I Lumi Anton Zogaj, meshtar martir I Lumi Anton Zogaj, meshtar martir

“Takim me martirët”: i Lumi dom Anton Zogaj

Gjatë hetuesisë e torturuan shtazarisht, duke i kërkuar edhe që të tregonte sekretin e rrëfimit, gjë që dom Anton Zogaj nuk e bëri asnjëherë. Një dëshmitar Vlash Curri, dëshmon se në atë periudhë një herë i kërkoi një të riu që punonte me të, Agimit, i biri i një rojeje të burgut, që ta pyeste të atin për dom Antonin. I ati i tha: nuk kam parë kurrë një njeri që i ka përballuar me një forcë të tillë e me po aq guxim torturat e tmerrshme që ka pësuar.

R.SH. - Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”, e sot nё pjesën e 6-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Anton Zogaj, meshtar martir nga Kthella e Mirditёs. Po ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona...

Ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona.

N. 6 I Lumi Anton Zogaj, meshtar martir

Po rikujtojmë sot të Lumin meshtarin martir Anton Zogaj nga Kthella e Mirditës. Dom Zogaj lindi në Kthellë në korrikun e vitit 1908 dhe u rrit në Gjakovë. Në moshën 12 vjeç hyri në Seminarin Papnor në Shkodër, për të realizuar thirrjen e tij meshtarake, thirrje që e kishte ndier qysh në moshë të njomë. U angazhua shumë për formimin e tij shpirtëror e kulturor. Më pas dy vitet e fundit të Seminarit i kaloi në Austri. Ditën e Zojës së Këshillit të Mirë, pra me 26 prill të vitit 1932, shugurohet meshtar dhe në shtatorin e atij viti emërohet në famullinë e Shna Prendës në Kurbin. Pas pesë vitesh shërbim atje, në vitin 1937 emërohet famullitar i Durrësit. Detyrë që do ta mbajë krahas asaj, më vonë, edhe të sekretarit të Arqipeshkvit Imzot Prennushi, me të cilin do të bashkëndajë gjithçka deri edhe martirizimin. Dom Zogaj ishte një person serioz në karakter, me autoritet, i fortë dhe fjalëpakë, i respektueshëm.

Meshtar i bindur dhe i zellshëm, shumë shpirtëror, i vendosur, por edhe i ëmbël, nganjëherë i rreptë, rinor, i përvuajtur me të përvuajturit, i durueshëm. Në të spikaste shpirti i dashurisë, i ndihmonte të gjithë, përfshirë edhe myslimanët. Ushqente në zemrën e vet një dashuri të vazhdueshme e të zjarrtë për të Shenjtërueshmin Sakrament. I drejtohej ndërmjetësimit të Zojës, ashtu si nënës së vet. Të gjithëve u porosiste ta lusnin gjithmonë rruzaren. Si famullitar kujdesej vetë për katekizmin e fëmijëve dhe e kishte një ndjeshmëri të veçantë për të sëmurët. Kur sipas traditës për Pashkë bekonte vezët e ziera e të ngjyrosura, ua shpërndante edhe fëmijëve myslimanë që lumturoheshin pa masë për këtë gjë.

Përpiqej në nxitjen e harmonisë mes të gjithëve, përfshirë edhe myslimanë e ortodoksë. Ishte i vetëdijshëm që furtuna komuniste e cila po mbulonte vendin nuk sillte asgjë të mirë për popullin e akoma më shumë për besimtarët. Në fakt në gushtin e vitit 1944, siç e kujton një nga të rinjtë e asaj periudhe, Vlash Curri, Dom Antoni i mblodhi të rinjtë e famullisë dhe pasi u shpjegoi situatën e vështirë që po paraqitej u kërkoi të betoheshin se askush prej tyre nuk do ta braktiste ndonjëherë fenë.

