Vangelo della 15 domenica B - il Signore li inviò a due a due Vangelo della 15 domenica B - il Signore li inviò a due a due

Fjala e Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’

Fjala e Zotit e kёsaj sё Diele tё 15-tё ‘B’ na flet për misionin e Apostujve, pёr misionin e ‘të dërguarve’ nga Krishti deri në skajet më të largëta të botës. Si Hyji që thërret Amosin në misionin e profetit duke e shkëputur nga puna e tij si bujk dhe kultivues fushash, kështu Jezusi i thërret apostujt dhe i dërgon në misionin e kumtimit të Lajmit të Mirë të shëlbimit.

R. SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës hyjnore të dielës së 15 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit kishtar.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’

Fjala e Zotit e dielës së 15-të gjatë vitit ‘B’

Fjala e Zotit e kёsaj sё Diele tё 15-tё ‘B’ na flet për misionin e Apostujve, pёr misionin e ‘të dërguarve’ nga Krishti deri në skajet më të largëta të botës. Fakti që Jezusi i thërret disa dishepuj të bashkëpunojnë drejtpërdrejt në mision, flet qartë për dashurinë e Zotit: ai nuk e shpërfill ndihmesën që mund t’i japin njerëzit e tjerë për vënien në jetë të veprës së tij; i njeh kufizimet e tyre, ligështitë e tyre, por nuk i përbuz, madje u jep dinjitetin të jenë të dërguarit e Tij.

Mision ky, që kërkon respektimin e disa rregullave: dishepujt nuk duhet të jenë të dhënë pas parasë e rehatisë, duhet ta kuptojnë mirë se mund të përçmohen e edhe të persekutohen. Ata duhet të flasin në emër të Jezusit, na kujton Ungjilli i Markut, pa u shqetësuar në se do të kenë, apo nuk do të kenë sukses. Ashtu si i ndodh Amosit Profet, pёr çka flet Leximi I, që Zoti e thirri të predikonte kundër paudhësive e padrejtësive e që u dëbua nga prifti Amazia. Po ky dëbim nuk e cenon fare misionin e tij. Ai kishte kundra priftin, por me vete, Hyjin. Prandaj do të vijonte të profetizonte, do të vijonte të predikonte atë, që thotë Zoti, e jo atë që u pëlqen njerëzve. E ky ёshtё dhe mbetet mandati i Kishës: ajo nuk predikon atë, që duan të dëgjojnë njerëzit e pushtetshëm. Kriteri i saj është e vërteta e drejtësia, edhe kur kjo është kundër duartrokitjeve e kundër pushtetit njerëzor.

E në gjestin e shkundjes së pluhurit nga këmbët, përballë njerëzve, që nuk duan ta pranojnë kumtimin, shprehet qartë shkëputja morale e materiale. Është kumtim, u kujton Krishti dishepujve, që duhet shoqëruar gjithnjë me kujdesin për të sëmurët. Jezusi i mjekon të sëmurët në korp e në shpirt. Flet për shërime konkrete nga sëmundjet, e flet edhe për dëbimin e djajve, domethënë për të pastruar mendjen njerëzore, për të pastruar sytë dhe shpirtin e verbuar nga ideologjitë, që nuk të lejojnë të shikosh Zotin, të shikosh tё afërmin, tё shikosh të vërtetën e drejtësinë. Ky shërim i dyfishtë, fizik e shpirtëror, është gjithnjë mandat i dishepujve të Krishtit. Prej këndej, misioni apostolik duhet të përfshijë dy aspekte: të predikojë Fjalën e Zotit dhe ta bëjë të dukshme mirësinë e tij me gjeste të dashurisë së krishterë, me shërbim e përkushtim.

Ungjilli i kёsaj sё diele na flet  pikërisht pёr impenjimin e Krishtit me dishepujt, të cilët i mësoi, i përgatiti, i formoi edhe përmes praktikës misionare, që të ishin, pastaj, në gjendje të merrnin mbi vete barrën e rëndë apostolike të Kishës. Prandaj sot Zoti i thërret të gjithë: prindërit, famullitarët, besimtarët laikë më kёtё mision tё vёshtirё e tё rёndёsishёm, me dhanti e detyra të ndryshme. Njëri thirret për të kryer misionin meshtarak; tjetri, atë rregulltar e një tjetër akoma, atë familjar e shoqёror. Zoti thërret: duhet ta dëgjojmë, ta mirëpresim, t’i përgjigjemi. Si Maria: ‘Ja, u bëftë mbi mua sipas fjalës sate’. Prej këndej, ftesa për impenjim misionar.

