Beato Vinçenc Prennushi, vescovo e martire della Chiesa albanese Beato Vinçenc Prennushi, vescovo e martire della Chiesa albanese

“Takim me martirët”: i Lumi imzot Vinçenc Prennushi

Nё shtegtimin radiofonik pranё Martirёve tё Kishёs katolike tё Shqipёrisё na udhёheq dom Gjovani Kemal Kokona. Meshtari shqiptar nga kryedioqeza Tiranё-Durrёs, ka ndjekur personalisht procesin e mbledhjes së dëshmive dhe atë të lumnimit tё 38 martirëve, si Gjykatës i Deleguar i kryeipeshkvit të Shkodrës për të drejtuar procesin dioqezan. Në fillim të këtij cikli radiofonik, dom Gjovani Kemal Kokona niset nga i Lumi Imzot Vinçenc Prennushi. Sot do tё njihemi nga afёr me figurёn, shembullin, porosinё dhe lutjen e tё Lumit imzot Prennushit.

R.SH. - Vatikan

“Takim me martirët”. Vazhdojmë me ciklin i ri radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News, që filloi tё dielën e kaluar e qё do të transmetohet çdo të diel, me synimin që 38 martirёt e Lumët tё parë tё Kishës katolike nё Shqipëri, të lartuar në nderimet e altarit mё 5 nëntor 2016, pas Kalvarit tё martirizimit të tyre gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri, jo vetëm të kujtohen sërish, por të shërbejnë si shembull për jetën e çdo besimtari, i cili mund e madje duhet t’u lutet qё tё ndёrmjetёsojnё pranë Zotit për çdo nevojë qё kemi shpirtërore e trupore.

Nё kёtё shtegtim radiofonik pranё Martirёve tё Kishёs katolike tё Shqipёrisё do tё na udhёheq dom Gjovani Kemal Kokona. Meshtari shqiptar nga kryedioqeza Tiranё-Durrёs,  ka ndjekur personalisht procesin e mbledhjes së dëshmive dhe atë të lumnimit tё 38 martirëve, si Gjykatës i Deleguar i kryeipeshkvit të Shkodrës për të drejtuar procesin dioqezan. Në fillim të këtij cikli radiofonik, dom Gjovani Kemal Kokona niset nga i Lumi Imzot Vinçenc Prennushi. Sot do tё njihemi nga afёr me figurёn, shembullin, porosinё dhe lutjen e tё Lumit imzot Prennushit, tё dёgjojmё dom Gjovanin Kemal Kokona...

Dom Gjovanin Kemal Kokona paraqet figuren e te Lumit Imzot Prennushit

I Lumi Imzot Vinçenc Prennushi

Imzot Vinçenc Prennushi lind në shtator 1885 dhe pagëzohet në famullinë Shentja Mari Magdalenë në Shirokë. Hyn në urdhrin françeskan të fretërve minorë në moshën 15-16 vjeç. Mbas bërjes së kushteve të përjetshme në Salcburg të Austrisë, aty edhe shugurohet më pas meshtar ditën e shën Jozefit në mars 1908. Kthehet më pas në Shkodër ku do të ketë detyra të shumta.

Cilësitë e tij njerëzore e të krishtera që bien në sy do bëjnë që kapitulli i provincës françeskane shqiptare për dy herë ta zgjedhë Ministër provincial. Zelli i tij apostolik, kultura e gjerë, mirësia e veçantë, maturia e pazakontë, saqë edhe muhamedanët e quajnë ‘melek’ (engjëll) bëjnë që të propozohet për Ipeshkëv. Dhe sërish do të zgjedhë ditën e shën Jozefit për shugurimin e tij ipeshkvor, si Ipeshkëv i Sapës. E pas 4 vitesh, më 1940 emërohet ariqpeshkëv iI Durrësit. Këtu do të qëndrojë deri në martirizimin e tij. E martirizimi i tij do të ndodhë po prapë ditën e shën Jozefit, më 19 mars 1949 ndërsa është i burgosur në burgun e Durrësit, në moshën 64-vjeçare.

E ashtu si shën Jozefi në heshtje, e si Zoja pranë kryqit, edhe arqipeshkvi Prennushi do ta mbyllë jetën tokësore pranë Kryqit që të ketë lavdinë e të Kryqëzuarit. Sot duam të përkufizohemi te shenjtëria e tij më shumë se te poezia e tij. Në lidhje me këtë aspekt të dytë mjafton të citojmë Enciklopedinë e njohur Treccani që thotë: “njëri prej shkrimtarëve më të njohur e më të vlerësuar shqiptarë”.

