Kisha e Shëna Ndout në Laç, sot në festë Kisha e Shëna Ndout në Laç, sot në festë 

Laçi, qytet që rilindi nga Shëna Ndou

Sot kremtohet festa e Shëna Ndout. Në prag të saj kujtuam tetë mrekullitë e Shenjtit Mrekullibërës, duke nisur nga mrekullia e mushkës – për të përfunduar, sot, me mrekullinë e kthimit të Shenjtit në Shenjtëroren e tij të Laçit, qytet që rilindi nga Shëna Ndou.

R. SH. - Vatikan

Shëna Ndou mbërrijti në Shqipëri gati-gati menjëherë pasi kishte vdekur: rreth vitit 1240, bashkë me françeskanët. Erdhi e nuk iku më kurrë nga vendi. Edhe pse iu sulën njerëz më  mizorë se ata të Ezelinos, III, që mbillte shfarosje e vdekje në qytetin e Padovës. Erdhi, e shkëmbi i thatë që zgjodhi për strehë, u shndërrua menjëherë në oazë hiresh. Nisi të jetojë nga Shenjti, që mbjell jetë, kudo ndjehet emri i tij, Jo shumë kohë “pas ardhej së Tij” përmbi shkëmbin e egër, të veshur me pyje të dendura, u ngrit Shenjtërorja e, pranë saj, një kuvend françeskan, ku nisi të lulëzojë jeta rregulltare e bijve të Shën Françeskut.  E nisën të vijnë edhe  shtegtarët e parë, që vijuan t’i ngjiteshin shkëmbit të egër për të kërkuar e për të nxjerrë hire, me ndërmjetësimin e Shenjtit të Mrekullive. Por në vititn ogurzi 1967, këtu  mbërrijti një frymë e keqe, që mbillte shfarosje e vdekje. Një “Ezelino” i ri u duk në këto vise të serta dhe e hodhi Shenjtëroren në erë me dinamit. Quhej komunizëm. Duke e rrënuar, as nëpër mend nuk i shkoi se Shenjti, i cili ndërmjetësonte vazhdimisht te Zoti, për t’i ndihmuar shtegtarët që përballonin rrugën e gjatë e të rrëpirtë, për të ardhur tek këmbët e shtatores së Tij, do të ndërmjetësonte për vete e për Kishën e vet shqiptare në maje të shkëmbit të egër. Që jetonte prej tij. Mos ki frikë, shqiptar - i tha - Shqipëria së shpejti do të jetë e lirë nga diktatori gjakatar! Në  ditën e festës sime, Laçi do të jetë e lirë.

E shqiptarët e ndjenë në shpirt se ai nuk do t’i braktiste, edhe pse ia rrënuan shtëpinë. Vijuan, prandaj, të ngjiteshin shtigjeve të kodrës, e të gjunjëzoheshin mbi gurët, ku banonte tani Shenjti i Mrekullive. Sepse ai nuk iku kurrë nga Shqipëria. Mbeti gjithnjë aty! Në pritje të atyre, që ngjiteshin, një nga një a me grupe të vogla. Deri më 13 qershor 1990, kur besimtarë nga të katër anët Shqipërisë u bashkuan haptazi rreth gurëve të Shenjtërores, për t’u lutur. Ishte ndёr shenjat e para të rilindjes së fesë, që dëshmonte se Shëna Ndou nuk ishte larguar kurrë nga Laçi!

Më 1991 nisi rindërtimi i shtëpinë së rrënuar të Shëna Ndout, përmbi themelet e lashta tё Shenjtёrores.

Më 1992, në maje të Laçit u ndez drita e elektrike.

Më 1993  u çel rruga, katër kilometra e gjatë.

Më 1994 Shenjtërorja u përfundua, për t’u përuruar  më 2 maj 1993.

Këtë herë Shenjti, që kishte bërë aq shumë mrekulli për mijëra besimtarë, e bëri për vete mrekullinë: Kishën e re! Drejt së cilës rinisën shtegtimet e me ta, edhe hiret…E Laçi i Kurbinit, ku jeton Shëna Ndou, ashtu si Bolonja e largët gjallon nga Shenjti i vet…Ku është Ai, është hiri. Shpresa. Jeta, që Krishti Fëmijë, nga krahët e Shenjtit, ia bekon njeriut të gjunjëzuar para Shtatores së Shëna Ndout.

E tash mijëra shtegtarë rrajnë te ai, që e shpëtoi Laçin e vet! Qytet që jeton prej Shëna Ndout!

13 qershor 2021, 10:35