Vatican News

Evropë-Afrikë: thirrje e ipeshkvijve për mbrojtjen e jetës, të migrantëve e për vaksinat

Ipeshkvijtë e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) dhe ata të Simpoziumit të Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit (Secam) i bëjnë thirrje organizmave ndërkombëtare të mbrojnë jetën, të mirëpresin migrantët dhe të sigurojnë vaksina për të gjithë

R.SH. - Vatikan

“I ftojmë krerët politikë, autoritetet civile dhe organizatat si Bashkimi Afrikan (AU), Bashkimi Evropian (BE) dhe Kombet e Bashkuara (OKB), të sigurojnë zbatimin praktik të ligjeve dhe të protokolleve, që nxisin solidaritetin dhe promovojnë dinjitetin njerëzor. Në veçanti, të promovojnë mbrojtjen e jetës, të familjes, të lirisë edukative dhe fetare, si edhe pritjen e integrimin e migrantëve dhe vaksinimin universal kundër Covid-19”. Kjo është thirrja e ipeshkvijve evropianë dhe afrikanë, në fund të një seminari të përbashkët, promovuar nga Këshilli i Konferencave Ipeshkvnore Evropiane (CCEE) dhe nga Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës e Madagaskarit (SECAM). Seminari u mbajt më 1 dhe 2 qershor e pati si temë: “Solidariteti në promovimin e dinjitetit njerëzor, në dritën e enciklikës ‘Fratelli tutti’”. Në seminar morën pjesë 20 përfaqësues të konferencave ipeshkvnore kontinentale të Afrikës dhe Evropës.

Bashkësitë e krishtera të jenë “shtëpi me dyer të hapura”

Në mesazh, ipeshkvijtë u drejtohen edhe Kishave lokale, duke kërkuar që bashkësitë e krishtera të dy kontinenteve të jenë “shtëpi me dyer të hapura, për të mbështetur shpresën, për të ndërtuar ura, për të shembur mure dhe për të përhapur farët e pajtimit”. “Si ipeshkvij dhe barinj të Kishës, ripohojmë bashkimin dhe kolegjialitetin tonë, duke u impenjuar të punojmë për të promovuar dinjitetin njerëzor, vëllazërimin dhe solidaritetin, të cilat janë në qendër të ekzistencës njerëzore dhe të bashkëjetesës paqësore”, shkruhet më tej në tekst.

Dialog ndërfetar e ndërkulturor

“Si bij të të njëjtit Atë, duhet t’ia hapim zemrën njëri-tjetrit dhe të punojmë intensivisht për të krijuar një vëllazërim të vërtetë, jo vetëm ndërmjet bashkësive tona lokale, por edhe ndërmjet nesh e njerëzve me prejardhje të ndryshme kulturore, racore dhe etnike, fetare dhe politike, shoqërore dhe ekonomike”. “Në një botë me vlera pozitive, por edhe me urrejtje, armiqësi, ekstremizëm, dhunë dhe gjakderdhje”, theksojnë ipeshkvijtë, “i ftojmë të gjithë të pranojnë thirrjen e fuqishme të Atit të Shenjtë për dialog ndërfetar si mënyrë për të nxitur miqësinë, paqen dhe harmoninë e, për të garantuar lirinë fetare, e cila është një e drejtë themelore për të gjithë besimtarët”.

04 qershor 2021, 11:07