Papa, i dërgon urime shtegtimit Macerata-Loreto Papa, i dërgon urime shtegtimit Macerata-Loreto 

Papa, shtegtimit Macerata-Loreto: lumni të duash Zotin e tjetrin

Edhe sivjet Papa Françesku u lidh drejtpërdrejt telefonikisht me të rinjtë, pjesëmarrës në marshimin gjatë natës Macerata-Loreto, duke i nxitur të gjithë ta kërkojnë lumturinë. E lumturi - kujtoi Papa - do të thotë të duash e të të duan.

“Jeta është shtegtim, gjithnjë përpara, duke kërkuar lumturinë për vete e për të tjerët” - këtë theksoi Françesku, duke folur në lidhje të drejtpërdrejtë telefonike me pjesëmarrësit e shtegtimit tradicional Macerta-Loreto. Ngjarje, në të cilën morën pjesë dhjetra mijëra të rinj, të cilët përshkuan në këmbë 28 kilometra përmes kodrave markixhane, për të arritur tek Shtëpia e Shenjtë e Loretos.

Në jetë nuk mund të ndalesh kurrë

“Të rinj guximtarë, që vihen për udhë ... shenjë e mirë, kjo” - tha Papa - sepse “në jetë nuk mund të rrish kurrë i ngrirë, e një i ri nuk mund të ndalet kurrë, përndryshe del në pension që në moshën 20 vjeçare. E kjo është gjë e pabukur! Rinia - saktësoi - është bërë për ta jetuar, për të shkuar përpara e për të dhënë fryte.

Lumturi do të thotë të duash e të të duan

Lumturia - vijoi Papa - nuk është gjë që blihet në treg. Njeriu ndjehet i lum kur do dhe e duan. Luftërat nuk të bëjnë kurrë të lumtur, armiqësitë nuk të japin lumturi, aq më pak, thashethemet. “Shkoni gjithnjë përpara - i nxiti Papa të rinjtë - duke shikuar horizontin e duke bërë përherë një hap të ri përpara. E kjo është jeta, ky fekonditeti i jetës: të ecësh çdo ditë drejt lumturisë, që do të thotë të duash Zotin e t’i duash të tjerët”.

10 qershor 2018, 13:24