Duam të ndalemi te shenjtëria e tij sepse është pikërisht ky aspekt që i shtyu besimtarë të ndryshëm t’i kërkojnë Kishës që Monsinjor Prennushi të shpallej martir. Dhe siç e dimë, Kisha pas një periudhe hetimesh e verifikimi, e shpalli të Lumë më 5 nëntor 2016 gjatë kremtimit eukaristik në katedralen e Shkodrës, aty ku ai pikërisht ishte shuguruar ipeshkëv.

I Lumi Imzot Prennushi e përqafon këtë thirrje të veçantë të Krishtit për martir kohë përpara, kur populli ynë as nuk dinte se ç’është fjala komunizëm. Ai shkruan në një poezi, akoma përpara se të ishte ipeshkëv, këto vargje: “po, më mirë shtatë pash nën Dhe, se me bjerrun shenjten Fe”. Pra është pikërisht dashuria ndaj Krishtit dhe aplikimi praktik i kësaj dashurie që e bëjnë të gatshëm Imzot Prennushin të përjetojë poshtërimet e arrestimit të padrejtë në majin e vitit 1947 në moshën 62 vjeç, e ti nënshtrohet një gjyqi farsë i përbërë nga disa gjykatës të trashë e pa pikën e kulturës njerëzore e aq më pak kulturë drejtësie.

Pra në atë moshë jo të re, e me shëndet të brishtë, jo vetëm e arrestojnë por me tortura nga më të ndryshmet mundohen ta poshtërojnë. Për shembull e ngarkonin me dru në shpinë dhe e detyronin ti trasportonte në rrugë të tatëpjetë, e si Krishti shpesh rrëzohej nën peshën e druve. Për t’ia shtuar vuatjet e lenin në një qeli të ftohtë. Kujton prof. Arshi Pipa që qëndroi në burg me të se të burgosurit shpesh mundoheshin t’ja lehtësonin vuajtjet fizike duke ia masazhuar shputat e këmbëve ose duke u munduar të mbanin sa më gjatë të ndezur një zjarr të vogël.

Prof. Pipa shkruan në memoriet e tij: kur e sollën në qeli, prej torturave që i kishin bërë nuk qëndronte dot në këmbë. E kishin mbytur me të rrahuna, pastaj e kishin lidhur me një litar këmbësh e duarsh që i kalonte nëpër qafë dhe ashtu e mbanin të varur, si atë dashin që e kapin me çengel kur e çojnë në therrtore. E torturat nga më të ndryshmet i vuajti për dashurinë ndaj Krishtit dhe për të mirën e popullit të tij, tamam si ai bariu që jep jetën për grigjën.

Prandaj sot që po e përjetojmë figurën e tij duam të kujtojmë që me këtë akt Luminimi, Kisha na fton e na nxit që ne ti lutemi atij vazhdimisht dhe t’i kërkojmë ndërmjetësinë para Zotit për nevojat tona shpirtërore apo fizike. Ne mund ti lutemi edhe duke bërë një shtegtim te Kisha e Shën Luçisë në Durrës, aty te lteri i asaj Kishe ku prehen eshtrat e tij, por edhe nëpër shtëpitë tona. Nëse dikush prej jush e fiton një mrekulli, një shërim të pazakontë, falë lutjes të Lumit Vinçenc Prennushi, atëherë ta lajmërojë zevëndës-postulaturën pranë arqipeshkvisë në Shkodër.

E lusim Zotin që sa më shpejt Imzot Prennushi e 37 martirët e tjerë, falë ndonjë mrekullie që Zoti me ndërmjetësinë e tyre, do t’ja bëjë dikujt prej jush, këta martirë sa më shpejt të mund të shpallen Shenjtërit Martirë Vinçenc Prennushi me 37 shokët e tjerë.

Lutja drejtuar tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi nё shqipёrimin e dom Gjovani Kemal Kokona:

Lutja drejtuar tё Lumit Imzot Vinçenc Prennushi nё shqipёrimin e dom Gjovani Kemal Kokonat

Lutja për të kërkuar hire të nevojshme:

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Vinçenc Prennushi, arqipeshkëv e martir,

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

 

 

 

02 maj 2021, 11:27