E në fakt vetëm tre muaj pas vendosjes së regjimit në një relacion të të Lumit jezuit Atë Giovanni Fausti, shkruhet se: Dom Anton Zogajt iu bë një bastisje e hollësishme, duke i marrë të gjitha dorëshkrimet dhe dokumentet. E një dëshmi të pastër e jep në një raport një ish punonjës i AGIP, zoti Cavallini, i cili e la Shqipërinë në fund të majit 1947. Ja si e përshkruan ai: “Fola gjatë me famullitarin e Durrësit, Dom Antonin, i cili, në bisedë, më shfaqi druajtjen se shpejt do të formulohej edhe kundër tij një çfarëdo preteksti me qëllim që ta mbyllnin në burg e ta kyçnin kishën e Durrësit; në atë kohë 58 ndër 80 meshtarë vuanin në burgje … Të dielën 18 maj 1947 pas Meshës të orës 9:30 Dom Antoni shkoi me biçikletë për Meshë në Shijak ... Kjo qe Mesha e fundit. Natën mes datave 18 e 19 maj, në orën 2, dom Antonin e arrestuan, së bashku me një meshtar tjetër që banonte në Shijak. Edhe Imzot Prennushi do të arrestohet  natën mes datave 19 e 20 maj. Mbrëmjen e 21 majit – vazhdon relacioni – njëri prej bashkëkombasve tanë [italian] pa Dom Antonin, me pranga në këmbë, në mes të tre ushtarëve të armatosur me pushkë, duke arritur në Durrës, ka të ngjarë nga Tirana. Mezi njihej”.

Në momentin e arrestimit, kush qe i pranishëm, e dëgjoi t’u thonte policëve të Sigurimit: “Qe, jam gati”. Dom Antoni kishte të drejtë në ndjesinë e tij se sigurimi do e gjente një çfarëdo lloj preteksti. E në fakt një hollësi interesante e jep një motër saleziane, Motër Pasquina Auciello: “Sapo përfundoi funksioni [Mesha në fshatin e Shna Prendës kremtuar nga Arqipeshkvi Prennushi, i pranishëm edhe Dom Zogaj], Arqipeshkvin e akuzuan se e kishte përshëndetur Asamblenë në mënyrë fashiste [spiunët sekretë të pranishëm në funksion panë prelatin duke shtrirë duar për të thirrur Shpirtin Shenjt dhe e interpretuan atë gjest si përshëndetje fashiste!]. Ishte një pretekst i mjaftueshëm për të vënë në veprim atë që kishin vendosur prej kushedi sa kohësh”. Të dy [Imzot Prennushi dhe Dom Zogaj] u paditën nga një banor i fshatit, i pranishëm në kremtim, që ishte komunist. Siç dëshmon Pal Lala “Dom Zogajn e vunë në shënjestër sidomos sepse nuk kishte reshtur së këmbënguluri në vlerat e fesë katolike”.  E nën regjimin komunist të ishe katolik konsiderohej praktikisht një krim.

Gjatë hetuesisë e torturuan shtazarisht, duke i kërkuar edhe që të tregonte sekretin e rrëfimit, gjë që nuk e bëri asnjëherë. Një dëshmitar Vlash Curri, dëshmon se në atë periudhë një herë i kërkoi një të riu që punonte me të, Agimit, i biri i një rojeje të burgut, që ta pyeste të atin për dom Antonin. I ati i tha: nuk kam parë kurrë një njeri që i ka përballuar me një forcë të tillë e me po aq guxim torturat e tmerrshme që ka pësuar. Dom Antoni u dënua në vigjiljen e Krishtlindjes të vitit 1947 me vdekje.  Dhe në fillim të marsit 1948 në moshën 39 vjeç u ekzekutua pasi bëri shenjën e kryqit, shënim ky i shkruar në procesverbalin e ekzekutimit. 

U pushkatua në Porto Romano, në zonën e Spitallës në Durrës. Me sa duket në kodrën ku fshatarët e zonës e varrosën më vonë janë ndërtuar disa shtëpi dhe kanë humbur gjurmët e varrit, por gjaku i tij e vaditi atë tokë njerëzore “të thatë e pa ujë” që në të ardhmen të bëhej më pjellore. Dom Antoni tashmë i bashkuar me Krishtin, Martirin hyjnor, sigurisht lutet e ndërmjetëson për ne pranë Mësuesit të tij. Besnikëria e tij le të na frymëzojë edhe në që ti jemi besnik në aktivitetet tona të përditshme Atij që është Udha, e Vërteta dhe Jeta!

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Anton Zogaj, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

06 qershor 2021, 09:51