Don luigi lenzini Don luigi lenzini 

Don Lenzini është i lum. Semeraro: arketip i Bariut të Mirë

Dëshironte të ishte meshtar i të gjithëve martiri modenez, vrarë nga urrejtja për fenë më 1945, nga furia e verbër e komunizmit antiklerikal. “Shembull bariu shpirtrash, i mirë, sepse i aftë të japë jetën për të tjerët”: kështu e portretizoi prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve gjatë predikimit të Meshës së lumnimit, kremtuar në Katedralen e Modenës.

R. SH. - Vatikan

Është më mirë të jesh bari, apo të jesh i mirë? Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve bëri këtë pyetje, para se të ndalej te figura e Bariut të Mirë, në Meshën e Lumnimit të Don Luigi Lenzini-t, kremtuar dje, në katedralen metropolitane të Shën Marisë së Ngjitur në Qiell dhe Shën Geminianit, në Modena. “Ka shumë barinj në Bibël - kujtoi kardinali - por disa prej tyre  - kujton Ezekieli Profet - në vend që të kullosin grigjën, kullosin veten, e në vend që të kujdesen për delet, i hanë! Cila është, atëherë, detyra e bariut? Jezusi na e thotë qartë: Bari i vërtetë është ai që jep jetën për delet e tij.

Don Lenzini, natyra e jashtëzakonshme e normalitetit

I Lumi i ri, me origjinë nga Fiumalbo, në zonën e Modenës, ishte bir i një një familjeje të pasur dhe shumë fetare. I shuguruar meshtar në vitin 1904, jetoi vitet e errëta të Emilia-s, kur po përhapej një formë e socializmit ateist dhe materialist, që synonte ta zhdukte besimin me gjithë besimtarë. Një ditë, kur ishte famullitar në Finale, një grup i “predikatarëve” të rinj, ia doli mbanesh ta ngacmojë turmën deri në oborrin e kishës famullitare. Don Luigi, asokohe 30 vjeç, doli jashtë dhe t’u kundërvihej padive të tyre i shndritur nga drita e së Vërtetës së Ungjillit të Krishtit. Kur e pyesin nga e merr fuqinë, u përgjigjet se forca e tij buron nga lutja para Jezusit në Eukaristi, por edhe nga leximi i Fjalës. Mendon se vetëm kështu mund të arrijë vërtet tek çdo shpirt, pa përjashtuar askënd, madje as partizanët, që i pati fshehur gjatë luftës, e as komunistët e kërkuar, që pastaj, kur përfundoi lufta do ta vrisnin. Ishte kjo jetë “normale” që e përgatiti për t’i bërë ballë çasit kur mizoria njerëzore bëri kërdi mbi trupin e tij - kujtoi kardinali Semeraro - duke pohuar, më pas me entuziazëm se sot Kisha e shpall “martir”, duke pohuar se e vranë nga urrejtja për fenë, e mbytën mizorisht, vetëm që Kisha të kishte një meshtar më pak!

 Një zile dhe një e shtënë gjatë natës

Historia e vdekjes së tij është e jashtëzakonshme: martirizim, në fund të një jete krejt normale. Ishte nata e 21 korrikut 1945, nata më e errët për Crocette di Pavullo nel Frignano, ku Don Luigi, asokohe 64 vjeç, ishte famullitar. Kur ia behën vrasësit e tij, të armatosur, ishte ende zgjuar. Lutej! Papritmas, dëgjoi tingullin e mprehtë të ziles. Më pas një zë, që e thërriste me emër e fliste për një vajim. Meshtari ndjen shijen e hidhur të kurthit, ndërsa ata hyjnë në rektorat. Don Luigi i bie kambanave: është britma e tij e fundit për ndihmë, ndërsa ata, grup i madh, qëllojnë me të shtëna paralajmëruese në oborrin e kishës. Asnjë famullitar nuk nxiton në ndihmë të Don Luigjit. Kanë frikë. Ndërkaq ai zvarritet gjysmë i zhveshur e detyrohet të gërmojë varrin e vet, i torturuar tmerrësisht, i gjymtuar. Ai i lë ta copëtojnë, pa kundërshtuar! U kundërvihet vetëm kur nisin të blasfemojnë kundër Zotit të tij. E pikërisht kjo  e ndez më keq furinë vrastare të partizanëve, të cilët më në fund e vrasin. Trupi i tij do të gjendej vetëm një javë më vonë.  

Shenjtëria në jetën e përditshme sipas fjalëve të Papëve

Kardinali Semeraro, në fund të predikimit të tij, nënvizoi vlerën e jashtëzakonshme të jetës së zakonshme të krishterë, siç nënvizohet në papnitë e fundit:

Shën Gjon Pali II në Letrën Apostolike Novo millennio ineunte shkroi se “kishte ardhur koha për t’ua ripropozuar të gjithëve me bindje ‘masën e lartë’ të jetës së zakonshme të krishterë”. Benedikti XVI na kujton se “shenjtëri nuk do të thotë të bësh gjëra të jashtëzakonshme, por të bashkohesh me Krishtin, t’i jetosh misteret e tij, t’i bësh tuajat mendimet dhe sjelljet e Tij”.

 Françesku porosit të mos e ndajmë shenjtërinë nga jeta e përditshme, por ta kërkojmë dhe ta rrokim në jetën e përditshme”. Ashtu si Don Lenzini.

29 maj 2022, 11:18