Shën Zakaria dhe Shën Elizabeta Shën Zakaria dhe Shën Elizabeta

Më 23 qershor përkujtohen Shën Zakaria dhe Shën Elizabeta, prindërit e Shën Gjon Pagëzuesit

Një ditë, ndërsa ndodhej në tempull, Zakaria vizitohet nga kryeengjëlli Gabriel, i cili i thotë se gruaja e tij do të mbetej shtatzënë. Megjithëse ishte njeri i përshpirtshëm, Zakaria nuk beson menjëherë e i kërkon lajmëtarit të Zotit një provë. Kështu, ai ia mbyll gojën, pa e lejuar të flasë, deri në ditën e tetë pas lindjes së fëmijës. Vetëm atëherë, i zgjidhet gjuha për të njoftuar emrin e fëmijës, i cili do të bëhej pararendës i Jezu Krishtit

R.SH. - Vatikan

Historia e Zakarisë dhe Elizabetës na mëson se nuk duhet ta humbasim kurrë shpresën, sepse “asgjë s’është e pamundur për Zotin”. Zakaria është prift i klasës së tetë, asaj të Abisë, një nga 24 klasat e përcaktuara nga Davidi mbret për turnet e shërbimit në tempull. Martohet me Elizabetën, edhe ajo nga familje meshtarake, e vendosen në Ain Karen. Nuk kanë fëmijë, gjë që në atë kohë, do të thoshte mënjanim nga bashkësia, që e konsideronte mungesën e fëmijëve si mallkim prej Zotit. Por, Hyji nuk e harroi çiftin e të drejtëve, për të cilin kishte menduar gjëra më të mëdha. Një ditë, ndërsa ndodhej në tempull, Zakaria vizitohet nga kryeengjëlli Gabriel, i cili i thotë se gruaja e tij do të mbetej shtatzënë. Megjithëse ishte njeri i përshpirtshëm, Zakaria nuk beson menjëherë e i kërkon lajmëtarit të Zotit një provë. Kështu, ai ia mbyll gojën, pa e lejuar të flasë, deri në ditën e tetë pas lindjes së fëmijës, kur i vogli do të rrethpritej. Vetëm atëherë, i zgjidhet gjuha për të njoftuar emrin e fëmijës, që do të quhej Gjon, i bekuari i Hyjit, i cili do të bëhej pararendës i Jezu Krishtit.

Çift i prekur nga Hiri i Tënzot

         Kur dashuria është e vërtetë, me kalimin e kohës, shtohet e jep fryte: fara rritet e kthehet në pemë të lulëzuar. Prandaj shën Luka ungjilltar e fillon rrëfimin e tij duke folur për këtë çift të prekur nga hiri krijues i Zotit, për të treguar se Hyji bën mrekulli në jetën e atyre, që besojnë tek Ai dhe dinë të presin. Përtej çdo parashikimi, Elizabeta bëhet nëna e të destinuarit për t’i hapur udhën Jezu Krishtit: shën Gjon Pagëzuesit. Elizabeta e ndien këtë hir brenda vetes, e ndien atë jetë që lëviz e hov në bark, sapo kushërira e saj, Maria, i bën vizitën e papritur për të cilën flet Ungjilli. Edhe ajo, si Maria, u lajmërua nga engjëlli, të cilit menjëherë i tha po; edhe ajo është plot hir. Takim i dy grave, që mbajtën në krahëror historinë e shëlbimit!

23 qershor 2021, 12:23