Anija Vlora në Bari, 8 gusht 1991 Anija Vlora në Bari, 8 gusht 1991

Çelësi i fjalëve të Kishës: të përbujmë shtegtarët

Më 8 gusht të vitit 1991 zbarkonte në Bari të Italisë, anija Vlora, mbushur me shqiptarë të dëshpëruar. E, edhe sot, pas 30 vitesh, ka nevojë për njerëz si kryetari i atëhershëm i bashkisë së Barit, Enrico Dalfino, që i vetëm (drejtuesit e tjerë të qytetit ishin me pushime), i thoshte së shoqes: “Janë njerëz të dëshpëruar. Nuk mund t’i kthejmë mbrapsht, ne jemi shpresa e tyre e fundit”. Për këtë, që është vepër mëshire, për “përbujtjen e shtegtarëve” do të flasim sot

R.SH. - Vatikan

Vera është e bukur për ata, që kanë mundësi të shkojnë me pushime, por mund të kthehet në mort për ata, që përpiqen të kalojnë dete e shkretëtira, në kërkim të një jete më të mirë. Janë migrantët, që marrin parasysh çdo rrezik, për të arritur në Evropë, për shembull, me anije të tejmbushura apo me gomone, që të kujtojnë trishtueshëm shqiptarët e 30 viteve më parë. Pikërisht, më 8 gusht të vitit 1991 zbarkonte në Bari të Italisë, anija Vlora, mbushur me shqiptarë të dëshpëruar.

E, edhe sot, pas 30 vitesh, ka nevojë për njerëz si kryetari i atëhershëm i bashkisë së Barit, Enrico Dalfino, që i vetëm (drejtuesit e tjerë të qytetit ishin me pushime), i thoshte së shoqes: “Janë njerëz të dëshpëruar. Nuk mund t’i kthejmë mbrapsht, ne jemi shpresa e tyre e fundit”. Për këtë, që është vepër mëshire, për “përbujtjen e shtegtarëve” do të flasim sot.

“Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, pritën miq engjëjt!”, thotë Letra drejtuar Hebrenjve (13,2). Ku i ka rrënjët mikpritja, aq e dashur edhe për trojet shqiptare? Duke vënë në praktikë fenë e tij, besimtari mirëpret të huajin, ashtu si Zoti e mirëpret në botë, duke i dhënë jetën e, në mëshirën e Tij pa fund, edhe shëlbimin e amshuar.

Në zanafillë, Hyji e bëri mikpritëse gjithçka ishte pa formë dhe e shkretë, kaosin, “tohu wabohu”, për të pritur si duhej njeriun e krijuar sipas ngjashmërisë dhe shembëllimit me Të e për ta lënë të jetojë në Kopshtin e Edenit. Komentari rabinik nënvizon se Hyji e ka krijuar botën në funksion të njeriut, pavarësisht se ai u krijua i fundit. Kjo u bë me qëllim që njeriu ta gjente gjithçka gati. Hyji është i zoti i shtëpisë, i cili, pas përgatit pjata të shijshme e pasi shtron tryezën, e shoqëron mikun në vendin e vet. Por njeriu, në lirinë e tij, mëkatoi dhe u dëbua nga Parrizi Tokësor, prandaj, që nga ai çast, u bë i huaj për këtë dhe.

Vërtet, Abrahami e quan veten të huaj e kalimtar e, nëse shqyrtohet Shkrimi Shenjt, vërehet se i huaj është pikërisht Izraeli, që e ka këtë në genet e tij. Kur Izraeli kujton historinë e vet, gjatë periudhës së Pashkëve, pohon që në fillim: “Im atë ishte një sirian endacak” (Lp 26,5). Izraeli e provon gjendjen e të huajit sidomos në Egjipt, ku jeton për një kohë të gjatë, në skllavëri, nën faraonin. Falë kësaj përvoje të vështirë, lind mirësia ndaj të huajit: “Mos e nëpërkëmbni të ardhurin, sepse e njihni jetën e ardhacakut; edhe ju keni qenë ardhacakë në dheun e Egjiptit” (Dal 23,9).

Zoti e dëgjon britmën, që ngrihet nga shtypja e Izraelit, i cili trajtohet si i huaj në Egjipt dhe vendos drejtësinë, duke e çliruar nga skllavëria. Si rrjedhojë, për të qenë shenjt, Izraelit i duhet të mbajë të njëjtat qëndrime të Zotit Hyj. Në Librin e Ligjit të Përtërirë, Zoti i kërkon ta dojë pa kushte të huajin: “Kini edhe ju dashuri për të ardhurin” (Lp 10,19). Zbatimi i këtij urdhërimi, është përgjigjja e Izraelit për dashurinë e mëshirshme të Zotit. Kështu, kur Izraeli arrin në Tokën e Premtuar, akti i bekimit në çastin e ofertës së prodhimeve të para të tokës, kthehet në çast të ndarjes së tyre me nevojtarët dhe të huajt.

Ja pra, se si kujdesi për shtegtarët bëhet pjesë përbërëse e jetës, qoftë kur këta janë të huaj, qoftë kur janë miq, të afërt apo të ftuar. Mikpritja bëhet një ritual i vërtetë, që dallohet nga përqafimi e puthja e tjetrit, sidomos kur ai është i afërt, nga larja e këmbëve, nga ftesa në tryezë për të ngrënë, nga kujdesi për të ushqyer kalin e mikut, nga përgatitja e shtrojeve dhe e mbulojeve për natën, deri në shoqërimin jashtë territorit, nga ku shtegtari riniset për udhëtim. Kjo është mikpritja e Shkrimit Shenjt, që shprehet mirë nga lutja e Davidit lartuar Zotit: “Shtegtarë jemi para Teje e ardhacakë, si etërit tanë” (1 Kr 29,15).

Ja pse, në traditën hebraike, mikpritja, “hachnasat orchim”, vishet me një aspekt të rëndësishëm. Pikërisht për këtë, në Talmund thuhet se “Është më e madhe vepra e mikpritjes së endacakëve se sa pranimi i Shekinah(prania hyjnore)” e më tej: “shtëpia jote qoftë e hapur dy kanatësh e të varfërit qofshin anëtarë të shtëpisë tënde” (Aboth 1,5). Tregohet edhe se Jobi: “bëri katër dyer në shtëpinë e vet, në mënyrë që të varfërit të mos e kishin problem e t’i binin rrotull për të gjetur hyrjen” (ARN, VII).

Sot, në shumë familje hebraike, gostia e së shtunës dhe e festave nuk është e plotë, nëse nuk marrin pjesë në të të ftuar të jashtëm. Shumë sinagoga kanë një komitet, që i kushtohet “hachnasat orchim”, mikpritjes. Detyra e tij është të sigurohet se asnjë shtegtar nuk hyn në sinagogë pa qenë më parë i ftuar në shtëpinë e ndokujt për të ngrënë.

05 gusht 2021, 08:06