Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa Françesku: Lajmërimi i Zojës e revolucionarizon historinë

Gjatë Meshës, kremtuar në Shën Martë, Papa kujtoi posaçërisht misterin e Lajmërimit të Zojës, çast mahnitës, që ia ndryshoi faqen historisë njerëzore.

R. SH. - Vatikan

Një çast nga Ungjilli i Shën Lukës (Lk 1,26-38). Tronditës. I vështirë për t’u predikuar, në të cilin Zoti i të papriturave ia ndryshon fatin njeriut. Këtë nënvizoi sot Françesku gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës.

Fragmenti ungjillor i Lukës, që sapo e dëgjuam - vijoi Papa - flet për një çast vendimtar të historisë, më revolucionari, Është situatë shpëthyese. Gjithçka ndryshon. Gjithçka përmbyset. I vështirë për t’u predikuar, ky fragment. E kur,  duke kremtuar Krishtlindjen a  solemnitetin e Lajmërimit të Zojës themi Besojmën, këtë mister e shqiptojmë në gjunjë, të pushtuar nga mahnitja. Mahnitje e çastit, kur gjithçka ndryshon. Gjithçka. Deri në rrënjë. Liturgjikisht sot është dita e rrënjës. Antifona, që vë theksin mbi kuptimin e ngjarjes, është “Rrënja e Jeses”, nga e cila do të bulojë një filiz. Zoti ulet. Zoti hyn në histori. Dhe e bën këtë me një stil origjinal: përmes një të papriture. Zoti i të papriturave na befason përsëri e përsëri.

Gjatë homelisë Papa e rilexoi Ungjillin e sotëm, në mënyrë që besimtarët të mund të reflektonin mbi peshën e çastit të pashoq, kur një Kryeengjëll, I dërguar nga i Tejetlarti, i kumtoi lajmin më të madh të historisë një vashe fare të panjohur, paracaktuar për t’u bërë Nëna e Zotit e Nëna jonë:  

“Shpirti Shenjt do të zbresë përmbi ty e fuqia e të Tejetlartit do të të mbulojë me hijen e vet; prandaj Ai që do të lindet, do të jetë i shenjtë. Do të thirret Biri i Hyjit. E ja, edhe Elizabeta, kushërira jote, ndonëse e shtyrë në mote, pret një djalë. Ajo që besohej barkthatë, është në të gjashtin muaj. S’ka gjë të pamundur për Hyjin!”. Atëherë Maria tha: “Unë jam shërbëtorja e Zotit: u bëftë mbi mua si është fjala jote!’ Atëherë engjëlli u largua prej pranisë së saj”.

20 dhjetor 2018, 12:41
Lexo gjithçka >