Cuore Immacolato della Beata Vergine Maria Cuore Immacolato della Beata Vergine Maria

Zoja e Bekuar, në muajin maj: Maria, gurrë e pashterrshme dashurie

Maria, gurrë e pashterrshme dashurie! Në Besëlidhjen e Re, Zoti iu dëftua njerëzimit jo më nën hijen e ngjasimin elementeve natyrore, por me vetjen e Birit të tij hyjnor. Zoti mori mish e gjak si ne, mori natyrën tonë, për dashuri. I tha me fakte, jo me fjalë, njerëzimit: “Unë jam dashuria!”. E ky është përkufizimi i përkryer i Hyjit. Zoti është dashuri, thotë Shën Gjoni.

R.SH. - Vatikan

Maria Virgjër, gurrë e pashterrshme dashurie! Në Besëlidhjen e Re, Zoti iu dëftua njerëzimit jo më nën hijen e ngjasimin elementeve natyrore, por me vetjen e Birit të tij hyjnor. Zoti mori mish e gjak si ne, mori natyrën tonë, për dashuri. I tha me fakte, jo me fjalë, njerëzimit: “Unë jam dashuria!”. E ky është përkufizimi i përkryer i Hyjit. Zoti është dashuri, thotë Shën Gjoni,

E nga të gjitha krijesat, dalë nga dora e Krijuesit, asnjë më mirë se Maria nuk e kuptoi këtë përkufizm e askush më shumë se ajo nuk e pati shuar etjen në këtë gurrë të pashterrshme. Duke u bërë Nëna e Zotit, Zoja u bë nënë e dashurisë. E vërtet, me fuqi e për virtyt të dashurisë e zu në kraharor Shëlbuesin; për dashuri e nxori në dritë foshnjën hyjnore, për dashuri e  rriti, për dashuri e fali mbi elterin e vrazhdë të kryqit e po për dashuri e zëvendësoi Krishtin, pas  ngjitjes në qiell, me Gjonin e bijtë e Tij në shpirt.

Në veprën e madhe të shëlbimit, secili nesh është një hallkë, në zinxhirin e pakëputur  të historisë së dashurisë së Zotit ndaj njerëzimit. E Zoja, pa dyshim, është hallka e parë e këtij zinxhiri, menjëherë pas Krishtit!

 Se sa punë të bindshme kreu Hyji përmes Marisë, na e thotë ajo vetë, kur shpirti i saj i kulluar madhëron Zotin e kujton punët e mëdha të kryera përmes saj. Nga dashuria për njerëzit, për secilin nga ne! Të mos e harrojmë, pra, Nënën e Krishtit, në majin e Saj, që nisi sot.

T’ia drejtojmë këtë lutje Mbretëreshës Qiellore, Virgjërës Mari:

O Zojë, ruaji familjet e njerëzit që punojnë; ndihmoji ata, që e kanë humbur fenë e shpresën, ngushëlloji të sëmurët, të burgosurit, të munduarit; mbështeti, o Ndihma e të krishterëve, të rinjtë, pleqtë e njerëzit e trazuar nga vuajtjet e përditshme të jetës. Ruaji, o Nënë e Kishës, barinjtë e saj e gjithë bashkësinë e besimtarëve e ndërmjetëso pranë Hyjit t’i japë hirin për t’u bërë kripë e dritë në mes të shoqërisë.

07 maj 2021, 16:34