Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë 

Papa lutet për farmacistët: faleminderit për ndihmën, që u jepni të sëmurëve

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku falënderon farmacistët, që, në këtë kohë pandemie, punojnë për të ndihmuar të sëmurët. Në homeli, pohon se forca për predikimin e Ungjillit vjen nga gëzimi i Zotit, gëzim, që është fryt i Shpirtit Shenjt.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të enjten e Tetëditëshit të Pashkëve. Në hyrje, Ati i Shenjtë ia drejtoi mendimin farmacistëve:

“Këto ditë, më kanë kritikuar, sepse kam harruar të falënderoj një grup njerëzish, që punojnë, edhe ata... falënderova mjekët, infermierët, vullnetarët... ‘Por i keni harruar farmacistët’, [më thanë]: edhe ata punojnë shumë për të ndihmuar të sëmurët të dalin nga gjendja e tyre. Të lutemi edhe për ta”.

Në homelinë e tij, Papa Françesku komentoi Ungjillin e sotëm (Lk 24,35-48), në të cilin Jezusi i ringjallur u duket dishepujve të shtangur e të frikësuar, sepse besojnë se po shohin një fantazmë dhe ua hap mendjen për të kuptuar Shkrimin Shenjt. E ata, nga gëzimi, nuk arrinin t’u besonin syve. Të mbushesh me gëzim, nënvizoi Papa, do të thotë të ngushëllohesh në shkallën më të lartë të mundshme. Është prania e plotë e Zotit, është fryt i Shpirtit Shenjt, është hir. Françesku përmendi Nxitjen Apostolike të Papës Pali VI “Evangelii nuntiandi”, e cila flet për ungjillëzues të gëzuar. Forca e madhe që kemi në predikimin e Ungjillit, forca për të ecur përpara si dëshmitarë të jetës, është gëzimi i Zotit, i cili është fryt i Shpirtit Shenjt.

Ja homelia e plotë e Papës Françesku:

Këto ditë, në Jeruzalem, njerëzit provonin shumë ndjenja: frikë, habi, dyshim. “Në ato ditë, pasi i shëruari nuk ndahej prej Pjetrit e Gjonit, mbarë populli, i mrekulluar…” (Vap 3,11): kemi një ambient jo të qetë, sepse ndodhnin gjëra, që nuk kuptoheshin. Zoti shkoi tek dishepujt e tij. Edhe ata e dinin që Ai ishte ringjallur, edhe Pjetri e dinte, sepse i kishte folur atë mëngjes. Këta të dy, që ishin kthyer nga Emausi, e dinin, por kur u duk Zoti, u frikësuan. “Të tmerruar dhe të frikësuar, mendonin se po shihnin ndonjë shpirt” (Lk 24,37); të njëjtën gjë e patën provuar në liqen, kur Jezusi shkoi tek ata, duke ecur mbi ujë. Por Pjetri, duke marrë guxim, i besoi Zotit e tha: “Nëse vërtet je ti, më lër të vij tek ti mbi ujë” (shih Mt 14,28). Ndërsa, në këtë ditë, Pjetri hesht; kishte biseduar me Zotin atë mëngjes e askush nuk e dinte çfarë kishin thënë gjatë atij dialogu, prandaj hesht. Por ata kishin kaq shumë frikë, ishin shtangur, besuan se po shihnin ndonjë fantazmë. E Krishti u thotë: “Jo, pse jeni tronditur? Pse lindin dyshime në zemrën tuaj? Shikojini duart, këmbët... “, e u tregon plagët (shih Lk 24,38-39). Atë thesar të Jezusit, që e çoi deri në Qiell për t’ia treguar Atit dhe për të ndërmjetësuar për ne. “Më prekni dhe shikoni; një fantazmë nuk ka mish e kocka”.

