Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: nuk duhet ta vëmë Zotin në skutë. Po të na vinte Ai ne, lamtumirë Parajsë!

Në homelinë e Meshës kremtuar në Shën Martë, Papa nënvizoi dy sjellje të të krishterëve të vakët, tipike për kryepriftërinjtë në Tempull: “ta vësh Zotin në skutë - e të lash duart”. Janë tepër të rrezikshme, kujtoi Françesku - të mendojmë çfarë do të ndodhte, nëse Zoti do të sillej kështu me ne.

R. SH. - Vatikan

Dy sjellje të të krishterëve të vakët, “ta vësh Zotin në skutë - e të lash duart”, janë tejet të rrezikshme. Është njëlloj si ta sfidosh Zotin. Nëse Zoti do të na vinte ne në skutë, “nuk do ta shikonim me sy Parrizin” e mjerë ne “po t’i lante edhe duart”. Papa Françesku, në homelinë e Meshës  së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, e rilexoi kështu Ungjillin sipas Mateut, propozuar nga liturgjia, në faqen ku krerët e Tempullit e pyesin Jezusin me çfarë autoriteti jepte mësim në Tempull.

Ballafaqimi i Jezusit me krerët e priftërinjve në Tempull

Jezusi - kujtoi Papa - i nxiste njerëzit, i shëronte, i mësonte e bënte për ta mrekulli. Duke vepruar kështu, ua acaronte nervat kryepriftërinjve sepse, me ëmbëlsinë dhe përkushtimin e tij, tërhiqte mbarë popullin pas vetes. Populli i respektonte funksionarët, por nuk u afrohej, sepse nuk kishte besim në ta. Prej këndej, ziliqarë siç ishin, u morën vesh ta tërhiqnin Jezusin në një qoshe e ta pyesnin: “Me ç’autoritet  i bën ti këto gjëra? Ti nuk je prift, as doktor ligji e as që ke studiuar në universitet. Nuk di gjë prej gjëje, prandaj”.

Pas përgjigjes së Jezusit, ata i lanë duart

Jezusi i përgjigjet pyetjes, me një pyetje tjetër, duke i vënë krerët në kënd. I pyet, pra, nëse Gjon Pagëzuesi pagëzonte me autoritetin, që i vinte nga qielli, domethënë nga Zoti, apo nga njerëzit? Mateu përshkruan sjelljen e tyre, rilexuar nga Papa: “Nëse do të themi ‘nga qielli’”, ai do të na përgjigjet “Atëhere, pse nuk besuat?”. E nëse do të themi “Nga njerëzit’, njerëzit do të ngrenë krye kundër nesh”. Atëherë lanë duart e thanë: “Nuk e dimë”. Kjo - komentoi Papa - është sjellje prej njerëzish mediokër, gënjeshtarë të fesë:

“Nuk i lau duart vetëm Pilati, i lanë edhe këta me atë ‘nuk e dimë’. Për të mos hyrë në historinë e njerëzve, për të mos u ngatërruar  me problemet e tyre, për të mos luftuar në shërbim të së mirës, për të mos i shëruar njerëzit që vuajnë… Më mirë jo! Pse  t’i ndotim duart?”.

Dy sjellje të krishtera “me ujë trëndafilash”

Kështu Jezusi ua kthen - vijoi Papa - me të njëjtin avaz: “As unë, pra, nuk po ju them se me çfarë autoriteti  e bëj këtë”:

“Këto janë dy sjellje të të krishterëve të vakët, sjelljet tona - siç thoshte ime gjyshe. Të krishterë të stërpikur me ujë trëndafilash, pa qëndresë, pa themel. Të sillesh kështu, do të thotë ta vësh Zotin në skutë: ‘O ma bëj këtë, ose nuk shkoj më në Kishë’. E si përgjigjet Jezusi; “Shko, shko në punë tënde! Bëji derman vetes”.

Të krishterë, që hyjnë në sivëllazërinë e “Shën Pilatit”

Sjellje tjetër e të krishterëve të vakët, vijoi Françesku - është të lash duart, si Dishepujt e Emmaus ditën e Ngjalljes. Shikojnë gratë gjithë gëzim, sepse kishin parë Zotin, po nuk besojnë, sepse gratë kanë shumë fantazi. E   lajnë duart! Hyjnë, kështu, në sivëllazërinë e Pilatit:

“Shumë të krishterë i lajnë duart para sfidave të kulturës, sfidave të historisë, sfidave të njerëzve të kohës sonë: edhe para sfidave më të vogla. E edhe kur u duhet të japin lëmoshë. Ta vësh Zotin në skutë e të lash duart janë dy sjellje të rrezikshme, sepse është njëlloj si ta sfidosh Zotin. Të mendojmë çfarë do të ndodhte, nëse Zoti do të na vinte ne në qoshe. Nuk do të hynim kurrë në Parriz! Ç’do të ndodhte pra, me ne, të varfërit?”.

Janë dy sjellje hipokrite të njerëzve, që e mbajnë veten të edukuar: “i vënë njerëzit në skutë, sepse të ndotur. I lajnë duart para tyre”.  Është koha t’i flakim tutje sjellje të tilla, për t’i bërë vend Zotit! – ishte porosia e Papës, në këtë kohë, që na fton më shumë se kurrë ta vemë Zotin në krye të vendit!

16 dhjetor 2019, 11:58
Lexo gjithçka >