Reliket e Shenjtit Reliket e Shenjtit  

Mrekullitë e Shëna Ndout: “Mrekullia e Mushkës” dhe “I posalinduri që flet”.

Në prag të festës së Shëna Ndout, po kujtojmë tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar tek mrekullia e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot “Mrekullia e Mushkës” dhe “I posalinduri që flet”.

R. SH. - Vatikan

Shëna Ndou njihet si Shenjti i Mrekullive, ose Mekullbâsë, domethënë shenjt që bën mrekulli. E i bën pambarimisht. Që nga koha kur jetoi - e deri në kohët tona… Po cilat janë më të famshmet? Po nisim me mrekullinë e mushkës. Ndonëse edhe ju, që na ndiqni, mund ta keni jetuar ndonjë nga mrekullitë, që Shëna Ndou  vijon të bëjë në ditët tona, në jetët tona…. E tregojnë turmat e besimtarëve, që ngarendin këto ditë plot shpresë në Kishat me emrin e tij: nga Padova – në Laç të Kurbinit… Mrekullitë më të famshme të Shëna Ndout:

Mrekullia e Mushkës

Gjatë një debati të Shëna Ndout me një heretik lidhur me praninë e Krishtit në Eukaristi, heretiku e sfidoi Shenjtin. I kërkoi diçka, në dukje të pamundur:  ta  bindte me një mrekulli për praninë e vërtetë të Zotit në hosten e shuguruar, duke i premtuar se po të ndodhte kjo, do të kthehej e do t’i besonte fesë së vërtetë. Shpjegoi, më pas, edhe planin: do ta mbante mushkën të mbyllur për disa ditë në stallë, pa i dhënë asgjë për të ngrënë. Pastaj do ta sillte në shesh, përballë turmës, e do t’i vinte para tagjinë. Njëkohësisht Antoni do të vinte Hosten përballë kafshës. Nëse mushka do të gjunjëzohej para hostes, pa e përfillur fare tagjinë, ai do të kthehej në fenë e vërtetë.  Ditën e caktuar heretiku e solli mushkën në sheshin përplot me sehirxhinj. E edhe Shenjti doli menjëherë aty. I tregoi mushkës hosten e shuguruar e i tha: “Për virtyt  e në emër të Krijuesit, të cilin unë, edhe pse  i padenjë, e kam në duar, po të them ty, o kafshë, e po të urdhëroj t’i afrohesh  përvujtërisht e t’i bësh nderimin, që meriton!”.  E kështu edhe ndodhi: Antoni nuk i kish kryer ende mirë fjalët, kur mushka uli kokën deri ndër thundra në shenjë nderimi e u gjunjëzua para Sakramentit të Korpit të Krishtit.

I posalinduri që flet

Një familje, që jetonte në Ferrara të Italisë, po kalonte ditë e netë të tmerrshme. Me sherr e shamatë, që tundte mëhallën, lindur nga xhelozia e burrit, i cili besonte se gruaja e kish tradhtuar e se fëmija e posalinduir ishte pikërisht fryt i kësaj paudhësie. Ditë-natë me britma. Ditë-natë me nëmë. Ditë-natë me vajin e fëmijës, që nëna nuk arrinte ta pajtonte. Vaj që tundte mëhallën. E, duke dashur ta pushonin, fqinjët iu luten Shëna Ndout të ndërhynte… Ai erdhi menjëherë në shtëpinë, ku nuk pushonte vaji i ferishtes. E mori në krahë të sapolindurin e i tha: “Të përbetohem në emër të Jezu Krishtit, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, i lindur nga Maria Virgjër: më thuaj me zë të qartë , që ta dëgjojnë të gjithë:  “Kush është yt atë?”. Fëmija, duke i ngulur syçkat në sytë e babit të vet, mbasi nuk mund t’i lëvizte duart, sepse i lidhur në fasha, tha: “Ja, ky është babi im!”. E Shenjti, duke iu kthyer burrit dyshimtar, shtoi: “Merre tënd bir, e duaje tënde shoqe, të cilën  vijon ta tmerrosh prej ditësh me dyshime të kota, ndërsa meriton gjithë mirënjohjen tënde!”.

 

09 qershor 2021, 12:14