Papa kremton meshën në kapelën e Shën Martës Papa kremton meshën në kapelën e Shën Martës 

Papa lutet për ata, që ndihmojnë të varfërit e të uriturit, pasojë e Covid-19

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku mendon për varfërinë, papunësinë dhe urinë, që do të shkaktohen nga pandemia e koronavirusit dhe lutet për ata, që tashmë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje për to. Gjatë homelisë, kujtoi Zojën e Dhimbshme, duke i ftuar besimtarët ta falenderojnë, sepse pranoi të ishte Nënë.

R.SH. - Vatikan

Françesku kryesoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të premten e Javës V të Kreshmëve, duke ia kushtuar atë Zojës së Dhimbshme. Antifona e hyrjes, që Papa e lexoi në fillim të kremtimit, është thirrje për ndihmë, kur ndiejmë ankth: “Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse ndodhem në ngushtim të madh, më shpëto prej duarve të armiqve të mi dhe prej atyre që më salvojnë. O Zot, unë nuk do të turpërohem, sepse ty të thirra në ndihmë” (Ps 30). Në hyrje, Françesku e çoi mendimin ne gjendjen, që mund të krijohet pas pandemisë së koronavirusit:

         “Ka njerëz, të cilët, që tani, kanë filluar të mendojnë për pasojat: pasojat e pandemisë. Për të gjitha problemet që do të vijnë: probleme varfërie, pune, urie... Të lutemi për të gjithë njerëzit, që ndihmojnë sot, por mendojnë edhe për nesër, si të na ndihmojnë të gjithëve”.

         Në këtë të premte, që i paraprin së Dielës së Larit, liturgjia na bën të kujtojmë dhimbjet e shën Marisë, prandaj, Papa Françesku ia kushtoi homelinë Zojës së Dhimbshme. Sot, tha Ati i Shenjtë, do të na bëjë mirë të mendojmë për dhimbjet e Zojës dhe ta falenderojmë, sepse pranoi të bëhet Nëna e Zotit.

         “Përshpirtëria e krishterë – nënvizoi Papa – i ka mbledhur dhimbjet e Zojës e flet për ‘shtatë dhimbje’. E para, vetëm 40 ditë pas lindjes së Jezusit, është profecia e Simeonit, që flet për një shpatë, e cila do t’ia shporojë zemrën. Dhimbja e dytë ka të bëjë me ikjen në Egjipt, për t’i shpëtuar jetën të Birit. Dhimbja e tretë, ato tri ditë ankthi, kur djali mbeti në tempull. Dhimbja e katërt, kur Zoja takon Jezusin në udhën e Kalvarit. Dhimbja e pestë e Zojës është vdekja e Jezusit, pamja e Birit të saj aty, i kryqëzuar, i zhveshur, që vdes. Dhimbja e gjashtë, kur e ulin Jezusin nga kryqi, tashmë i vdekur, e ajo e merr në duar, ashtu siç e pati marrë, foshnjë, më se 30 vite më parë, në Betlehem. Dhimbja e shtatë është varrimi i Jezusit. E kështu, përshpirtëria e krishterë përshkon udhën e Zojës, që shoqëron Jezusin. Mua më bën mirë, në mbrëmje vonë, kur them Engjëllin e Tënzot, të mendoj për këto shtatë dhimbje e të lutem, si kujtim për Nënën e Kishës, e cila, mes shumë dhimbjesh, na lindi të gjithëve”.

         Zoja, vijoi komentin Papa, nuk kërkoi kurrë asgjë për vete, nuk u mburr me faktin se ishte Nëna e Zotit, vetëm pranoi të ishte Nënë dhe e shoqëroi Jezusin si dishepulle e Tij, deri në fund, deri në vdekjen në kryq. Edhe kur e përqeshnin të Birin, edhe kur kushedi ç’thonin për atë vetë! Edhe Jezu Krishti ua besoi apostujve si Nënë e ajo ashtu u soll gjithnjë me ta. Zoja është ajo që na çon drejt Krishtit, nuk deshi asgjë për vete. “Në amësinë e Marisë – tha Papa – shohim amësinë e Kishës, që i pret të gjithë, të mirë e të këqinj, të gjithë”.

         “Sot, - tha Ati i Shenjtë, në përfundim të homelisë – do të na bëjë mirë të ndalemi pak e të mendojmë për dhimbjen e për dhimbjet e Zojës. Ajo është Nëna jonë. E sa mirë i duroi, me forcë, me lot: nuk ishte vajtim i rremë, ishte zemra e shkatërruar nga dhimbja. Do të na bëjë mirë të ndalemi pak e t’i themi Zojës: ‘Faleminderit që pranove të jesh Nënë, kur Engjëlli të lajmëroi e faleminderit që pranove të jesh Nënë, kur ta kërkoi Jezusi”.

         Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

"O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje".

         Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

“Të falemi, o Mbretëresha e Qiellit, o Zojë e Engjëjve, të falemi; porta e rrënja e shëlbimit, për gjithë botën sjell dritën e shkëlqimit. Galdo, o Virgjër e lavdishme, e hirshme mbi të gjitha gratë; të falemi, o krejt shenjte, lutju për ne Zotit tonë Jezu Krisht”.

03 prill 2020, 10:08
Lexo gjithçka >