                                        Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi I Am 7, 12-15
Profeti Amos denoncon hipokrizinë e priftërinjve që qëndrojnë në shenjtore dhe mendjemadhësinë e të fuqishmëve, të cilët kërkojnë në çdo mënyrë që ta largojnë nga vendet e tyre. Amosi u përgjigjet atyre duke thënë që Hyji e ka detyruar të largohet nga një zanat i qetë dhe nga një mjedis i rehatshëm për tu bërë profet. Kështu profeti zbulon që fjala e Hyjit është sovrane dhe e lirë.

Lexim prej Librit të Amosit profet
Në ato ditë, prifti i Betelit Amasia i tha Amosit: “Shporru, o vegimtar! Ik në dheun e Judesë. Atje ha bukë e atje profetizo! Sa për në Betel mos guxo më të profetizosh, sepse kjo është shenjtërorja e mbretit e tempulli i mbretërisë!” Atëherë Amosi i përgjigji Amasisë: “Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari e vjelës fiqsh. Por vetë Zoti më mori prej pas dhenve e më tha Zotynë: ‘Shko e profetizoi popullit tim, Izraelit!’ Tash dëgjoje fjalën e Zotit: Ti po thua: ‘Mos profetizo kundër Izraelit e mos prediko kundër shtëpisë së Izakut!’ Po për këtë arsye kështu thotë Zoti: ‘Gruaja jote do të bëhet lavire në qytet, prej shpatës do të bien bijtë e bijat e tua, toka jote me konop do të ndahet, kurse ti do të vdesësh në vend të papastër dhe Izraeli do të shkojë nga vendi i vet në skllavëri’.” Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 85
Tregoje, o Zot, fytyrën e dashurisë sate

Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj,
ai premton paqe për popullin e vet,
për të dashurit e vet e për ata që me gjithë zemër ktehen. 
Shpëtimi i tij është afër atyre që e druajnë,
lavdia e tij do të banojë në vendin tonë.

Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen,
drejtësia e paqja do të merren ngrykë.
E vërteta do të mbijë nga toka
e drejtësia do të shikojë prej qiellit.

Sepse Zoti ka për të dhënë çdo të mirë
edhe toka jonë do ta japë frytin e vet.
Drejtësia do t’i shkojë përpara
dhe do t’u tregojë udhën hapave të tij.

Leximi II Ef 1,3-14)
Hyji ka një plan për universin dhe historinë e njerëzve. Ka krijuar botën për ne, dhe historia jonë ecën drejt plotësisë së Krishtit. Jezu Krishti është Ai që ka vdekur për tu ringjallur. Edhe ne jemi të thirrur për të marrë pjesë në këtë plan vdekjeje dhe ringjalljeje.

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Në Të, në saje të gjakut të tij, e fituam shpërblimin; në Të na u falën fajet me anë të begatisë së hirit të tij, të cilin Hyji e ndikoi në ne bashkë me çdo urti e kuptim. Ai na vuri në dijeni mbi misterin e vullnetit të vet – synim që lirisht kishte vendosur qysh më parë ta kryente në Të – kur të plotësohej koha: domethënë të vërë çdo gjë nën kryesinë e Krishtit, të gjithë qeniet që janë në qiell e në tokë. Në të edhe ne u bëmë trashëgimtarë – të paracaktuar me vendim të Atij që vepron gjithçka sipas pëlqimit të vullnetit të vet – të jemi në nder të lavdisë së tij – ne qëqysh më parë e vuam shpresën në Krishtin. Po në Të edhe ju që e dëgjuat fjalën e së vërtetës – Ungjillin e shëlbimit tuaj – mbasi besuat në Të, u vulosët me Shpirtin Shenjt – të Premtuarin – që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit – në nder të lavdisë së tij.  Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Pranojeni fjalën e Zotit jo si fjalë njerëzish, 
por ashtu si në të vërtetë është fjala e Hyjit.
Aleluja.

