Papa gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë Papa gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë 

Sot paradite Papa ia kushtoi Meshën të sëmurëve me coronavirus

Sot paradite Papa Françesku e kremtoi Meshën në Shtëpinë e Shën Martës, duke kujtuar se do të transmetohet drejtpërdrejt edhe ditët e ardhshme, për t’u dëshmuar gjithë të prekurve nga coronavirus, afërsinë e përditshme

R. SH. - Vatikan

Kemi nevojë ta ndjejmë veten pranë Papës, në këto çaste të vështira - për t’u ndjerë më pranë Krishtit e më afër njëri-tjetrit. Që dje, gjatë lutjes krejt të jashtëzakonshme të Engjëllit të Tënzot, Papa i ftoi besimtarët ta jetojnë këtë kohë të vështirë me forcën e fesë, me sigurinë e shpresës, me frymëzimin e dashurisë, e të kërkojnë edhe domethënien ungjillore të këtij çasti, që e vë njeriun para provës së dhimbjes. Duke e kremtuar sot Meshën në Kapelën e Shën Martës, Françesku kujtoi se ndjehet pranë gjithë atyre, që po vuajnë:

“Këto ditë do ta çoj Meshën për të sëmurët e epidemisë së coronavirusit, për mjekët, infermierët, vullnetarët që po ndihmojnë shumë. Për pleqtë, në shtëpitë e pushimit, për të burgosurit në qelitë. Të lutemi së bashku këtë javë, me lutjen e fuqishme drejtuar Zotit: ‘Më shpëto, o Zot, ki mëshirë për mua. Këmba ime shkel në shteg të drejtë. Në  bashkësi do ta bekoj Zotin!”.

Gjatë homelisë, Papa komentoi posaçërisht Leximin e Parë, shkëputur nga Libri i Danielit Profet, që na kujton sa e nevojshme është ta ndjejmë veten mëkatarë. Më poshtë po kujtojmë homelinë e Françeskut:

“Leximi i parë i Danielit Profet është rrëfim i mëkateve. Populli e pranon se mëkatoi… ‘O Zot, ti ke qenë gjithnjë besnik, po ne mëkatuam, vepruam si keqbërës, si njerëz të ligj. Ishim rebelë, u larguam nga urdhërimet Tuaja e nga ligjet Tuaja. Nuk ua vumë veshin shërbëtorëve tu, profetëve, të cilët u folën, në emër tënd, mbretërve të tu, princërve, etërve e mbarë popullit të vendit.

Ky është rrëfim mëkatesh! Ne pranojmë se mëkatuam. E kur përgatitemi të marrim sakramentin e pajtimit, duhet të bëjmë pikërisht këtë, që quhet ‘rrëmim i ndërgjegjes’, e të shikojmë çka kemi bërë para syve të Zotit. Duhet të pranojmë se mëkatuam. E kjo nuk do të thotë të bësh listën e mëkateve intelektuale. Do të ishte si të kujtoje listën e sendeve, që duhet të blesh - tha Papa gjatë homelisë së Meshës kremtuar sot në Shën Martë -  Rrëfim i vërtetë i mëkateve nuk do të thotë t’ia lexosh rrëfyesit këtë listë e pastaj të nisesh e të shkosh i falur! Gjithçka duhet të mbetet në zemër. E kështu bën Danieli, profeti, para Zotit: ‘Ty, o Zot, të përket drejtësia; ne, turpi’. Kur pranoj se mëkatova, se nuk u luta mirë, këtë e ndjej fort në zemër. Më vjen turp. E kërkoj falje, krejtësisht i turpëruar. Kush e humbet turpin, humbet autoritetin moral, humbet respektin para vetes e para të tjerëve. Është i pacipë. Kështu ngjet me Zotin: Atij i përket drejtësia, ne, turpi!  E Zoti, pasi ka kërkuar drejtësinë, kujton edhe mëshirën.

Kur ne kujtojmë mëkatet e turpërohemi, kjo e prek zemrën e Zotit, që na përgjigjet me mëshirë.

Të kërkojmë prandaj, sot, hirin e turpërimit: të turpërohemi për mëkatet tona. E t’i lutemi Zotit të na e japë këtë hir!”.

Duke na e kujtuar këtë lutje, Papa e përfundoi homelinë e kësaj Dite kreshmore, kremtuar në rrethana kaq të jashtëzakonshme!

09 mars 2020, 12:58
Lexo gjithçka >