"Rregullorja e Infermierisë Kishtare" të Urdhrit të Maltës "Rregullorja e Infermierisë Kishtare" të Urdhrit të Maltës

Urdhri i Maltës riboton Rregulloren e Infermierisë: faqe të lashta, identitet modern

Urdhri Sovran i Maltës ripublikon, në një botim të rafinuar, “Rregulloren e Infermierisë Kishtare” të vitit 1725, që dëshmon vazhdimësinë ndërmjet së kaluarës dhe së tashmes të misionit të rëndësishëm të kalorësve të krishterë, sidomos në këtë epokë pandemie globale: pritja dhe kujdesi për të sëmurët, të plagosurit, të varfërit dhe refugjatët

R.SH. - Vatikan

Ribotohet anastatikisht Rregullorja e Infermierisë Kishtare të Urdhrit Sovran të Maltës, norma të vitit 1725, faqe të lashta të një identiteti gjithnjë modern e në pararojën e Kishës përsa i përket shërbimit për të sëmurët, të plagosurit, të varfërit dhe refugjatët.

         “Infermieri është një Kalorës i deklaruar, zellit të të cilit i besohet Kujdesi për të sëmurët, të cilëve duhet t’u sigurojë një shtrat, në përputhje me gjendjen dhe nevojat e tyre...”. Mjafton kjo hyrje e Rregullores për të përcaktuar identitetin e anëtarëve të Urdhrit kalorësiak të krishterë, gjithnjë i impenjuar në shërbim të më të ligshtëve, që nga luftrat e betejat më të ashpra të së kaluarës e deri në ditët tona. Më tej në Rregullore, thuhet se ky kalorës fle jo larg nga ata, që luftojnë kundër sëmundjes, duke ndihmuar edhe ata, që sot do t’i quanim personel shëndetësor, për t’i kryer vizitat “me dashurinë e duhur”.

Pamje nga Rregullorja e Infermierisë së Urdhrit të Maltës, viti 1725
Pamje nga Rregullorja e Infermierisë së Urdhrit të Maltës, viti 1725

“Uji i freskët” i karizmës

         Kjo del në pah - së bashku me përkryerjen e një riprodhimi elegant tipografik - nga “Rregulloret e Infermierisë Kishtare”, publikuar nga Shtëpia Botuese Antiga, së bashku me një vëllim në tri gjuhë - italisht, anglisht dhe frëngjisht – si edhe me kontributin e firmave, si ajo e Delegatit të Papës për Urdhrin, kardinalit Silvano Maria Tomasi; ajo e kryetarit të Këshillit Papnor për Kulturën, kardinalit Gianfranco Ravasi; ajo e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit, kardinalit Mario Grech, ish-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Malteze. Për botimin e tij është kujdesur ambasada e Urdhrit të Maltës në Selinë e Shenjtë. Misioni i Urdhrit, themeluar nga Fra Gerardo Sasso, pak pas vitit 1100, vijon që prej 9 shekujsh, deri tek Luogotenenti i sotëm i Mjeshtrit të Madh, Fra Marco Luzzago.

Pamje nga Rregullorja e Infermierisë së Urdhrit të Maltës, viti 1725
Pamje nga Rregullorja e Infermierisë së Urdhrit të Maltës, viti 1725

Shërbim global në salla plot dashuri për të sëmurin

Shifrat e përshkruajnë më së miri punën e “misionit më të vjetër mjekësor në botë”: 13.500 anëtarë, 80.000 vullnetarë të përhershëm dhe personel i kualifikuar prej 42 mijë profesionistësh. E më tej, 20 spitale, 110 rezidenca për të moshuarit dhe disa qindra qendra mjekësore të financuara dhe të administruara drejtpërdrejt, programe të pavarura, ose në marrëveshje me qeveritë dhe agjencitë ndërkombëtare, në 120 vende. Por më e rëndësishmja është mënyra e trajtimit të të sëmurëve. Siç vë në dukje kardinali Gianfranco Ravasi, Rregullorja e lashtë përshkruan salla spitali, që sot janë ëndërr, “dhoma të zbukuruara me sixhade të punuara me lesh, si edhe piktura, në një simetri të mirë”. “Tejet të ndryshme – komenton kardinali - nga muret e zhveshura”, karakteristike për shumë spitale moderne. Në faqet e zverdhura të Rregullores së Infermierisë së Urdhrit të Maltës shihet vërtet figura e Samaritanit të Mirë, dashuria e të cilit për të pafatët buzë rrugës e bën ndërhyrjen e çdo infermieri e të çdo mjeku më “të apasionuar” e më “të dhembshur” e jo vetëm “të domosdoshme” e “profesionale”, duke e parë të sëmurin si njeri, në tërësinë e tij e, duke i dhënë “dashurinë”, për të cilën ka nevojë.

25 maj 2021, 14:46