Shën Maria Madalenë Shën Maria Madalenë

Çelësi i fjalëve të Kishës: dishepulli i Krishtit

Sot kremtohet festa liturgjike e Shën Marisë Magdalenë, dishepulle e Krishtit. Kjo e kremte është relativisht e re. Me dëshirën e Papës Françesku, më 3 qershor 2016, në Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve publikoi një dekret, me të cilin e kremtja e shën Marisë Madalenë u lartua nga niveli i përkujtimit të detyrueshëm në festë liturgjike. Por ç’do të thotë të jesh dishepull i Krishtit, si shën Maria Magdalenë? E përcakton vetë Jezusi...

R.SH. - Vatikan

Shën Marku ungjilltar e përfundon udhëtimin e Jezu Krishtit dhe të dishepujve për në Jeruzalem, me takimin e fundit të Jezusit, i cili gjendet para një të verbëri pa shtëpi, që kutërbonte erë të keqe e varfëri. Pikërisht ai bëhet imazhi i njeriut të vetëm, që në Ungjill, bashkon fenë e vet me ndjekjen e gjurmëve të Krishtit. Ky është dishepulli i përsosur:

“Kur Jezusi po dilte prej Jerihonit bashkë me nxënës e me një turmë të madhe populli, biri i Timeut, Bartimeu i verbër, rrinte në anë të rrugës e lypte. Posa mori vesh se ishte Jezusi Nazarenas, filloi të bërtiste: “Jezus, Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Shumëkush e qortonte të heshtte, porse ai bërtiste edhe më fort: “Biri i Davidit, ki mëshirë për mua!” Jezusi zuri vend e tha: “Thirreni!” Ata i bënë zë të verbërit dhe i thanë: “Mos u tremb! Çohu se po të thërret!” I verbëri hodhi mantelin e vet, menjëherë u ngrit dhe shkoi te Jezusi. Jezusi e pyeti: “Çka dëshiron të bëj për ty?” “Rabbuni! Të shoh!” ‑ u përgjigj i verbëri. Jezusi i tha: “Shko lirisht! Feja jote të shpëtoi!” Dhe aty për aty pa e u vu të udhëtojë pas Jezusit” (Mk 10,46-53).

Është feja, besimi në Jezusin, që i bën njerëzit nxënës të tij. Dishepujt apo nxënësit e Krishtit nuk e kanë të lehtë ta ndjekin. Vërtet, gjatë Mundimeve, ndërsa farisenjtë, skribët dhe meshtarët vënë në zbatim manovrën e tyre për të eliminuar galileasin, shën Marku ungjilltar nënvizon pa mëshirë:

“Atëherë të gjithë nxënësit e lanë dhe ikën” (Mk 14,50).

E, çka ndodh në kryq është e pakonceptueshme. Krishti, Biri i Zotit, braktiset nga të gjithë, madje, edhe nga Hyji i vet:

 “ Kur u bë ora gjashtë errësira e mbuloi mbarë dheun deri në orën nëntë. Në orën nëntë Jezusi lëshoi një gjëmë të madhe: “Eloi, Eloi, lema sabahthani?” Që përkthehet: “Hyji im, Hyji im, përse hoqe dorë prej meje?” Disa prej atyre që ishin pranë, kur e dëgjuan, thanë: “Ja, po thërret Elinë!” Njëri prej tyre u lëshua me vrap, e lagu shpuzën në ‘uthull’, e vuri në kallam, ia dha ta ‘pijë’ duke thënë: “Lëreni të shohim pale a po vjen Elia ta ulë nga kryqi!” Jezusi lëshoi një britmë të madhe ‑ e dha shpirt” (Mk 15,33-37).

E kur dishepujt e braktisin, paradoksalisht, besojma e fesë vihet në gojën e një centurioni romak:

“…perdja e Tempullit u nda më dysh prej majës e deri në fund. Centurioni që rrinte përballë Jezusit, kur pa se si i doli shpirti, tha: “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri i Hyjit!”” (Mk 15,38-39).

Shën Marku ungjilltar na tregon si është vërtet Jezusi e si duhet ta ndjekin dishepujt e tij. Jezusi është gjithnjë në lëvizje, gjithnjë me ngut.  E, për udhë, thërret edhe dishepujt e vet, që i përgjigjen thirrjes, gjithnjë me ngut:

“Ndërsa po kalonte bregut të Detit të Galilesë, Jezusi pa Simonin e Andreun, të vëllanë e Simonit, duke gjuajtur peshk ‑ ishin peshkatarë. Jezusi u tha: “Ejani pas meje e do t’ju bëj peshkatarë njerëzish!” Ata, aty për aty, i lanë rrjetat e shkuan pas tij” (Mk 1,16-20).

Ritmi është tepër i shpejtë e dishepujt do të kishin dashur të ndaleshin pak, t’i shijonin çastet që po përjetonin, por nuk ka kohë; Jezusi ka gjithnjë urgjencë, është i vendosur, impulsiv gati, sepse e di ç’e pret. E dishepujt duhet të jenë gjithnjë gati për ta ndjekur si atëherë, ashtu edhe sot, duke e dëshmuar. Vetë Krishti, siç thuhet në kapitullin 28 të Ungjillit sipas Mateut, i porosit të vetët: “Shkoni e bëni dishepuj (nxënës) të mi të gjithë popujt”. Jo më kot, pikërisht kjo shprehje ishte tema e Ditës së 28-të Botërore të Rinisë, që u mbajt si sot, nga 22 deri më 29 korrik 2013, në Rio-de-Zhanejro, udhëtimi i parë apostolik ndërkombëtar i Papës Françesku.

22 korrik 2021, 10:20