e që synon ta vendosë Zotin në qendër” të jetës.

16 korrik 2018, 17:40