Kryetari i ri i Konferencës Ipeshkvnore të Shenjtorëve Cirili e Metodi, imzot Laszlo Nemet, ipeshkëv i Zrenjanin (Serbi), në Radio Vatikan Kryetari i ri i Konferencës Ipeshkvnore të Shenjtorëve Cirili e Metodi, imzot Laszlo Nemet, ipeshkëv i Zrenjanin (Serbi), në Radio Vatikan

Përfundon Asambleja e 38-të e Konferencës Ipeshkvnore të Shenjtorëve Cirili e Metodi

Sfidat e jetës kishtare gjatë pandemisë; problematikat familjare, në kuadrin e Vitit “Familja Amoris Laetitia”; ligji e ri mbi barazinë gjinore në Serbi; rregullorja për mbrojtjen e të miturve; çështja e kthimit të pronave; puna e Karitasit dhe çështja e punësimit të mësuesve të fesë, në qendër të asamblesë së 38-të të përgjithshme të Konferencës Ipeshkvnore të Shenjtorëve Cirili e Metodi

R.SH. - Vatikan

Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shenjtorëve Cirili e Metodi, në të cilën bëjnë pjesë krerët e Kishës Katolike në Serbi, Mal të Zi, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut, u mblodh për dy ditë në Zrenjanin (Vojvodinë) për asamblenë e saj të 38-të të përgjithshme.

Gjatë takimit, u zgjodhën krerët e rinj të këtij koordinimi kishtar nën-rajonal. Kryetar i Konferencës është tani imzot Laszlo Nemet, ipeshkëv i Zrenjanin (Serbi), ndërsa zëvendësi i tij, kryeipeshkvi shqiptar i Tivarit (Mali i Zi), imzot Rrok Gjonlleshaj. Sekretar i përgjithshëm, atë Robert Pastyik. Asambleja u ndoq nga nëntë ipeshkvijtë, nga nunci apostolik në Serbi, imzot Luciano Suriani dhe nga ai në Mal të Zi, imzot Luigi Pezzuto.

Sfidat e jetës kishtare lokale

Prelatët folën mbi sfidat e jetës kishtare lokale gjatë pandemisë, duke u kushtuar vëmendje të veçantë problematikave familjare, në kuadrin e Vitit “Familja Amoris Laetitia”, shpallur nga Papa Françesku. Në qendër të kritikave të tyre, ligji e ri mbi barazinë gjinore në Serbi, i cili hyn në fuqi këto ditë. Ipeshkvijtë miratuan ndryshime në rregulloren për mbrojtjen e të miturve në Kishën Katolike Serbe, duke përfshirë amendamentet e propozuara nga Selia e Shenjtë.

Çështja e kthimit të pronave

 U prek edhe çështja e kthimit të pronave të paluajtshme, e cila vijon me ngadalësi të madhe në Serbi, pavarësisht se këto prona janë tashmë të lira e të pazëna. Ipeshkvijtë iu drejtuan organeve shtetërore përkatëse për të shpejtuar rikthimin e pasurive kishtare, që ka filluar në vitin 2008. Gjithashtu, u bisedua për mbledhjen e një konference ndërkombëtare në dhjetor, ku të diskutohet mbi gjendjen e kishave të braktisura dhe të shkatërruara e të kërkohet ndihma e bashkësisë vendase dhe e donatorëve nga e gjithë bota. “Duam që kjo temë të paraqitet në mënyrë pozitive dhe të zgjojë interes publik”, pohuan ipeshkvijtë.

Çështja e punësimit të mësuesve të fesë

 U diskutua edhe mbi punën e Karitasit të Serbisë dhe të Karitaseve të tjera dioqezane, lidhur me impenjimin shoqëror të Kishës Katolike në rajon. Në rendin e ditës, edukimi fetar shkollor, përfshirë çështjen e punësimit të mësuesve të fesë, që kanë vetëm kontrata me kohë të caktuar, të cilat përsëriten çdo vit, pra, ata nuk kanë të njëjtat të drejta si mësuesit e tjerë, që punojnë në shkollë.

Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shenjtorëve Cirili e Metodi

Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shenjtorëve Cirili e Metodi u themelua më 22 dhjetor 2004. Ajo lindi nga Konferenca Ipeshkvnore e Serbisë dhe e Malit të Zi, së cilës iu shtua Maqedonia. Që nga viti 1997 e deri më 2003 funksionoi me emrin e Konferencës Ipeshkvnore të Republikës Federale të Jugosllavisë. Qendra e Konferencës ndodhet në Beograd, megjithëse nuk ka një seli të vetën.

Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shenjtorëve Cirili e Metodi përfshin katër kombe. Për secilin prej tyre është dërguar një përfaqësues i Papës. Sot, ka një nunciaturë apostolike në Serbi, me një nunc rezident; kisha në Mal të Zi i është besuar nuncit apostolik në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa ajo e Maqedonisë së Veriut, nuncit në Bullgari; së fundi, nunci apostolik në Slloveni është Legat papnor në Kosovë.

Në të gjitha këto vende, katolikët përfaqësojnë një pakicë dhe, përveç Kosovës, u përkasin pakicave etnike. Ata përdorin gjuhët e tyre amtare në liturgji e ndahen në pesë dioqeza (Subotica, Zrenjanin, Srijem, Kotor dhe Shkup), në dy ekzarkate apostolike për besimtarët e ritit Lindor, një për Maqedoninë dhe një për Serbinë dhe, në një administraturë apostolike, Prizreni. Në territorin e kësaj Konference Ipeshkvnore ka dy kryedioqeza, ajo e Beogradit dhe ajo e Tivarit.

Ipeshkvijtë anëtarë, të cilët, në këtë kuadër të ndërlikuar e delikat, janë shenjë e prekshme uniteti dhe bashkëpunimi, takohen një herë në vit për asamblenë e përgjithshme, ndërsa Këshilli i Përhershëm i tyre mblidhet më shpesh, në varësi të nevojave.

02 qershor 2021, 11:17