Hardhia e shermendet, e Diela V e Pashkëve Hardhia e shermendet, e Diela V e Pashkëve

Të meditojmë më Ungjillin e së dielës

Shembëlltyra e hardhisë dhe e shermendeve, në qendër të pjesës së sotme ungjillore, marrë nga kreu 15 i Ungjillit sipas Gjonit (1-18). Le të meditojmë së bashku mbi mësimin, që na jep Krishti në këtë të diel V të Pashkëve…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Unë jam hardhia e vërtetë, e im Atë është vreshtari. Çdo shermend në mua, që nuk jep fryt, Ai e pret, kurse secilin që jep fryt, Ai e pastron, që të japë më shumë fryt. Tashmë ju jeni të pastruar me anën e fjalës që ju thashë. Banoni në mua sikurse edhe unë në ju. Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt prej vetvetes, i shkëputur prej hardhisë, po ashtu as ju, nëse nuk mbeteni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet. Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, sepse pa mua s’mund të bëni asgjë. Nëse ndokush nuk mbetet në mua, hidhet jashtë porsi shermendi i prerë e thahet. Të tillët i bashkojnë, i qesin në zjarr e digjen. Nëse mbeteni në mua, dhe, nëse fjalët e mia qëndrojnë në ju, lypni gjithçka të doni dhe do t’ju jepet. Më këtë gjë lavdërohet im Atë: nëse jepni shumë fryt e dëftoheni nxënës të mi”.

Të lutemi së bashku

Ajo, që na jep Ti, o Zot,

nuk janë marrëdhënie të çfarëdoshme,

raporte episodike,

grimca të herëpashershme të mirësisë Tënde

a fragmente dhembshurie të hedhura andej-këndej.

Ti, o Jezus, na dhuron hyrjen

në një aleancë të destinuar

të zgjasë për amshim.

 

Ja përse na kërkon

të mbetemi të bashkuar me Ty, me çdo kusht,

në çdo situatë,

pavarësisht nga sakrificat.

Vetëm në këtë mënyrë

ne mund t’i largohemi

shterpësisë, që na mbyt,

e të japim fryte të paparashikueshme

mirësie, drejtësie e paqeje.

 

Ja përse na kërkon

t’i ikim tundimit

të kontaktit të çastit, gati magjik,

e na jep mundësinë

të banojmë në Ty,

të ta besojmë krejt vetveten.

Vetëm kështu, do të provojmë

se brenda nesh banon një prani e re,

që na i zgjeron hapësirat e shpirtit

e zemrës, i jep paqe pa kufi.

01 maj 2021, 09:45