Flamujtë e Evropës Flamujtë e Evropës 

“Së bashku për Evropën”: dëshmia e të krishterëve të bashkuar e solidarë

Nesër, 9 maj, kremtohet festa e Evropës, që vë në dukje dy vlera nga të cilat Kontinenti i Vjetër nuk mund të heqë dorë: paqja e uniteti. Kremtohet në një datë, që na kujton përvjetorin e deklaratës historike të Schuman, më 1950, me të cilën parlamentari franecez propozonte krijimin e bashkimit evropian të çelikut e të qymyrit, hap i parë drejt BE-së. E pikërisht në këtë kontekst lindën nismat “Së bashku, për Evropën”

R. SH. - Vatikan

Prej 22 vjetësh “Së bashku për Evropën” - Together For Europe” i mbledh Bashkësitë dhe Lëvizjet e krishtera, aktualisht më se 300, të kishave të ndryshme e të përhapura në të gjithë Kontinentin. Duke  ruajtur  autonominë,  secila vepron në rrjet për qëllime të përbashkëta, për të sjellë kontributin e karizmës së vet. Unitet, dialog, reciprocitet, njohje, lutje të përbashkëta synojnë të jenë dëshmia e parë në një Evropë, shpesh të cënuar nga përçarjet, rivalitetet e konfliktet. Dëshmi kjo, që konkretizohet përmes aksioneve të solidaritetit, pranë të varfërve e atyre që trokasin në portat e Kontinentit në kërkim të mikpritjes, me bindjen se themeli i Evropës është solidariteti, liria, respektimi i të drejtave njerëzore, vlera që shpesh herë sot nuk respektohen, e aq më pak vihen në jetë.

Nisma të shumta,  propozuar këto ditë

Festa e Evropës e 9 majit është rast, jo i vetëm, për vijuar ecjen në një rrugë të re. Kështu nga 7 deri më 9 maj “Së bashku për Evropën” do të organizojë një sërë ngjarjesh në Austri, në Republikën Çeke, Zvicër e Itali. Juristët, teologët e parlamentarët evropianë do të jenë pranë e pranë me nxënësit, studentët e profesorët e disiplinave të ndryshme, e do të diskutojnë së bashku për situatën në Evropë si dhe për të gjetur  rrugëzgjidhje konkrete lidhur me problemet që po përballon mbarë bota. Në Itali  do të mbahet një kuvend me titull: “Për Tokën e për Njeriun”, nga ora 18.00 deri në orën 19.20

Një realitet i pranishëm dhe aktiv

Pas 22 vjetësh aktiviteti “Së bashku me e për Evropën” shkon nga kriza në krizë, në një kohë kur nuk mund të pohohet me gojë plot se janë realizuar dëshirat e Etërve për Kontinentin. Mbeten të pazgjidhura problemet e migrantëve, shumë nga të cilët jetojnë në situata të dëshpëruara, të bllokuar në kufijtë e Evropës, ndërmjte Kroacisë e Bosnjës, në atë që njihet si “Rruga ballkanike”. Detyra e “Së bashku për Evropën” është  të sensibilizojë opinionin publik, posaçërisht politikanët,   që të tregohen të vëmendshëm ndaj gjithë shoqërisë e që qytetet evropiane të bëhen, me pjesëmarrjen e të gjithëve, vende solidariteti e mikpritjeje  për njerëz të origjinave e kulturave të ndryshme, në bashkëpunim me Kishat, duke kërkuar atë që i bashkon e duke dëshmuar se duam të jemi  të krishterë të bashkuar, për një Evropë e një botë më të mirë!

Comece e Cec: Konferenca për ardhmërinë e Evropës, një hap për të rikrijuar besimin

 Nga 7 deri më 9 maj, Bashkësitë dhe Lëvizjet e krishtera po caktojnë nismat në favor të vëllezërve e motrave,  që kalojnë çaste të vështira. Po organizohen forume, tryeza të rrumbullakta, zinxhire lutjesh në nivel evropian, por do të ketë edhe aksione konkrete ambientale, si për shembull, mbledhja e mbeturinave për të mbrojtur mjedisin. Do të ketë  veprimtari kudo: nga Austria - në Kroaci, nga Sllovenia - në Hungari, Itali, Belgjikë. Në Bruksel, në Kapelën për Evropën, trembëdhjetë lëvizje  të krishtera të “Së bashku për Evropën” do të ofrojnë një reflektim të përbashkët politik e kishtar. Në konferencën, që do të mbahet në Francë, do të flasë kryetari i Fondacionit Robert Schuman. Në nisma të tjera, të rinj e të rritur do të takohen e do të diskutojnë rreth problemeve për t’u zgjidhur në vende të ndryshme, posaçërisht në Gjermani, Holandë e Zvicër.

Të gjithë shpesojnë që këto ditë Evropa të ndjehet vërtet e bashkuar e “Së bashku për Evropën” t’i ndjehet zëri në të katër anët e një Kontinenti, që dëshiron të realizojë plotësisht në jetë, çka shkruan Etërit e Evropës në letër!

 

08 maj 2021, 16:33