Ngjitja e Zotit në Qiell Ngjitja e Zotit në Qiell

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Të Shelbuemit

Misioni i Kishës paraprihet nga ngjallja e Jezu Krishtit, nga ngjitja e Tij në qiell dhe nga fronëzimi në të djathtën e Atit. Solemniteti i sotëm i Ngjitjes së Krishtit në Qiell dhe dërgimi i apostujve për t’u predikuar të gjithëve Ungjillin, janë të pandashëm. Bashkë me ata të njëmbëdhjetë (pas tradhtisë së Judës), për të cilët flet Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 16 i shën Markut, janë edhe pasardhësit e apostujve dhe mbarë Kisha, deri në ditët tona. Kush ndihmon në përhapjen e Ungjillit nuk është vullnetar, por i dërguar. Jezu Krishti na fton të gjithëve, na shoqëron e na jep forcë. Ja pjesa ungjillore…

R.SH. - Vatikan

Misioni i Kishës paraprihet nga ngjallja e Jezu Krishtit, nga ngjitja e Tij në qiell dhe nga fronëzimi në të djathtën e Atit. Solemniteti i Ngjitjes së Krishtit në Qiell - Të Shelbuemit dhe dërgimi i apostujve për t’u predikuar të gjithëve Ungjillin, janë të pandashëm. Bashkë me ata të njëmbëdhjetë (pas tradhtisë së Judës), për të cilët flet Ungjilli i kësaj së diele, marrë nga kreu 16 i shën Markut, janë edhe pasardhësit e apostujve dhe mbarë Kisha, deri në ditët tona. Kush ndihmon në përhapjen e Ungjillit nuk është vullnetar, por i dërguar. Jezu Krishti na fton të gjithëve, na shoqëron e na jep forcë.

Ja një pjesë nga Ungjilli i Markut (Mk 16,15-20)

15 Në atë kohë, Jezusi u tha apostujve: “Dilni në mbarë botën e predikoni Ungjillin të gjithë njerëzve. 16 Kush do të besojë e do të pagëzohet, do të shëlbohet, ndërsa kush s’do të besojë, do të dënohet. 17 Shenjat që do t’i përcjellin ata që do të besojnë, janë këto: në emër tim do t’i dëbojnë djajtë, do të flasin gjuhë të reja; 18 [në duar] do t’i marrin gjarpërinjtë e, nëse do të pijnë ndonjë send që sjell vdekjen, nuk do t’u bëjë keq. Do t’i vënë duart mbi të sëmurë, e këta do të shërohen”. 19 Zotëria [Jezusi], pasi u tha kështu, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtë të Hyjit. 20 Kurse ata dolën e predikuan gjithkund. Zoti bashkëpunonte me ta dhe e përforconte Fjalën me mrekulli që e përcillnin.

Të lutemi së bashku:

Ti ngjitesh në qiell, o Jezus,

por nuk e braktis tokën.

Madje tani, pushteti yt shtrihet

mbi çdo popull, mbi çdo komb,

mbi çdo kohë e mbi çdo vend.

 

Kështu, apostujt e provojnë se nuk janë vetëm,

nuk ndihen të braktisur:

kudo ku shkojnë për të predikuar Ungjillin

Ti i shoqëron dhe i mbështet

e ua konfirmon fjalën tënde

përmes shumë shenjave të mrekullueshme.

 

Kështu, duket qartë se Lajmi i Mirë

nuk është iluzion

e as ëndërr e paarritshme:

ai ua ndryshon jetën atyre, që besojnë,

i ngushëllon e i gjallëron, i shëron dhe i liron,

u jep forcën për të falur,

për të kaluar pa u cënuar mes forcave të së keqes,

bën të kapërcehen keqkuptimet

ndërmjet kulturave të ndryshme dhe t’u flitet të gjithëve

me gjuhën universale

të dashurisë e të mëshirës,

gjuha e vetme e kuptueshme

për të gjithë burrat e për të gjitha gratë,

e vetmja, që ua hap zemrën

për veprën tënde të shëlbimit.

 

Ti ngjitesh në qiell, o Jezus,

por nuk i braktis dishepujt e tu.

Madje, i gjallëron me një gëzim të pashpresuar

dhe u dhuron një guxim të panjohur.

15 maj 2021, 08:54