Viset e Shenjta Viset e Shenjta 

Pizzaballa: “Toka Shenjte ka nevojë për aksione, jo për deklarata"

Përfundoi asambleja e 94-t plenare e Roaco, ku situata në Tokën Shenjte ishte në qendër të vëmendjes. Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve kërkoi t’i jepet fund fjalëve të mëdha e t’u hapet rruga veprimeve konkrete. “Objektivi është t’u rikthehet njerëzve besimi për ditë më të mira, duke ia ndryshuar faqen realitetit të vendeve, ku veprojmë”.

R. SH. - Vatikan

Përfundoi asambleja  e 94-t plenare e Roaco, ku situata në Tokën Shenjte ishte në qendër të vëmendjes. Patriarku i Jeruzalemit të Latinëve kërkoi  t’i jepet fund fjalëve të mëdha e t’u hapet rruga veprimeve konkrete. “Objektivi është t’u rikthehet njerëzve besimi për ditë më të mira, duke ia ndryshuar faqen realitetit të vendeve, ku veprojmë”.

Pizzaballa: “Toka Shenjte ka nevojë për aksione, jo për deklarata”

“Në Tokën Shenjte konflikti politik, që prej dekadash vijon të marrë gjithnjë e më shumë ngjyrime fetare, po krijon shqetësime të thella në jetën e  familjeve e të njerëve. Nëse duam ta rindërtojmë ardhmërinë e Tokës Shenjte, duhet rindëtuar, së pari, besimi ndërmjet popullsive, që banojnë në këto vise”. Pjesëmarrës në asamblenë plenare të Roaco-s (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore)  që përfundoi dje, në Romë, kryeipeshkvi Pierbattista Pizzaballa, patriark i Jeruzalemit të Latinëve,  bëri bilancin e punimeve, duke u ndaluar fort  tek situata në mbarë Lindjen e Mesme e në vende si Etiopia, Armenia e Gjeorgjia. “Bilanci i Roaco është gjithënjë pozitiv, sepse në  këtë kontekst merren përherë vendime shumë konkrete”- kujtoi Patriarku Pizzaballa, në intervistën dhënë Vatikan News:

Ç’ mund të na thoni për problemet e prekura e shpresat e lindura?

“Takimi, si zakonisht, kishte në qendër të vëmendjes analizën shoqërore-politike që, për fat të keq, është shumë negative. E jo vetëm në Tokën Shenjte, por në të gjithë zonën, ku situata politike shkakton përçarje, ndeshje për pushtet, korrupsion. E jeta e Kishës jetohet pikërisht brenda këtyre situatave. E brenda tyre, edhe jeta e përditshme e njerëzve”.

Papa kërkon që në Tokën Shenjte të rindërtohen njerëzit, para ndërtesave

“Në Tokën Shenjte nuk mungojnë ndërtesat, as monumentet. Tashti duhet rindërtuar besimi i njerëzve!”.

Në çfarë mënyre? Cila është rruga që mund të ndiqet?

“Para së gjithash duhet t’u jepet fund deklaratave. Janë bërë me mijëra, po nuk kanë ndryshuar asgjë. Për të rindërtuar besimin, duhen gjeste konkrete në territor, gjeste që ua ndryshojnë vërtet jetën njerëzve. Fjalët e mëdha e gurët në strajcë nuk i duhen gjë kujt!”.

E Kisha katolike, si mund ta çojë përpara projektin e ripajtimit të Tokës  Shenjte?

“Hapi i parë është të heqim dorë nga pretendimi se jemi në gjendje t’ia ndryshojmë faqen botës! Çka mund të bëjmë, është ta ndryshojmë realitetin ndër mjediset e vogla, ku punojmë, përmes takimit me njerëzit e të  gjitha feve e të gjitha kulturave. Duhet një stil i sinqertë, i përzemërt,  pa hequr kurrë dorë nga projekti i pajtimit! E sidomos, duhet të jetohet ndryshe! Një jetë vërtet njerëzore!”.

26 qershor 2021, 14:49