Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: të ligshtët paguajnë llogarinë e luftrave

Në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku nënvizoi se Zoti na do me zemër e jo me ide. Atij duhet t’i kërkojmë hirin për të vajtuar para fatkeqësive të botës, para të persekutuarve, para viktimave të luftës, sepse këtu, tha Papa, hidhen bomba “si të ishin karamele”.

R.SH. - Vatikan

Përmbytja universale dhe luftrat e sotme. Papa Françesku lidh ç’tregohet në Librin e Zanafillës me lajmet më të fundit, duke kujtuar vuajtjet e fëmijëve të uritur dhe jetimë, të më të ligshtëve, të më të varfërve, që paguajnë “llogarinë e festës”. Në homelinë e meshës, së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Ati i Shenjtë na nxit të kemi një zemër, që i ngjan zemrës së Zotit, e aftë të zemërohet e të hidhërohet. Por, mbi të gjitha, të jemi vëllezër me vëllezërit, baballarë të mirë me fëmijët, të kemi një zemër njerëzore dhe hyjnore.

Zoti ka ndjenja

         Duke komentuar Leximin e parë liturgjik, Papa Françesku ndalet mbi dhimbjen e Zotit para ligësisë së njerëzve dhe mbi pendimin e Hyjit se i kishte krijuar. Aq u zemërua, sa premtoi t’i zhdukë nga faqja e Tokës. Është Zot me ndjenja, pohoi Ati i Shenjtë, “nuk është abstrakt” e, vuan shumë. Ky është misteri i Hyjit.

Ndjenjat e Zotit…, Hyji Atë, që na do - e dashuri do të thotë marrëdhënie – por, që është në gjendje të zemërohet, të inatoset. Pastaj, është Jezusi ai, që vjen dhe na tregon udhën, përmes vuajtjes së zemrës, gjithçka ... Zoti ynë ka ndjenja. Hyji ynë na do me zemër, nuk na do me ide, na do me zemër. Edhe kur na përkëdhel, na përkëdhel me zemër; edhe kur na rreh, si një baba i mirë, na godet me zemër e vuan më shumë se ne.

Kohët tona nuk janë më të mira se ato të përmbytjes

E nëse Zoti vuan me zemër, edhe ne jemi në gjendje të ndjejmë dhimbje para Tij, pohon Papa më tej. “Nuk është sentimentalizëm - nënvizon - kjo është e vërteta”. Françesku shpjegon se kohët e sotme nuk janë të ndryshme nga ato të përmbytjes universale; në botë ka probleme, fatkeqësi, të varfër, të uritur, të përndjekur, të torturuar, “njerëz, që vdesin në luftë, sepse hedhin bomba sikur të ishin karamele”.

Unë mendoj se kohët tona nuk janë më të mira se kohët e përmbytjes, s’e besoj: fatkeqësitë janë pak a shumë të njëjta, viktimat janë pak a shumë të njëjta. Mendoni për shembull, më të brishtët, fëmijët. Sa e sa fëmijë të uritur, fëmijë pa arsim: nuk mund të rriten në paqe. Pa prindër, sepse ua kanë masakruar luftrat ... Fëmijë ushtarë... Mendoni pak për ata fëmijë.

Të vajtojmë si Jezusi

Hiri që duhet të kërkojmë sot - thekson Papa Françesku - është të kemi “një zemër si zemra e Zotit, zemër që i ngjan asaj të Hyjit, zemër e vëllait për vëllain, e babait për fëmijtë, e djalit për babain. Zemra njerëzore si ajo e Jezusit, është zemër hyjnore”.

Ekziston fatkeqësia e madhe e përmbytjes, fatkeqësia e madhe e luftrave të sotme, ku llogarinë e “festës” e paguajnë të ligështit, të varfrit, fëmijët, ata që nuk kanë asgjë. Le të mendojmë se Zoti e ka zemrën të hidhëruar dhe le t’i afrohemi e të flasim me Të, t’i themi: “O Zot, shikoji këto gjëra, unë të kuptoj”. Le ta ngushëllojmë Zotin: “Unë të kuptoj dhe të shoqëroj”, të shoqëroj në lutje, në kërkesën për të ndërhyrë në të gjitha këto fatkeqësi, të cilat janë fryt i djallit, që dëshiron ta shkatërrojë veprën e Hyjit.

19 shkurt 2019, 13:34
Lexo gjithçka >