Të meditojmë me Ungjillin: o Krisht, na i hap sytë
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 10 i Shën Markut (46-53)…
Në atë kohë, kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtasë: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbrit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Që të shoh!” – përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë mbas Jezusit.
Të lutemi së bashku
Jam edhe unë si Bartimeu
e pres përgjatë udhës.
Duke shpresuar se Ti, o Jezus, do të kalosh andej pari,
sepse nuk shoh, nuk di ku të shkoj
e nuk arrij t’i zgjidh vetëm problemet.
Kështu, të thërras, të kërkoj të ndalesh,
të kesh mëshirë për mua,
sepse Ti nuk je si gjithë të tjerët,
Ti mund të m’i hapësh sytë,
Ti mund të më japësh një vështrim të ri.
Jam edhe unë si Bartimeu:
në çastin e duhur kuptova
se duhet të rrezikoj për atë takim vendimtar
e, atëherë, hova drejt teje,
duke i lënë pas shpine pasiguritë,
gjithçka ku fshihem e mbyllem.
Jam edhe unë si Bartimeu
e habitem që Ti fillon
me një kërkesë kaq të çuditshme
që më bën të kuptoj mirësinë,
dhembshurinë Tënde:
“Çfarë dëshiron të bëj për ty?”
Jam edhe unë si Bartimeu
e të tregoj se thahem për pakëz dritë,
se kam dëshirë të shoh,
të çlirohem nga terri
që më ka depërtuar në shpirt e më rrethon kudo.
Po, po, jam edhe unë si Bartimeu
e Ti më hape sytë që të vij pas Teje.