Ungjilli Mk 6, 7-13

Krishti i ngarkon apostujt me detyrën për të bashkuar popullin e të shpëtuarve. Ata përshkojnë rrugët e njerëzve me zjarrin e besimit duke zotëruar si mjet shparndarjeje vetëm fjalën e Hyjit. Fjala e pranuar dhe e shpërndarë nga apostujt bëhet farë shprese dhe shpëtimi për botën mbarë. 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i thirri të dymbëdhjetët e nisi t’i dërgoi dy nga dy dhe u dha pushtet mbi shpirtrat e ndytë. U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka. Dhe u thoshte: “Kudo që të hyni në ndonjë shtëpi, rrini aty derisa të mos largoheni nga ai vend. Po qe se ndokund nuk ju pranojnë dhe nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.” Ata shkuan dhe u predikuan njerëzve kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.  Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci, famullitar në Rranxa-Bushat,  krydioqeza e Shkodër-Pultit:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XV GJATË VITIT: U URDHËROI TË MOS MERRNIN ME VETE ASGJË DHE U DHA PUSHTET.

(Am 7, 12-15; Ps 85 (84); Ef 1, 3-14; Mk 6, 7-13)

Në Ungjillin e sotëm, flitet për dërgimin që Jezusi u bën apostujve të Tij në një mision rreth të cilit ai i mëson mirë se çfarë duhet të bëjnë dhe u jep edhe pushtetin e mrekullive.

Fjala «apostull» do të thotë «i dërguar». Pra, ata që Jezusi i kishte mbledhur rreth vetes, tani i dërgon të predikojnë nëpër Izrael. Më vonë do t’i dërgonte në mbarë botën.

Porositë apo më saktë urdhrat  që Jezusi u jep («U urdhëroi», thotë Ungjilli), të bëjnë të mbash frymën: «U urdhëroi të mos marrin në udhëtim asgjë tjetër, përveç shkopit: as bukë, as strajcë, as para bakri në brez, por të mbathnin vetëm sandalet e të mos veshin dy palë petka.»

Duhet të kemi shumë kujdes në kuptimin e kësaj pjesë, sepse bëhet fjalë për disa kërkesa që Jezusi ua bën apostujve vetëm për atë mision të caktuar që po u besonte e nuk do të thotë se një gjë të tillë Jezusi ua kërkon të gjithë të krishterëve. Qëllimi i Jezusit ishte që t’i mësonte apostujt të lëshoheshin krejtësisht në duart e Tij, që më pas të mos mendonin se suksesi i misionit të tyre ishte fryt i ndonjë gjëje tjetër, por ta shihnin se ishte vetëm fryt i forcës së Hirit Hyjnor. Një lëshim i tillë në duart e Zotit, është ajo çka u kërkohet të gjithë të krishterëve të të gjitha kohëve.

Por le të hyjmë pak më thellë në këtë pjesë të Ungjillit e, prej saj, të shohim edhe pjesën tjetër të Shkrimit të Shenjtë që sot na është shpallur.

Jezusi i nis apostujt «dy nga dy». Kjo sepse, për të dashur vërtet, duhen të paktën dy veta. Duhej të ishte pikërisht dashuria e ndërsjelltë e tyre ajo që duhej “të predikonte” më së miri.

Në jetën e Shën Françeskut të Asizit tregohet se një herë ai u tha disa fretërve të vet se atë ditë do të dilnin të predikonin nëpër Asizi. Dolën dhe nisën të silleshin nëpër rrugët e qytetit. Fretërit prisnin se kur Fra Françesku do të ndalej e do të fillonte predikimin, por ai vazdonte të ecte. Pasi u sollën shumë nëpër qytet, u kthyen sërish në banesën nga ku ishin nisur. Të habitur, fretërit e pyetën atin e tyre: «Fra Françesk, përse nuk predikuam?» E ai u përgjigj: «Po, ne predikuam. Duke na parë së bashku, u shpallëm njerëzve dashurinë vëllazërore.»

T’i kthehemi Ungjillit. Jezusi vazhdon pastaj me ato kërkesat rrënjësore që përmendëm më sipër: nuk duhej të merrnin asgjë, përveç shkopit, sandaleve dhe një palë petka.

