Trinia Shenjte Trinia Shenjte

Të meditojmë me Ungjillin e së dielës së Trinisë Shenjte

“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt”. Në të dielën e sotme, kur Kisha kremton Trininë Shenjte, Ungjilli sipas Mateut, në kreun 28 (16-20), na tregon se universaliteti i misionit të krishterë bazohet në marrëdhëniet e veçanta, që ka Jezu Krishti i ringjallur me çdo njeri. Ungjilli i duhet kumtuar secilit, sepse Jezu Krishti është e vërteta e njeriut, mori prej Atit të Gjithpushtetshëm çdo pushtet, në qiell e në tokë, pasi ndoqi vullnetin e Atit deri në kryq, duke përvijuar udhën drejt plotësisë së jetës për secilin prej nesh. Prej këndej dalin tiparet e misionit të krishterë: forca, që e frymëzon, është Shpirti Shenjt, zbritur mbi apostujt, sipas premtimit të Krishtit; përmbajtja e misionit është ecja pas gjurmëve të Krishtit dhe shpresa, që i ndihmon misionarët, është siguria se Jezusi do të jetë me ta deri në fundin e kohrave. Të ndjekim Ungjillin…

R.SH. - Vatikan

Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!”

Të lutemi së bashku

O Zot, Atë, Bir e Shpirt i Shenjtë,

Hyj që je një i vetëm, një Zot,

e njëkohësisht je Trini,

Misteri yt nuk duhet kuptuar

është marëdhënie për t’u jetuar.

 

Ti je Ati e më do si birin tënd:

portën e shtëpisë e ke gjithnjë hapur për mua.

Je gati të më presësh, edhe kur largohem

duke përplasur derën e duke sharë me të madhe.

Ti je gati të më dëgjosh

edhe kur kthehem pis e copë-copë

edhe kur e harxhoj kot gjithë thesarin, që ma le në dorë.

Je gati edhe të më kërkosh gjithandej

ashtu siç bën bariu me delen e humbur,

për të vetmen arsye se më do fort: ti je Ati im.

 

Ti je Biri, bërë njeri si unë

pra, vëlla me të gjithë njerëzit,

e çdo kohe e të çdo vendi.

Ti je vëllai, që derdhi gjakun

për ta mposhtur një herë e përgjithmonë

të keqen, mëkatin dhe vdekjen.

Ti je vëllai që erdhi tek ne

ashtu siç mund të vinte vetëm vëllai:

i varfër, çarmatosës e i çarmatosur,

duke sjellë me vete vetëm dashurinë, mirësinë e dhembshurinë.

 

Ti je Shpirti Shenjt, i mistershëm e i pakapshëm

si era, si fryma e jetës,

por të ndiejmë e të njohim në çdo vend të tokës,

brenda dhe jashtë Kishës.

Ti je Shpirti Shenjt e, nuk ka gjest fisnik

që s’është frymëzuar e mbështetur prej Teje.

Ti je Shpirti Shenjt e vepron në çdo burrë e në çdo grua

që ta hap zemrën dhe jetën.

Ti je Shpirti Shenjt e, në këtë botë të shprishur,

çon drejt plotësimit

planin e Zotit, tokën e re e qiellin e ri.

29 maj 2021, 08:45