Papa në Shën Martë: Fjala e Zotit nuk është ideologji, është jetë
R.SH. - Vatikan
“Kujdes, vëllezër, që asnjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe e të pafe, aq sa të shkëputet nga Zoti i gjallë”. Ky është mesazhi i fuqishëm, “paralajmërimi”, siç e quajti sot Papa Françesku, gjatë homelisë së meshës në Shtëpinë e Shën Martës, që autori i Letrës drejtuar Hebrenjve (Heb 3,7-14) - një nga Leximet e liturgjisë së sotme – i jep bashkësisë së krishterë, e cila rrezikonte të rrëshqiste drejt humnerës së “zemrës perverse, të çoroditur”. Me tri fjalë, Papa shpjegoi çdo të thotë ky mesazh në kohën e sotme: “ngurtësia”, “kokëfortësia” dhe “joshja”.
Të krishterë burracakë, pa guxim për të jetuar
Një zemër e ngurtë është “e mbyllur”, vetëm mbrohet e nuk dëshiron të hapet më tej. Në jetë, kjo mund të ndodhë, për shkak të shumë faktorëve, si për shembull, një “dhimbje e fortë”, sepse “goditjet ta regjin lëkurën”, theksoi Papa. Kështu u ndodhi edhe dishepujve të Emausit e shën Tomës. Por, kush ngul këmbë në këtë qëndrim është “burracak”, ka një “zemër burracake, që është perverse, e çoroditur”:
Mund të pyesim veten: a e kam zemrën të ngurtë, a e kam të mbyllur? A e lë zemrën time të hapet më tej, apo kam frikë nga kjo rritje? E rritemi gjithmonë përmes sprovave e vështirësive, rritemi siç bëjmë të gjithë, që fëmijë: mësojmë të ecim duke rënë, fillimisht këmba-doras, pastaj trupin drejt… sa herë kemi rënë! Rritemi bashkë me vështirësitë. Eh, ngurtësia… Njëlloj, edhe mbyllja. Por kush mbetet kështu... “Kush jam unë, o atë?” Janë burracakët. Burracakëria është qëndrim i keq për të krishterin, të cilit i mungon guximi për të jetuar. Mbyllet. Është burracak.
Të krishterët kokëfortë, ideologë
Fjala e dytë është “kokëfortësia”, vërejti Papa Françesku. “Nxiteni njëri-tjetrin çdo ditë, që asnjëri prej jush të mos jetë kokëfortë”, shkruhet në Letrën drejtuar Hebrenjve. Kjo është edhe akuza, që u bën shën Shtjefni atyre, që do ta vrisnin me gurë, nënvizoi Bergoglio. Kush ka këtë lloj zemre, bëhet mendjemadh dhe i duket vetja më i mirë se të tjerët. Është profili i “ideologëve”, theksoi Papa:
Ideologjia është kokëfortësi. Fjala e Zotit, hiri i Shpirtit Shenjt nuk është ideologji: është jetë, që të lë të rritesh, gjithnjë, të ecësh e t’ia hapësh zemrën sinjaleve të Shpirtit, shenjave të kohës. Por kokëfortësia është edhe mendjemadhësi, është kryelartësi. Kryeneçësia - ajo kokëfortësi, që bën aq keq… A jam kokëfortë? Gjithkush ta mendojë. A jam në gjendje t’i dëgjoj të tjerët? Dhe nëse e mendoj ndryshe, të them: “Unë e mendoj kështu ...” Mund të dialogoj? Kokëfortët nuk dialogojnë, nuk dinë ta bëjnë këtë, sepse e mbrojnë gjithnjë veten dhe idetë e tyre, janë ideologë. E ideologjitë i bëjnë shumë keq popullit të Zotit, sa keq i bëjnë! Sepse i japin fund dikimit të Shpirtit Shenjt.
Të krishterë kompromisi, skllevër të joshjes
Fjala e fundit, në të cilën u ndal Papa, për të shpjeguar si çoroditet zemra e besimtarit, ishte “joshja”, joshja e mëkatit, joshja e djallit, e “joshësit të madh”, që është edhe “teolog i madh, por pa fe e plot urrejtje”. Ai dëshiron të “hyjë dhe ta dominojë” zemrën e, madje, e di mirë si ta bëjë këtë. Atëherë, përfundoi Papa, “zemër perverse është ajo që lejon të joshet dhe joshja e çon drejt kokëfortësisë, drejt mbylljes e shumë gjërave të tjera”:
E kur joshesh, ose e ndryshon jetën e kthehesh kah Zoti, ose përpiqesh të bësh kompromise: pak këtu e pak atje. “Po, po, unë e ndjek Zotin, por po më pëlqen kjo joshje, vetëm pak...”. E kështu, fillon të bësh një jetë të krishterë me dy faqe. Për ta thënë me fjalët e Elisë së madh për popullin e Izraelit: “Ju çaloni nga të dyja këmbët”. Kjo është jeta e kompromisit: “Po, unë jam i krishterë, e ndjek Zotin, po, por këtë po e lë të hyjë...”. Kështu janë të vaktit, ata që bëjnë gjithmonë kompromis: të krishterët e kompromisit. Edhe ne, sa herë bëjmë kompromis. Kur Zoti ma tregon rrugën, edhe përmes urdhërimeve, madje, edhe me dikimin e Shpirtit Shenjt, mua më pëlqen kjo tjetra e, përpiqem të gjej mënyrën për të ecur mbi dy binarë, duke çaluar nga të dyja këmbët.
Në fund, Papa u lut që Shpirti Shenjt t’i shndrisë të gjithë, që askush të mos ketë një zemër të çoroditur: “një zemër të ngurtë, që çon në burracakëri; një zemër të bazuar mbi kokëfortësinë, që çon drejt rebelimit dhe ideologjisë; një zemër të joshur, skllave e joshjes, që çon në një krishterim kompromisi”.