Laboratori artizanal Piccirillo Handcraft Center , nëdi Betlehem Laboratori artizanal Piccirillo Handcraft Center , nëdi Betlehem 

Brishtësi e shpresë: përvoja e Picirillo Handcraft Center

Betlehemi, ku 90% e familjeve jetojnë me turizmin fetar, e vuajti më shumë se asnjë qytet tjetër lockdown, por e ruajti laboratorin për fëmijët me kufizime, që vijon të shesë, me komision, objekte tradicionale artizanale. Një përvojë që i jep bukë shumëkujt, shembull për të gjithë, siç na tregojnë atë Faltas dhe Samer Barboun, drejtor i Picirillo Handcraft Center.

R. SH. - Vatikan

“Betlehemi është  qyteti, që vuajti më shumë nga Covid në Tokën Shenjte:  90% e familjeve punojnë për turizmin fetar”. Këtë pohon atë Ibrahim Faltas, françeskan i Rojtarisë së Tokës Shenjte, drejtor i shkollave, por edhe i strukturës së strehimit të françeskanëve, “Casanova” në Jeruzalem.

Por, ta dëgjojmë rrëfimin e fratit Faltas:

“Atë Faltas shpjegon se shumica e familjeve të Betlehemit nuk mund t’i përballojë shpenzimet për jetesë e se nevojat janë të papërballueshme. Rrëfen se françeskanët kanë bërë çmos të ndihmojnë sa më shumë njerëz,  duke u siguruar pako ushqimore e ndihma të tjera për shpenzimet e pafund që ka çdo shtëpi. Në fillim - kujton frati - njerëzit shpenzuan gjithë ç’kishin kursyer, më pas erdhën ca ndihma, por tani - vëren - e vetmja mënyrë për t’u dhënë shpresë banorëve të kësaj toke, do të ishte rifillimi i turizmit fetar. Prandaj arritja e grupit të parë të italianëve, të shoqëruar nga Vepra Romake e Shtegtimeve e dioqezës së Romës, ishte, për atin Faltas, “sinjal shprese për një popullsi, që po e humbet durimin”. Françeskani nuk e fsheh se problemit të Covid i shtohen një mori problemesh të tjera, ndërmjet të cilave, tensionet ndërmjet izraelitëve e palestinezëve.

Një burim jete, dhuratë nga më të ligshtit

Në traditën e qytetit, ku lindi Krishti, ka shumë artizanat lokal. Këtu përsëriet në miniaturë, ngjarja e madhe, që e bëri të madh, edhe Betlehemin e  vogël. Punohen Shpella Betlehemi e Foshnje Hyjnore prej  druri të ullirit. Dyqanet janë plot, sepse gjatë pandemisë askush nuk u ndalua të blinte diçka! Të paktën, “për sevap”! Por kohët e fundit françeskanët, me nismën e atë Michele Piccirillos, në prag të vitit 2000,  shpluhëruan një traditë tjetër të lashtë: atë të punimit të guaskave të detit, njëherësh me drurin e ullirit dhe me qeramikën. Atë Piccirillos, që ndërroi jetë para përurimit, i kushtohet  laboratori “Piccirillo Handcraft Center”, i lindur për ta nxjerrë rishtas në dritë këtë art të lashtë. Është laborator  artizanal, që u krijon mundësinë për të punuar, atyre që nuk kanë punë, njerëzve me kufizime e varfanjakëve, që jetojnë në skutat e shoqërisë.

Folëm, për këtë, edhe me Samer Barboun, drejtor aktual i Qendrës:

“Barboun tregon se krijimet nuk i shesin në dyqanet e Betlehemit, për të mos  dëmtuar familjet e tregtarëve të vegjël vendas, që jetojnë me shitjen e prodhimeve të artizanatit fetar. Punohet me komision. Prej këndej, edhe gjatë lockdown puna vijoi. Nga rruzaret, tek kelket e Meshës, nga zbukurimet për bredhat e vitit të ri, tek kryqet e të gjitha formave e përmasve: janë prodhime të realizuara në dy katet e kuvendit françeskan të Betlehemit, përshtatur për makinat dhe materialet, ashtu si për shumë të rinj, që  kufizmet nuk i pengojnë aspak të xjerrin nga duart kryevepra të vogla. Çdo vit - tregon Samer Barboun, që sapo i ka mbushur 40 vjet - mjeshtrat artizanë krijojnë kryevepra të vogla, me aftësinë e tyre.  Laboratori  u jep punë të përhershme rreth 25 familjeve e, të përkohshme, rreth 40 të tjerave, që punojnë edhe nëpër shtëpitë e tyre. Aktualisht - pohon - janë 100 vetë që punojnë rregullisht. Kalimi nga asistenca - në punë të rregullt, është sfida kryesore e banorëve të Betlehemit sot.

09 korrik 2021, 12:30