Papa në Shën Martë: Lumnitë, stili i vërtetë i jetës së krishterë
R. SH. - Vatikan
Ungjilli, Fjala e Zotit është “verë e re”, verë që na u dhurua. Por për të qenë të krishterë të mirë, duhet edhe “shakulli i ri”, domethënë “sjellja e re”, stili i ri, që është stil vërtetësisht i krishterë e që vetëm Lumnitë mund të na e tregojnë. Ky, kuptimi i “fjalës kyçe” që mbyll Ungjillin e Markut sot: “Verë e re, në shakuj të rinj”. E prej këndej u nis edhe reflektimi i sotëm i Papës gjatë homelisë së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës.
Të jetosh duke akuzuar të tjerët, nuk është sjellje e krishterë
“Për të kuptuar ç’është stili i krishterë - kujtoi Françesku - ndoshta është e mira të kujtojmë së pari sjelljet tona, që janë në stil jo të krishterë”. E Ati i Shenjtë kujtoi tre stile të këtij lloji: “stil akuzues”, “stil sipas mendësisë së botës” e “stil egoist”:
“Stili akuzues është tipik për ata besimtarë, që s’bëjnë tjetër, veçse të padisin të tjerët. Këta njerëz e kalojnë jetën vetëm duke akuzuar: ‘Jo, po, kjo e ajo… Jo, kjo jo!... kjo nuk është e drejtë, ky ishte katolik i mirë, e ai, i keq…’. E gjithnjë e zhvleftësojnë mbarë botën. Këtë stil do ta quaja ‘stil prokurorësh dështakë’: në kërkim të përhershëm të dikujt, për ta akuzuar për diçka. E nuk kujtohen fare se ky është stili i djallit: në Bibël, djalli quhet ‘akuzatori i madh’, që shkon gjithnjë duke paditur të tjerët”.
Kjo - theksoi Papa - është modë ndër ne, e ishte edhe në kohën e Jezusit i cili, në një mori rastesh, i qorton paditësit: “Në vend që të shikosh fijen e kashtës në sytë e tjetrit, shiko traun në syrin tënd”; ose, akoma: “Kush është pa mëkat, mund të hedhë gurin e parë!”. Prej këndej - kujtoi Papa - të jetosh duke akuzuar të tjerët e duke kërkuar të metat e gjithkujt, nuk është aspak e krishterë, nuk është shakull i ri!
Mendësia e botës rrënon shumë njerëz
E kësisoj është edhe stili, që Papa e quan “sipas mendësisë së botës”, domethënë, stili i botës. Është stil i katolikëve, që mund të thonë gjithë ditën Atynën, por për të jetuar, jetojnë një jetë plot me kotësi, fodullëk, etje për para, bindje se nuk kanë nevojë për askënd, mbasi i mjaftojnë vetvetes:
“Zoti të dhuroi verë të re, por ti nuk i ndërrove shakujt, nuk deshe t’i ndërrosh. Sepse nuk mendon sipas Krishtit, por sipas botës, e kjo i rrënon shumë njerëz! Njerëz të mirë, por që hyjnë në rrugën e kotësive, të fodullëkut, të prirjes për t’u dukur… Humbasin përvujtërinë…e përvujtëria është pjesë e pandarë e stilit të krishterë. Duhet të mësojmë nga Jezusi nga Zoja, nga Shën Jozefi, që ishin të përvuajtur”.
Indiferenca nuk është e krishterë
E është edhe një stil tjetër, që bie në sy në bashkësitë tona e nuk është i krishterë. Përkundrazi, është “shpirt egoist”, “shpirt indiferent”. Besoj se jam katolik shembullor - shpjegoi Françesku - punët e mia i bëj si s’ka ku të vejë më mirë… E, sa për punët e botës, nuk më interesojnë. Nuk shqetësohem fare për luftërat, sëmundjet, vuajtjet e të tjerëve … edhe të të afërmit tim … E kjo ësht, hipokrizia, për të cilën Jezusi i qorton doktorët e ligjit. E atëhere, cili është stili i krishterë i vërtetë?
“Stili i krishterë është ai i Lumnive: butësia, përvujtëria, durimi në vuajtje, dashuria për drejtësinë, aftësia për t’i mbartur persekutimet e, sidomos, për të mos e gjykuar tjetrin. Ky është shpirti i krishterë, stili i krishterë. Nëse dëshiron të dish cili është stili i krishterë, për të mos shkarë në stilin paditës, stilin e botës, stilin egoist, lexo Lumnitë! E ky është stili ynë! Lumnitë janë shakujt e rinj, janë udha e re, për të arritur ku dëshirojmë. Për të qenë të krishterë të mirë, duhet të kemi edhe aftësinë për ta thënë Besojmën me zemër e, me gjithë zemër, edhe Atynën!”.