Bazilika e Shëna Ndout Bazilika e Shëna Ndout  

Mrekullitë e Shëna Ndout: “Buka e të varfërve” dhe “Këmba e ngjitur”.

Në prag të festës së Shëna Ndout, po kujtojmë tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar tek mrekullia e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit. Sot “Buka e Shëna Ndout ” dhe “Këmba e ngjitur”.

R. SH. - Vatikan

Buka e Shëna Ndout

Tomazini është një djalë i vogël, vetëm 20 muajsh: e ëma e lë vetëm në shtëpi, duke luajtur. Po kur kthehet, e gjen  të mbytur në një mastelë uji. E dëshpëruar, thërret në ndihmë Shenjtin e mrekullive e, duke e lutur, siç na ndodh shpesh edhe ne, bën një kusht; po të fitojë hirin, do t’u dhurojë të varfërve aq bukë, sa peshon fëmija i mbytur. Një të thënë, një t’u bërë: fëmija kthehet menjëherë në jetë. E lind, kështu, ajo traditë, që njihet me emrin “pondus pueri”, përmes së cilës  prindërit i luten Shna Ndout t’ia mbrojë fëmijët, duke i premtuar se do t’i dhurojnë aq bukë, sa peshon fëmija, Ndoshta jo të gjithë e dinë se nga kjo mrekulli e ka zanafillën  Buka e të varfërve, e pastaj edhe Karitasi Antonian a “Buka e Shëna Ndout” dhe Organizata antoniane,  që vijojnë edhe sot e kësaj dite t’u shpërndajnë gjellë, bukë, veshmathje të varfërve të mbarë botës. E se edhe në Shkodër, në një skaj të Kishës Françeskane të Gjuhadolit, Shëna Ndou ka hapur një strehë të vogël, ku u jep të hanë atyre që nuk kanë - për ditë e më të shumtë - gjellë të ngrohta e të shijshme. E ata kthehen në shtëpi duke e bekuar Shenjtin dhe pasardhësit e tij, fretërit françeskanë, që i shndërrojnë ndihmat e besimtarëve, në “ bukën e përditshme” të nevojtarëve!

Këmba e ngjitur

Një burrë nga Padova, me emrin Leonardo, i tregoi një ditë Shëna Ndout se i kishte ra me shkelm së ëmës. Shenjti, i trishtuar pa masë, ia ktheu: “ Këmba, që çohet kundër nënës a atit, meriton të pritet që atë çast”. Burri, i prekur thellë nga këto fjalë, ndjeu një shqetësim aq të stuhishëm në shpirt sa, një të shkuar në shtëpi mori sakicën e, pa menduar dy herë, e këputi këmbën, që kishte goditur nënën. Lajmi mori dhenë e mbërrijti sakaq te Antoni. Shenjti u nis me vrap drejt shtëpisë së burrit e, pa trokitur fare, hyri brenda. E pa në sy e nisi të lutej në heshtje. Mori, mandej, këmbën e prerë nga dyshemeja e gjakosur e, duke bërë shenjën e kryqit, e vuri në vend të vet. E këtu ndodhi mrekullia e jashtëzakonshme: këmba u ngjit, si të mos ishte prerë kurrë, në vendin e vet, aq sa burri u ngrit në këmbë e nisi të ecë. E më pas, edhe të kërcejë gjithë gëzim, duke falënderuar Zotin, e edhe Anonin!

09 qershor 2021, 10:11