Në fakt, është gjithnjë e vërtetë se valixhet e tepërta na bëhen pengesë për ndjekjen e Jezusit. Sa shumë valixhe kemi? Sa shumë pretendime? Sa shumë llogari? Sa shumë lidhje afektive? Aq shumë, sa na bëjnë të palëvizshëm! Por Jezusi kërkon njerëz të lirë në shpirt. Të tjerët më mirë le të kthehen andej nga kanë ardhur.

Shën Filip Neri e kishte kuptuar shumë mirë këtë kur thoshte: «Me jepni dhjetë njerëz të shkëputur nga vetvetja, dhe me ta do të shpëtoj botën.» Ai që lëshohet krejtësisht në duart e Hyjit, i çmon ato duar si të mirën më të madhe, si të vetmen siguri, edhe atëherë kur “llogaritjet” e tij i parashikojnë të kundërtën.

Në leximin e parë, na tregohet edhe një lloj tjetër lëshimi në duart e Zotit që i kërkohet besimtarit: profeti Amos, një njeri shumë i thjeshtë («Nuk jam profet as s’jam bir profeti, por jam bari dhe vjelës fiqsh»), shkoi të profetizonte në Betel. Por praninë e tij në Betel nuk e donin. Prandaj i thanë: «Shporru, o vegimtar!» Nuk donin ta dëgjonin fjalën e tij në atë qytet, por profeti, gjithsesi, profetizon kundër këtij qyteti që ishte larguar nga Besëlidhja me Zotin.

Atij që lëshohet në duar e Zotit, i duhet ta përgatisë shpirtin e vet edhe për kundërshtimin e njerëzve, shpesh edhe nga ata të cilët mendohej se janë të hapur ndaj së vërtetës e ndaj Fjalës së Zotit. Prandaj edhe Jezusi i përgatit apostujt që të mos ligështohen nëqoftëse ndokush i refuzon. Mandje u thotë: «Po qe se ndokund nuk ju dëgjojnë, dilni dhe shkundni pluhurin nga këmbët tuaja si dëshmi kundër tyre.» Jezusi i fton apostujt që të kenë një «krenari të shenjtë» për atë që janë të thirrur të bëjnë. Duhet të besojnë se, «Mbretëria e Hyjit» të cilën janë duke shpallur, ka në vetvete një dinjitet aq të lartë, saqë i tejkalon të gjitha filozofitë e justifikimet e stërholluara që ndokush mund të përdor për ta refuzuar Atë.

Në leximin e dytë, Shën Pali e shpreh me fjalë tejet të bukura e solemne këtë krenari të shenjtë që ndien në shpirt për vete e për të gjithë të krishterët. Do të ishte dashur ta lexonim edhe një herë të tërën këtë pjesë të bukur, kaq nota ëmbëlsie ka në vetvete, por po shkëpusim vetëm disa fjalë: «Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin... Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit.»

Në një biografi shumë të hershme për disa martirë të Kishës, thuhet se, kur i kishin futur në arenën e një amfiteatri, ku do të pësonin martirizimin, e gjithë turma përreth i përqeshte duke i quajtur «të krishterë». Por biografi i hershëm komenton: «Por për ata, të qenit të krishterë, ishte arsye krenarie.» Me këtë frymë e përballuan martirizimin.

T’i kthehemi edhe një herë këmbënguljes së Jezusit që apostujt e Tij të nisen pa pasur asgjë me vete, sepse ka aty edhe diçka tjetër shumë të thellë.

Jezusi nuk u kërkon apostujve vetëm që të vërtetonin se është e mundur t’i besohesh Provanisë Hyjnore, por edhe që të bëheshin ata vetë një «provokim» për pasanikët.

Nëse do të ndodhte që apostujt të mos ktheheshin gjallë, kjo do të ishte edhe për faj të bashkësisë së Izraelit që nuk e kishte përvetësuar ende Fjalën e Zotit të vet. Në librin e Levitikut, ku rreshtohen një seri normash për Izraelin, thuhet: «Kur të korrësh prodhimet e tokës sate, mos e korr deri në skajin e arës sate dhe mos i mblidh kallinjtë që kanë rënë. Kështu as në vreshtin tënd mos i mblidh vilet dhe kokrrat e rëna, por lëri t’i mbledhin skamnorët dhe udhëtarët.» (19, 9-10) Pra, u kërkonte të mendonin për të varfrit.