E pastaj, vjen një frazë, që, personalisht, më ngushëllon shumë, prandaj, kjo pjesë e Ungjillit është një nga më të pëlqyeshmet për mua: “Ata, prej gëzimit, nuk mundën të besojnë...” (shih Lk 24,41), ishin të habitur e të shtangur, por gëzimi nuk i linte të besonin. Ishte kaq i madh ai gëzim sa “jo, kjo s’mund të jetë e vërtetë. Ky gëzim nuk është real, është i tepërt”. E kjo i pengonte të besonin. Gëzimi! Çastet e gëzimit të madh! Ishin të tejmbushur nga gëzimi, por edhe të paralizuar prej tij. E gëzimi është edhe një nga dëshirat, që shpreh shën Pali për të vetët në Romë: “Zoti i shpresës ju mbushtë me gëzim” (shih Rom 15,13), u thotë. Të mbushesh me gëzim, të jesh plot gëzim. Është përvoja më të lartë e ngushëllimit, kur Zoti na bën të kuptojmë se kjo është tjetër gjë, në krahasim me të qenit i hareshëm, pozitiv, i ndritshëm... Jo, është tjetër gjë! Të jesh i gëzuar… por plot gëzim, një gëzim i tejendanë, që na mbush vërtet. Prandaj, shën Pali u uron romakëve që “Zoti i shpresës t’i mbushë me gëzim”.

E ajo fjalë, ajo shprehje, - “ju mbushtë me gëzim” - përsëritet shumë e shumë herë. Për shembull, kur ndodh që në burg, shën Pali t’i shpëtojë jetën rojes, që donte të vriste veten, sepse ishin hapur dyert nga tërmeti e, pastaj, i kumton Ungjillin, e pagëzon, dhe roja, thotë Bibla, u mbush “me gëzim”, sepse besoi (shih Vap 16,29-34). E njëjta gjë ndodh me ministrin e ekonomisë së Kandàcës, kur Filipi e pagëzoi… iku, ndoqi rrugën e tij “plot gëzim” (shih Vap 8,39). E njëjta gjë ndodhi në Ditën e Ngjitjes së Jezu Krishtit në Qiell: dishepujt u kthyen në Jeruzalem, thotë Bibla, “plot gëzim” (shih Vap 24,52-53). Është ngushëllimi i plotë, prania e plotë e Zotit. Sepse, siç u thotë shën Pali Galatasve, “gëzimi është fryt i Shpirtit Shenjt” (shih Gal 5,22), nuk është rrjedhojë e emocioneve, që shpërthejnë për ndonjë gjë të mrekullueshme... Jo, është më shumë. Ky gëzim, ky që na mbush, është fryt i Shpirtit Shenjt. Pa Shpirtin nuk mund ta kemi këtë gëzim. Të mbushesh me gëzimin e Shpirtit Shenjt është hir.

Më vijnë ndërmend numrat e fundit, paragrafët e fundit të Nxitjes Apostolike të Papës Pali VI “Evangelii nuntiandi” (shih 79-80), ku flet për të krishterët e gëzuar, ungjillëzuesit e gëzuar dhe jo për ata, që jetojnë gjithmonë hundë e buzë. Sot është dita për ta lexuar. Plot gëzim. Këtë na thotë Bibla: “Nga gëzimi, nuk besonin...”, ishte aq i madh gëzimi, sa nuk u besonin syve.

Ka një fragment nga Libri i Nehemisë, që na ndihmon sot në këtë reflektim për gëzimin. Populli i kthyer në Jeruzalem gjeti Librin e ligjit, që u rizbulua - sepse ata e dinin ligjin përmendësh e Librin e ligjit nuk e gjenin - festë e madhe e i gjithë populli u mblodh për të dëgjuar priftin Esdra, që lexoi Librin e ligjit. Populli i mallëngjyer qante, qante nga gëzimi, sepse kishte gjetur Librin e ligjit e qante, ishte i gëzuar, derdhte lot... Në fund, kur Esdra përfundoi, Nehemia u tha njerëzve: “Rrini të qetë, tani mos qani më, ruajeni gëzimin, sepse gëzimi në Zotin është forca juaj” (shih Ne 8,1-12).

Këto fjalë të Librit të Nehemisë do të na ndihmojnë sot. Forca e madhe, që kemi për të predikuar Ungjillin, për të ecur përpara si dëshmitarë të jetës, është gëzimi në Zotin, fryt i Shpirtit Shenjt. Sot, t’i lutemi Atij të Lumit të na e japë këtë fryt.

Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

"O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje".

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja! 

U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

16 prill 2020, 11:35
Lexo gjithçka >