Ipeshkvi gjerman i Münster Clemens August von Galen Ipeshkvi gjerman i Münster Clemens August von Galen 

Ipeshkvi, që ngriti zërin kundër Hitlerit

Postulatorja e çështjes së shenjtërimit përshkruan, në Gazetën vatikanase L’Osservatore Romano, portretin e Clemens August von Galen, “Luani i Münsterit”, i cili, me tre predikime të zjarrta iu kundërvu haptazi diktatorit më gjakatar të të gjitha kohëve.

R. SH. - Vatikan

New York Times, në vitin 1942, në kulmin e luftës, botonte një sërë artikujsh kushtuar njerëzve të Kishës, që i kundërviheshin Hitlerit. Më 8 qershor të atij vitit, gazeta amerikane e hapte faqen e parë me titullin: “Churchmen Who Defy Hitler” – “Kleriku, që sfidoi Hitlerin”, e me një artikull kushtuar ipeshkvit gjerman të Münsterit, Clemens August von Galen, për të cilin shkruhej: “Kundërshtari më këmbëngulës i programit nacionalsocialist antikristian”.

Biografi i parë i von Galen, meshtari Heinrich Portmann, pati vërejtur një  koinçidencë: “Galen qeverisi Kishën gjermane si ipeshkëv, aq kohë sa Adolf Hitleri Gjermaninë”.

Clemens August von Galen u shugurua ipeshkëv nëntë muaj pasi mori fuqinë Hitleri dhe vdiq rreth nëntë muaj pas vetëvrasjes (?) së  Führerit. Natyrisht që, kur më 5 shtator 1933 Piu IX e emëroi Clemens Augustin  pasardhës  në katedrën e Shën Ludgerit në Münster, e helmetat prej çeliku  me kryqet e thyer të Raihut III ishin të pranishëm në ceremoninë e  shugurimt të tij, as nëpër mend nuk u shkonte  çfarë sulmesh do t’u vinin nga prealti i Westfalisë, me origjinë aristokratike e me  ndjenja të zjarrta patriotike. Von Galen ishte ipeshkvi i parë, që zgjidhej nën Raich-un e Tretë. I pari pas Reichskonkordatit, nënshkruar nga Selia e Shenjtë më 20 korrik 1933 e një nga ipeshkvijtë gjermanë që jo vetëm i demaskoi pa frikë e vendosmërisht mashtrimet e propagandës së regjimit, por paralajmëroi dhe rrezikun që e kërcënonte Gjermaninë nga kjo ideologji, duke i denoncuer me forcë e publikisht edhe krimet barbare naziste.  

Në tre predket e tij të famshme të verës, tetëdhjetë vjet më parë, iu kundërvu me forcë edhe projektit nazist T4, për zhdukjen e “jetëve pa vlerë”. Nuk na shtyn as lëvdata e as frika nga njerëzit - pati thënë më 1933 duke shpjeguar moton e tij ipeshkvnore, që pati zgjedhur: Nec laudibus nec timor- As lavdet, as kërcënimet”. Domethënë se nuk do ta përkulnin, aq më pak ta thyenin, as lëvdatat e as këcënimet e as vdekja, që asokohe nisi të endej rrugëve të Gjermanisë e të Botës. E kur Gestapoja nisi sulmin e vet gjakatar, gjatë njërit nga predikimet Ipeshkvi guximtar nënvizoi: “Sjellja e Gestapos i dëmton rëndë shtresat kryesore të popullsisë gjermane. Në emër të popullit të ndershëm gjerman, në emër të madhështisë së drejtësisë, në interes të paqes, unë po e ngre zërin, si gjerman, si qytetar, si shërbëtor i fesë katolike e si ipeshkëv katolik. Unë bërtas sot sa më ha zëri: kërkojmë drejtësi!”.

Zëri guximtar, që ngrihej në kupë të qiellit, pari pasoja tejet të rënda. Aq më shumë se kur pritej predku i dytë, Kisha mezi i zuri pjesëmarrësit e shumtë. E Ipeshkvi sypatrembur vijoi t’ia hapte sytë turmës, duke e sqaruar se planet e pushtetarëve do ta çonin vendin drejt mjerimit e rrënimit. E për më tepër, dënoi haptazi qëndrimin që po mbahej ndaj njerëzve të pafajshëm të Kishës, që ndiqeshin si të ishin bisha të egra. Jemi para një marrëzie vrasëse - pati theksuar - duke kujtuar se Hitleri arrinte deri në atë pikë, sa të mbrohej duke përdorur fjalët e Shën Palit. Predikimet patën jehonë të jashtëzakonshme. Papa Piu XII, që e ndiqte me interesim të madh ipeshkvin guximtar, u shpreh kështu për tre predket e tij: “Ipeshkvi e ka zgjedhur mirë çastin për të folur haptazi e me shumë guxim”. E më pas i ftoi gjithë njerëzit e Kishës, të ndiqnin rrugën e zgjedhur prej tij. Letrat e Papës Pacelli vijuan aq, sa tani janë përmbledhur në një  libër, botuar më 2006 nga Botimet San Paolo.

Sot të gjithë ata, që i lexojnë me habi letrat e ipeshkvit guximtar, të cilit nuk iu tut aspak syri, kur iu kundërvu njërit nga diktatorët më mizorë të njerëzimit, i konsiderojnë si “gurë themeli”, që u vunë në bazat e Gjermanisë së Re” . Galen u lumnua nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, më 9 tetor 2003. Tani pritet vetëm mrekullia me ndërmjetësimin e tij, për ta parë në nderimet më të larta të Kishës universale.

Lum ai vend që ka njerëz kaq guximtar, që “Nec laudibus nec timor- As lavdet, as kërcënimet” nuk i pengojnë të hahen sy për sy me forcat e së keqes, që sjellin vetëm shkatërrim, uri, luftë, vdekje. Kishës nuk i kanë munguar kurrë burra të tillë, që na kujtojnë menjëherë, për analogji, Martirët e Kishës Katolike të Shqipërisë.

23 korrik 2021, 16:00