I varfëri ishte provokim i ndërgjegjes së të pasurit. Kështu duhej të ishin edhe apostujt. Një mision shumë i vështirë ky, por dashuria për Jezusin i shtyn që ta pranojnë edhe këtë “sfidë”: pranojnë të bëhen «të vegjël», që kështu të provokonin «të mëdhenjtë» e kësaj bote.

Ky është, në fakt, misioni i Kishës: Ajo është e thirrur të jetë gjithnjë shenjë provokimi për të pasurit e kësaj bote dhe mund ta bëjë këtë duke pranuar mbi veten e saj varfërinë.

Varfëri nuk do të thotë mjerim, por heqje dorë nga ajo që është e tepërt në jetë. Kështu Kisha i dëshmon botës se mund të jetohet hareshëm edhe pa disa gjëra të tepërta dhe e fton atë që t’i hedhë sytë nga ata që nuk kanë as bukën e përditshme.

Papa Françesku prandaj ka thënë: «Sa do të doja një Kishë të varfër, për të varfrit!», sepse kështu Kisha vihet realisht në shërbim të të varfërve dhe, njëkohësisht, shndërrohet në “provokim” të ndërgjegjeve të të pasurve.

Nuk është pasuri e tepruar kur ke një vend pune, kur ke një apo dy shtëpi, kur ke rroba të hijshme e mundësi që të festosh herë pas here, por pasuri e tepruar është atëherë kur ato para i ke siguruar në rrugë të pandershme, kur ndërton apo blen shtëpi thjesht sa për të ndërruar vend, kur e mobilon shtëpinë thjesht ngaqë u doli moda mobiljeve të vjetshme apo kur veshjet i blen thjesht për të bërë koleksione. Është bërë e modës tashmë edhe që të udhëtohet nëpër botë pa vënë re se sa shpenzohet. Madje tashmë nuk është më ëndërr as të mendosh një shëtitje disa orëshe edhe jashtë orbitës tokësore. Nuk mendohet fort se sa të mirat mund të bëheshin me ato para të shpenzuara kot.

Deri diku ka pasur të drejtë ndokush kur ka shkruar: «Njeriu nuk ka para për të furnizuar me ujë zonat e thata të planetit tonë, por ka mjaftueshëm para për të kërkuar ujë në planete të tjera. Pyetja, atëherë, është: A ka forma jete inteligjente në tokë?» Patjetër se ata njerëz që, me shumë pasion e guxim, i përkushtohen kërkimit shkencor, meritojnë tërë mirënjohjen e respektin tonë, ngaqë i gjithë njerëzimi ka përfituar shumë prej tyre, por, nga ata që e kanë në dorë të bëjnë politika mirëqenieje, ishte dashur të dëgjohej edhe britma urgjente e atyre që po vdesin urie e etjeje çdo ditë.

I varfëri i provokon ata dhe është turpi i tyre. Jo në kuptimin që jemi të prirur ta mendojmë ne, por në një kuptim tjetër. Nëse, përshembull, në një bashkësi (lagje, fshat, qytet, shtet, etj.) ka njerëz që nuk sigurojnë as minimalen e që vdesin urie, kjo ishte dashur ta bënte të turpërohej atë që ka tepër. Në këtë rast, pasanikut i duhet të ndajë diçka në një anë për këta të varfër, sikurse edhe izraelitëve u duhej të mendonin për të varfrin e të huajin kur të mblidhnin të korrat e veta.

Pjesa e sotme Ungjillore përfundon duke thënë se apostujt «shkuan dhe predikuan kthimin kah Hyji. Dëbonin shumë djaj, lyenin me vaj shumë të sëmurë dhe i shëronin.» Të varfër siç ishin, po mbushnin me hare gjithkënd që i pranonte me fe. Njëkohësisht edhe «provokonin» ndërgjegjet egoiste që mund të takonin. E mrekullitë që po bëheshin përmes tyre, ishin shenja të gjalla të Dikujt tjetër që tashmë e kishte mbushur botën me gëzimin e tij: ishin shenja të Jezu Krishtit, në të cilin Ati i amshuar po i bekonte «me çdo bekim shpirtëror» ata që e pranonin me besim ardhjen e Tij.

 

Dom Dritan Ndoci

10 korrik 2021, 10:45