Relikja e Shën Gjon Pagëzuesit në Firence Relikja e Shën Gjon Pagëzuesit në Firence

Zbulohet në Firence një relike e lashtë e Gjon Pagëzuesit

Konsiderohej e humbur pas një përmbytjeje në vitin 1557. Zbulimi u bë pas analizës së një relikuari, ku ndodhen 11 kocka shenjtorësh. Kardinali Betori: homazh për kujtesën e Kishës

R.SH. - Vatikan

Do të ekspozohet për herë të parë më 24 qershor, në katedralen e Firences, me rastin e së kremtes së Shenjtit Pajtor, relikja e çmuar e Shën Gjon Pagëzuesit, që u identifikua kohët e fundit si autentike. Është fjala për një kockë nga qafa e kushëririt të Jezu Krishtit. Fillimisht, mbahej në një relikuar të veçantë, që pati humbur a dëmtuar e shkrirë, pas përmbytjes së vitit 1557. Më pas, së bashku me 11 fragmente të tjera kockash të shenjtorëve, u vendos në Relikuarin e Shën Simeonit të shekullit XIV - XV.

Historia dhe restaurimi i relikes

         Historia e këtyre fragmenteve karakterizohet nga ngjarje të ndryshme. Fillimisht, ato i përkisnin perandorit bizantin Gjoni VI Cantacuzeno, që jetoi në periudhën 1292-1383, u detyrua të abdikonte dhe u bë murg në vitin 1357. Në epokat e mëvonshme, grupi i relikeve kaloi nga duart e një anëtari të familjes fisnike fiorentine Torregiani në Spitalin “Santa Maria della Scala” në Sienë, për të përfunduar në Baptisterin e Firences, ku mbeti deri në vitin 1700.

         Kohët e fundit, pasi iu nënshtrua një restaurimi të porositur nga kryeipeshkvi i Firences, kardinali Giuseppe Betori, relikja e Shën Gjon Pagëzuesit u bë objekt i një studimi të kujdesshëm, që synonte t'i nxirrte në pah vërtetësinë. Siguria u arrit nga prania e inicialeve të shenjtorit, shkruar me shkronja greke drejtpërdrejt në kockë me bojë të zezë, si edhe nga një mbishkrim i imtë në greqishten e lashtë, gdhendur në kornizën prej argjendi të praruar, vendosur në majën e vertebrës, ku lexohet “Relikja e Shën Gjonit Pararendës”.

Dëshmia se “i përket Krishtit”

         Zbulimi i jashtëzakonshëm u bë nga diakoni i katedrales, njëkohësisht, zv.drejtor i  Zyrës Dioqezane për Artin Kishtar, Alessandro Bicchi, që për vite me radhë ka studiuar reliket e katedrales. “Nderimi i trupit të shenjtorëve, ose i një pjese të tyre - shpjegon ai - na kujton se, megjithë dobësinë njerëzore, ata kanë dëshmuar në mënyrë të jashtëzakonshme forcën dhe dhembshurinë e përkatësisë në Krishtin. Relikja u jep besimtarëve mundësinë të vihen në kontakt me shenjtin e nderuar, të cilit i luten, duke e bërë të prekshme fuqinë e mistershme të çdo gjëje të shenjtë”.

         “Ky zbulim nxjerr në dritë dhe ia rikthen historisë së kultit të besimtarëve të Kishës Katolike reliken e shquar të Gjon Pagëzuesit - komenton kryeipeshkvi, kardinali Giuseppe Betori – sidomos, ua kthen besimtarëve, që u përkasin Kishave motra të Lindjes, të cilët me entuziazëm vizitojnë Duomon dhe vendet e tjera të kultit në Firence, për të nderuar kujtimin e Kishës para skizmës dhe për të admiruar veprat e panumërta të artit, që kultura e krishterë ka prodhuar gjatë shekujve”.

Pas kremtimit të 24 qershorit, fragmenti do të ruhet në katedrale, në një relikuar të shekullit XIX, dhuratë nga një besimtar.

22 qershor 2021, 15:51