Të meditojmë me Ungjillin: Jezusi na kërkon të duam në mënyrë konkrete
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i kësaj së diele, e gjashta e kohës së Pashkëve 'C', është nga Gjoni ( 14,23-29)
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë…. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë. Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota. Mos t’ju shqetësohet zemra as të mos ju trembet. Ju dëgjuat se ju thashë: ‘Po shkoj dhe do të kthehem tek ju’. Po të më donit, do të galdonit se po shkoj tek Ati, sepse Ati është më i madh se unë. Ju thashë tani, para se të ndodhë, që të besoni kur të ndodhë”.
Ti, o Jezus, s’na kërkon të të duam
Vetëm me fjalë.
Ti nuk mjaftohesh
me pranimin tonë,
me duartrokitjet,
me konsensusin.
Për ty, dashuria është diçka konkrete,
reale, e prekshme:
tregohet me fakte,
me vendime e me jetën
e çdo dite.
Edhe, e sidomos
kur kjo na dhemb,
kur nuk është e lehtë
të rreshtohemi në anën tënde,
të ndjekim rrugën tënde,
të plotësojmë vullnetin e Atit Qiellor.
Na ndihmo pra, o Zot
Ta pranojmë Fjalën tënde
Edhe kur është tepër kërkuese.
Na dhuro forcën, guximin,
ta bëjmë realitet në jetën tonë.
E kur sprovohemi,
kur tundohemi ta shkëmbejmë
paqen e gëzimin tënd
me ndonjë avantazh të kotë
na jep urtinë të zgjedhim
çka vlen me të vërtetë.
Shpirti yt na kujtoftë fjalët e tua
që ne t’i përballojmë
ndërlikimet e jetës me shpirt të qetë.