2021.05.07 VI DOMENICA DI PASQUA ANNO B - Vangelo - Gesù 2021.05.07 VI DOMENICA DI PASQUA ANNO B - Vangelo - Gesù

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës VI tё Pashkёve

“Duajeni njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju”. Ungjilli i sotëm sipas Gjonit, në kreun 15 (9-17), na paraqet urdhërimin më të madh, që na lë Jezu Krishti, urdhërimin e dashurisë. Hyji nuk na trajton si shërbëtorë, por si miq e na premton se gjithçka do t’i kërkojmë Atit Qiellor do të na jepet. …Vetëm, nëse e duam njëri-tjetrin. Të ndjekim pjesën ungjillore të kësaj së diele VI të Pashkëve…

R.SH. - Vatikan

Nga  Ungjilli  sipas Gjonit (15, 9-17)

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time! Nëse i mbani urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse edhe unë që i mbaja urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në të. Ju thashë këto, që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë. Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin sikurse unë ju desha ju! Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet. Ju jeni miqtë e mi nëse bëni çka ju urdhëroj unë. Nuk ju thërras më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk di çka bën zotëria i tij; unë ju quajta miq, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim. Ju nuk më zgjodhët mua, por unë ju zgjodha ju dhe ju caktova të shkoni e të jepni fryt, e fryti juaj të qëndrojë; dhe që Ati t’ju japë çkado të kërkoni në Emër tim. Këtë gjë ju urdhëroj: duani njëri-tjetrin!”

Të lutemi së bashku:

 

Këngë dashurie, mësimi i Jezusit

Poezi e ëmbël dhe e thellë,

ky himn i fesë sonë.

“Ashtu si më deshi Ati, ashtu ju dua”.

 

Nuk mund të dhurojmë dashuri, nëse nuk na dhurohet.

Jemi shtretër të thatë lumenjsh,

që Zoti i shndërron në gurra të rrjedhshme.

“Qëndro në dashurinë time”.

Dorëzohu para dashurisë, na thotë Krishti.

Përndryshe, do të keni gjithnjë uri.

 

Shpesh, bota duket si shtëpi e urrejtjes,

megjithatë, aty është edhe dashuria,

edhe kur fshihet në ndonjë qoshe.

Dashuria është tipar i Zotit

dashuri e njëanshme, asimetrike, e pakushtëzuar,

që gëzimi ynë të jetë i plotë.

 

“Duajeni njëri-tjetrin ashtu siç ju kam dashur unë”.

Jo thjesht: dashuri.

Kur duam si Krishti,

u lajmë këmbët të afërmve,

nuk gjykojmë askënd,

duam edhe ata, që na lëndojnë

vihemi në kërkim të më të fundmëve

derisa bëhemi përçues të dashurisë së Atit,

në trupin plot plagë të botës.

 

E frytet e kësaj dashurie

vazhdojnë të mbijnë në tokë

edhe kur ne e lëmë atë

për shtëpinë tonë të amshuar.

08 maj 2021, 10:29