Homelia e  Kard. Czerny  me rastin e Meshës për 50-vjetorin e vdekjes së kard.  Mindsztenty Homelia e Kard. Czerny me rastin e Meshës për 50-vjetorin e vdekjes së kard. Mindsztenty 

Shembulli aktual i József Mindszenty, primat heroik i Hungarisë

Kardinali Michael Czerny kryesoi, më 6 maj, një Meshë në përvjetorin e vdekjes së kardinalit Jószsef Mindszenty(1872-1975), kryeipeshkëv i Esztergom. Ai e jetoi gjithë tragjedinë e popullit hungarez”- pohoi në homeli kardinali jezuit, duke nënvizuar guximin dhe besnikërinë për misionin e tij ungjillëzues.

R. SH. - Vatikan

I organizuar nga ambasada e Hungarisë pranë Selisë së Shenjtë dhe nga një sërë institucionesh të tjera hungareze, me seli në Romë, kremtimi u mbajt në Kishën e Shën Shtjefnit al Monte Celio, në Romë, kardinal titullar i së cilës ishte pikërisht Jószsef Mindszenty.

Ishte kremtim, gjatë të cilit zëvendës-sekretari i Seksionit për Migrantët dhe refugjatët i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, kardinali Czerny, kujtoi “ipeshkvin guximtar, të aftë e të ndershëm”, por edhe “sfidat analoge”, që duhen përballuar sot, kur ka ende shumë regjime me prirje totalitare, që synojnë ta zhdukin çdo lloj lirie, njëherësh me njerëzit si Jószsef Mindszenty, të cilin “shtypja, as persekutimi nuk arritën dot ta përkulin, as ta asgjësojnë”- siç dëshironin pushtetarët e kohës -  Asaj kohe, kur miliona njerëz kërkonin strehë, për të ikur nga lufta, nga varfëria, nga zvetënimi ambiental, ndërsa pak zëra guxonin të ngriheshin për të kërkuar dinjitetin e humbur të njeriut e lirinë. Sepse zhdukeshin, pa u ndjerë akoma mirë, nën thundrën e hekurt të përdhunës çnjerëzore.

Përballë pabarazisë së atyre, që predikonin pikërisht barazinë - vijoi të kujtojë kardinali Czerny, duke cituar mesazhin e Françeskut për Ditën e ardhshme të emigrantit e të refugjatit -  të cilat vijojnë edhe sot në të katër anët, pasardhësi i sotëm i Shën Pjetrit e fton botën t’i bëjë ballë tundimit  për të shpëtuar vetëm vetveten, në vend që të  luftojë për të shpëtuar jo “unin” por “neve”, domethënë, sa më shumë njerëz. Fliste për një përvojë që e kishte jetuar ai vetë, kardinali jezuit, që më pas kujtoi: “Në vitin 1948 prindërit e mi, vëllai më i vogël e unë ikëm nga Çekosllovakia, në Kanada. Në kombin veriamerikan - vijoi të tregojë - në fillim u njohëm me refugjatët e pas Luftës II Botërore, shumica të ikur nga vendet e shkretuara të Evropës. Menduam se do të shpëtonim nga barra e rëndë  e së keqes, që  e kishim jetuar në vendin, prej nga ikëm. Por shumë shpejt u kujtuam se  e kaluara traumatizuese kishte ikur bashkë me ne, e ishte me ne, edhe aty, në Kanadanë e largët. E kardinali solli edhe një shembull të kësaj kohe. Prindërit e mi - kujtoi - hanin aq tepër, sa ushqimi nisi t’u bëjë keq. Po ata vijonin, të pushtuar nga frika se do të vinin përsëri, atje në Kandanë e begatë, ditët e urisë, që i kishin jetuar nën regjimin e terrorit. Madje nisën të ndërtonin edhe atje, strehime të nëndheshme, nga frika e luftës bërthamore, që ia kishin mbjellë në shpirt një jetë të tërë.  Ndërkohë  lindën shpresat  se edhe vendet e bllokut komunist do të ndryshonin. Se liria do ta kapërcente lirisht edhe perden e hekurt. Një flakë e madhe për vendet socialiste ishte revolucioni hungarez i tetorit 1956, me protagonist pikërisht kardinalin Jószsef Mindszenty, të cilit Papa Bergoglio ia njohu  virtyter heroike, duke e deklaruar të Nderuar, në shkurt 2019.

Të zjarrta, shpresat që lindën nga kjo ngjarje në mbarë botën – shpegoi Czerny - Në shtëpinë tonë jetoi shtatë muaj një refugjat hungarez, “Buba”,. Unë, asokohe dhjetë vjeç, u mahnita duke dëgjuar rrëfimet tij mbi guximin e revolucionarëve. Por edhe u trondita thellësisht nga  egërsia me të cilën u shtyp kundërevolucioni. Në këtë kohë vetë primati i Hungarisë u dënua me burgim të përjetshëm,  për t’u liruar, pastaj, kur nuk i erdhi asnjë ndihmë nga jashtë. Atëhere u detyrua të hynte në ambasadën e SHBA-ve. Tragjedi mbi tragjedi! Që mund ta kuptojnë vetëm ata, të cilët jetuan nën komunizëm. E megjithatë - pëfundoi kremtuesi - kardinali   “nuk u tremb kurrë nga këcënimet, të cilat i përballoi me forcën shpirtërore, njerëzore e kulturore, që ia frymëzonte dëshira e zjarrtë  për lirinë”.

Mbeti, kështu, gjithë jetën besnik ndaj thirrjes së tij e misionit të tij për të edukuar njerëz  me shpirt të lirë, duke i  ungjillëzuar!

08 maj 2021, 13:58