Shtegtimi drejt  Santiagos së Kompostelës Shtegtimi drejt Santiagos së Kompostelës  

Një jubile për të rilindur

Dje, festa e Shën Jakut të Madh, Kompostela ishte në festë. Niste, ndonëse me ritëm të ngadalshëm, “shtegtimet”, që pandemia i zbehu ndjeshëm. Fetsa na bën ta kujtojmë historinë e kësaj rruge feje.

R. SH. - Vatikan 

Që pandemia gati-gati e përgjysmoi numrin e shtegtarëve, të cilët përshkuan Rrugën e Santiagos gjatë vitit 2020, është e lehtë të përfytyrohet. Ndërsa për vitin 2021 në vijim bëhen shumë parashikime pozitive. Shtegtimet duket se po rinisin me hovet e moçme, edhe pse normat shëndetësore i pakësuan tepër vendet e pushimit të shtegtarëve, në bujtinat klasike gjatë shtigjeve të ndryshme të shtegtimit, që të çojnë drejt e tek varri i Shën Jakut Apostull. E të mendoh se në vitin 2019, shtegtarët që morën Kompostelanën, dokumentin, i cili vërteton se e kanë bërë me fund shtegtimin në këmbë së paku për njëqind kilometra, ishin gati-gati 350.000.

Dje, 25 korriku, festa e Shën Jakut të Madh Apostull ra ditën e diel, duke shënuar kështu një vit të ri kompostelan (në altarin e Katedrës u kremtua  Mesha solemne, kryesuar nga kryeipeshkvi Julián Barrio Barrio). Ishte rast i mrekullueshëm për rilindjen, ndonëse të heshtur, të ndrojtur, besuar burrave e grave, që vendosën të nisen, pa marrë parasysh asgjë. Kujtuam disa numra, po kjo nuk është aspak çështje numrash. Ndalimi i vitit të kaluar ndokujt iu duk ngjarje epokale. Po shtegtimi nuk lindi dje, as sot. Shtegtimi vijon, duke ndjekur me durim e shpresë ngjarjet botës. Ecën ndërmjet shkëlqimesh e heshtjesh. Me turma vigane e grupe të vogla shtegtarësh. Mjafton të mendosh se shtegtimi i parë  tek Varri i Apostullit nisi në vitin e largët 825, kur mbreti i Asturieve, Alfonso il Casto, sapo mori lajmin për rigjetjen e varrit, u nis që ta shikonte me sytë e vet, duke ecur nëpër një shteg të vështirë e të ngatërruar, që sot njihet me emrin “Shtegu i lashtë”, ndoshta edhe për t’u mbrojtur nga sulmet e myslimanëve, që asokohe kontrollonin një pjesë të madhe  të gadishullit iberik.

Lajmi u përhap ngadalë në të gjithë rruzullin, që asokohe as nuk mund të përfytyrohej si botë e globalizuar dhe e lidhur me një mijë fije informacioni, duke vënë në lëvizje zemrat, e sidomos, këmbët e shumëkujt. Shtegtonin leckapanë e mbretër, shenjtorë e mëkatarë. Ishte kryqëzatë e heshtur, e çarmatosur, edhe pse nisi t’ia ndizte ndokujt fantazinë aq, sa ta shikonte Apostullin në krye të ushtrive të krishtera, që luftonin për Reconquista, rifitimin e asaj, që ishte humbur e  që do të fitohej përsëri vetëm në vitin 1492.  Maurët (los moros), siç quheshin pushtuesit arabë të Spanjës, arritën deri atje, sa ta plaçkisnin edhe Santiagon, Po te Varri i Shenjtit e ndaluan hapin. Nuk guxuan ta prekin. E kështu, nga fundi i shekullit XV shtegtimi nisi ta ringjallë fenë e shumëkujt. Ishte ëndrra e rilindjes, që po zgjohej, për t’i dhënë fytyrë të re Evropës, që për fat të keq, në vitet 1500, u bë sakaq shkaktare për krizën e shtegtimit: nisi reforma, luftat fetare, kritika e kulteve të shenjtorëve dhe relikeve. Rrugët u bënë përsëri të pasigurta. Ashtu të lara me gjak, u duk se ndër to nuk do të shkelte më asnjë këmbë shtegtari. Shtegtarët, që arrinin ta kapërcenin Portikun e Lavdisë, nisën të bëhen përherë e më të rrallë. Po “Mbetjet e Izraelit” - thuhej - të cilat shpëtuan edhe nga dekretet napoleonike të shpërbërjes së sivëllazërive, që jepin ndihmesën e domosdoshme për shtegtimet, vijuan marshimin drejt relikeve të njërit nga miqtë më të ngushtë të Jezusit, atyre, që e patën shoqëruar gjithkund: nga Mali i Shndërrimit, në Natën e Gjetsmanit.

Nga vitet 1825 deri më 1905 shtegtarët që arrinin në Santiago, u reduktuan pak nga pak, derisa arritën në dhjetë mijë, në vend të 130 mijë vetëve që arrinin zakonisht. Më pas, çka kishte lënë përgjysëm Napoleoni, e përfunduan konfliktet botërore të nëntëqindës, lufta civile spanjolle,  izolimi i Spanjës frankiste. Po flaka e qiriut nuk u shua as prej tyre. U rindez. Epopeja e shtegtimit rifilloi. Rinisi jeta në këto vende takimi miqësie e, sidomos, hiresh, që e mrekullojnë shtegtarin, pa arritur ende tek Portiku i Lumnisë.

Siç dihet, shtegtimi rinisi me shumicë shtegtarësh nga fillmi i viteve ’90 të shekullit të kaluar për shkaqe të ndryshme, jo të gjitha fetare. E kështu, Via Lattea, siç quhet zakonisht, herë mbushet e herë  lehtësohet, por pa u zbrazur kurrë nga shtegtarët. Një udhë, në të cilën dëshira për të parë qiellin  bëhet krejt e thjeshtë, siç është e thjeshtë për shtegtarin ecja hap pas hapi… Çka mbetet, e bën Ai, që  zgjodhi rrugën e zbritjes nga qielli  e eci në udhët e njerëzve, ku “la routine”-  rrota, që rrotullohet rreth vetes, shndërrohet në “route”, rrugë që, në një pikë, të bën të shikosh, krejt papritmas, bukurinë e cakut!

26 korrik 2021, 11:53