Shtegtimi i Papës në Gjenevë Shtegtimi i Papës në Gjenevë 

Papa në Gjenevë: “shtegtim ekumenik”

Më 21 qershorin e ardhshëm Papa Françesku do të shtegtojë në Gjenevë: do të jetë e katërta vizitë e një Pape në Zvicër; e treta për Gjenevën.

R. SH. - Vatikan

Vizita e Papës Françesku në Gjenevë, më 21 qershorin e ardhshëm, do të jetë e katërta e një Pape në Zvicër. Hera e tretë edhe për Gjenevën, si cak i një shtegtimi, që ka domethënie të veçantë jo vetëm për këtë qytet e për Zvicrën, por edhe për mbarë botën.

Shtegtim ekumenik

Në Gjenevë ka shtegtuar Pali VI, më 10 qershor të viti 1969. Ishte shtegtimi i tij i pestë në nivel ndërkombëtar, në historinë bashkëkohore, Rasti, 50-vjetori i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (Oil), pa harruar edhe vizitën në Qendrën e Këshillit Ekumenik të Kishave.

Vizita e Gjon Palit II

Gjon Pali II do të shtegtonte në Gjenevë më 1981, me ftesën e Oil, por atentati e detyroi ta shtynte shtegtimin për datën 15 qershor 1982, kur vizitoi vetëm Komitetin e Kryqit të Kuq, Cern, si dhe përfaqësuesit e Organizatave ndërkombëtare katolike; për t’ia kushtuar vizitën Qendrës së Këshillit Ekumenik të Kishave dhe Institutit ekumenik të Bossey, dy vjet më pas, më 12 gusht 1984.

Papa Françesku, shtegtar ekumenik

Tani e ka radhën Papa Françesku, që do të shkojë në Gjenevë me rastin e 70-vjetorit të  Këshillit Ekumenik të Kishave, ngjarje e madhe, me rëndësi të jashtëzakonshme ekumenike, duke pasur parasysh marrëdhëniet e mira të Këshillit ekumenik dhe Kishës katolike, përmes Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve. “Shtegtim ekumenik”, pra, ky i Papës, në gjurmët e vizitës në Lund të Suedisë, në vitin 2016, për të përkujtuar 500-vjetorin e Reformës luterane, pa harruar as marrëdhëniet vëllazërore me Patrikun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartlomeun I si dhe takimin historik të Kubës, me Patrikun e Moskës, Kirill.

Takim me një delegacion të krishterësh nga Koreja Veriore

Në Gjenevë, gjatë vizitës në Këshillit Ekumenik të Kishave, Françesku do të takohet edhe me një delegacion nga Koreja e Veriut i cili, së bashku me të krisherët e Jugut, do të marrë pjesë në Asamblenë e madhe ekumenike, që nisi pikërisht sot. Në qendër të vizitës në Gjenevë, edhe tema e paqes dhe e mbështetjes së Kishave për refugjatët. Ndërmjet pothuajse 350 Kishave anëtare të Këshillit Ekumenik, shumica përfaqëson realitete afrikane e aziatike, prej nga vijnë një shumicë refugjatësh, që ikin drejt Evropës, djep i traditave kishtare si katolicizmi, kishat ortodokse dhe bashkësitë protestante.

Mesha në Palaexpo me katolikët zviceranë

Si Bari i Kishës katolike universale, çdo shtegtim papnor ka në qendër të vëmendjes takimin me bashkësitë katolike. Kështu edhe në Gjenevë - ashtu si Pali VI në Parkun Grange dhe Gjon Pali II në Pallatin e Ekspozitave - Papa Françesku do të kremtojë Meshën jo vetëm me katolikët e dioqezës së Lozanës, Gjenevës e Friburgut, por me të gjithë Zvicrën. Sipas ipeshkvit të Gjenevës, Charles Morerod, në një intervistë dhënë Agjencisë Sir, Papa shtegton drejt një toke të pasur me kultura të ndryshme, që dinë të bashkëjetojnë mirë ndërmjet tyre, por edhe një vend, ku numri i vetëvrasjeve është më i larti në Evropë e ku, pavarësisht nga mirëqenia ekonomike, mund të vdesësh nga mërzia. E pra, në këtë tokë, në zemër të Evropës, u mbaruan brenda një dite të vetme të gjitha biletat, shpërndarë falas, për të marrë pjesë, më 21 qershor, në Meshën e Papës. Por, ç’pret Zvicra nga Ati i Shenjtë? Ipeshkvi i Gjenevës nuk ka asnjë dyshim: “Pret mesazhin e shpresës e të gëzimit”.

15 qershor 2018, 12:13