Sacro Cuore di Gesù Cristo Sacro Cuore di Gesù Cristo

Zemra e Krishtit, pohon se dashuria e krishterë është konkrete

R.SH. - Vatikan

Të premten e ardhshme më 11 qershor Kisha katolike romake kremton festën e Zemrës së Krishtit. Pikërisht duke u frymëzuar nga kjo e kremte edhe muaji qershor, për besimtarët katolikë, lidhet tradicionalisht me devocionin ndaj Zemrës së Krishtit.

Duke kujtuar festën e ardhshme të Zemrës së Krishtit, Papa i ftoj sot, në përfundim të audiencës së përgjithshme në Vatikan,  të gjithë "ta shikojnë me besim të plotë Zemrën  e Jezusit e të përsërisin shpesh, posaçërisht gjatë muajit qershor, Rruzaren tradicionale të Zemrës së Hyjnueshme". Ati i Shenjtë Bergoglio i nxiti besimtarët të mos kumtojnë një krishterim pa mish e pa gjak, pa vepra, që nuk është në gjendje ta prekë njeriun drejt e në shpirt. Zemra e Krishtit nuk është simbol i trilluar; dashuria e Jezusit është jetë, që të ngjall nga të vdekurit. Kështu u shpreh Papa gjatё lutjes sё Engjёllit Tёnzot, mё 9 qershor 2013 në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan.

Devocion ndaj Zemrёs sё Shenjtnueshme tё Krishtit filloi atë çast kur një ushtar romak ngulte heshtën e tij në brinjët e Jezusit mbi kryq, duke hapur një plagë nga e cila gurroi gjak e ujë, gurroi dashuria plot mëshirë e Hyjit. Është një dashuri shumë konkrete, pikërisht sepse Zoti u mishërua, u bë njeri.

Zemra e Krishtit shprehje e lartë e dashurisë hyjnore

Zemra e Shenjtnueshme e Jezu Krishtit është shprehja më e lartë njerëzore e dashurisë hyjnore, e festa e Zemrës së Krishtit, që kremtohet këtë të premte, i jep tonin të gjitha ditëve të muajit qershor. Përshpirtëria popullore i vlerëson shumë simbolet, e Zemra e Jezu Krishtit simbolizon vetë mëshirën e Hyjit. E sipas Papës “Zemra e Krishtit nuk është ndonjë simbol i trilluar, është simbol i vërtetë, përfaqëson qendrën, burimin prej nga gurron shëlbimi për mbarë njerëzimin”. 

Devocioni për Zemrën e Krishtit, më tepër se devocion, është përshpirtëri. Është simbol që na tregon se Zoti është dashuri, se Zoti, siç ka thënë Papa Shën Gjon Pali II në një nga enciklikat e veta më të bukura, është i pasur me mëshirë. Ky, në një botë kaq të munduar nga urrejtjet e konfliktet, është mesazh tepër aktual e jashtëzakonisht ndërtimtar.

Lindja e këtij devocion

Shumëkush mendon se devocioni për Zemrën e Krishtit lindi në gjysmën e dytë të gjashtëqindës në Parei-le Monial, përmes veprimtarisë së Shën Margeritës Maria Alakok. Dhe është e vërtetë që kjo mistike dha një ndihmesë themelore për përhapjen e devocionit të Zemrës së Krishtit, së bashku me Shën Klaudin de La Colombierë. Por edhe para saj, Shën Katerina nga Siena si dhe mistikët fiamingë, patën folur për Zemrën e Krishtit, provuan përvojën e pranisë së kësaj Zemre Hyjnore dhe ia përcollën këtë përvojë njerëzimit me fjalë mahnitëse.

Po Kisha na mëson se rrënja e devocionit të përshpirtërisë së Zemrës së Krishtit është në Ungjillin e Gjonit, e pikërisht në skenën, në të cilën një ushtar romak, pas kryqëzimit e vdekjes së Jezusit, kur Krishti ishte akoma në kryq, e shporoi me heshtë, duke ia çarë kraharorin e duke hapur kështu një dritare mbi Zemrën e Birit të mishëruar të Hyjit. Fragmente të ndryshme ungjillore nënvizojnë se nga Zemra e Jezusit buron falja dhe jeta, për të gjithë njerëzit. Prandaj, mëshira e Jezusit nuk është vetëm ndjenjë, është edhe forcë, forcë, që jep jetë, që e ringjall njeriun.

Dashuria për të afërmin impenjim konkret

Kisha na fton të zbulojmë bukurinë dhe gëzimin e fesë, duke na treguar edhe rrugën: veprat konkrete, duke na nxitur ta dëshmojnë me guxim Ungjillin para botës së sotme, duke u çuar shpresën të varfërve, të vuajturve, të braktisurve, të dëshpëruarve, atyre që kanë etje për lirinë, për të vërtetën, për paqen.

Duke i bërë mirë të afërmit e duke punuar për të mirën e përbashkët, ne dëshmojmë se Zoti është dashuri.  Na e thotë kёtё edhe Jezu Krishti, nga zemra e shporuar e të cilit shpërthen dashuria e Zotit.

09 qershor 2021, 11:54