Atë  Patton Atë Patton 

Lindja e Mesme, Patton: armëpushim nuk do të thotë paqe, duhet dialog

Rojtari i Tokës Shenjte komenton ndalimin e zjarrit, duke uruar rikrijimin e besimit reciprok: dhuna kundër njerëzve e vendeve të kultit mbetet e papranueshme. Falënderimi i Papës Françesku, “zëri moralisht më domethënës e më autoritar, që dëgjohet sot në botë”.

R. SH. - Vatikan

Ndeshjet e djeshme në Sheshin e Xhamive, në Jeruzalem, në përfundim të lutjes të së premtes, e rrënqethin atë, që vijon të besojë akoma në armëpushimin! Ndalimi i zjarrit, i nisur në 2 të natës të së enjtes së kaluar,  u festua si në Jeruzalem, ashtu edhe në Cisjordani e në Gazë. Dëshmitar i kësaj kënaqësie të përbashkët, ishte edhe atë Francesco Patton, Rojtar i Tokës Shenjte, që shprehet kështu, në mikrofonet tona:

“Popullsia festoi sepse është e qartë që armëpushimi dëshirohej prej ditësh. E dinim se po vijonin bisedimet, kishim dëgjuar edhe deklaratat formale dhe zyrtare nga ana e presidentit amerikan, dinim edhe se Egjipti po punon  e, me të, edhe një rrjet i tërë diplomatik. Por ne luteshim e vijojmë të lutemi për këtë situatë, sepse armëpushim nuk do të thotë paqe, por ndalim i përkohshëm i armiqësisë. Pa mohuar se lajmi u prit me gëzim. Njerëzit, që ishin ende zgjuar, nisën të festojnë, duke stolisur qiellin, deri ca çaste më parë të ndriçuar nga mjetet e vdekjes, me dritëzat e fishekzjarreve të festës.  Festonin të dyja palët.  E sidomos, popullsia civile e Gazës”.

Papa nuk pushon së bëri thirrje për Tokën Shenjte, duke kërkuar paqen e duke u lutur për të. Edhe dje e komentoi lajmin e ndalimit të zjarrit,  duke uruar të hapen rrugët e dialogut e të paqes. Atë Patton, sa rëndësi kanë fjalët e  thëna nga Papa në këto thirrje të vazhdueshme?

“Fjalët e Papës kanë rëndësi të madhe sepse, pak e kush ngul këmbë mbi këtë temë, pak e prekin, e jo vetëm kur nisin këto shpërthime, ndonëse të përkohshme dhune, kjo luftë, ta quajmë rrufe, prej 11 ditësh. Fjala e Papës e shoqëron prej vitesh situatën në Tokësn Shenjte. E Françesku ka folur më se një herë për rëndësinë e Jeruzalemit, qytetit që duhet të jetë vend lutjesh për besimtarët e tri feve abramitike: hebrenjtë, të krishterët e myslimanët. E rikujtojmë edhe se Vatikani është një nga shtetet e pakta, që  e njohu Palestinën si shtet e, prej këndej, lidhi me të edhe marrëdhënie diplomatike, ashtu si edhe me Izraelin, me të cilin vijon prej vitesh  bisedimet për të arritur në një marrëveshje, që përcakton të drejtat e Kishës brenda shtetit izraelit. Mund të them, prandaj, se Selia e Shenjtë është gjithnjë shumë ndjeshme për këtë temë. E zëri i Papës, tejet i rëndësishëm, sepse më autoritari në këtë kohë. E edhe në mbarë botën, nga që ngrihet në mbrojtje të  popullsive, me vëmendje të përqendruar kryesisht tek gjendja e civilëve, duke ndjekur të njëjtën vijë edhe kur flitet për Sirinë, Irakun  e për shumë konflikte, në të katër anët e botës, posaçërisht për konfliktet e harruara!”.

Atë Patton, sonte në Jeruzalem kremtohet Nata e Rrëshajëve! Kisha mbarë  bashkohet në lutje për paqen e, natyrisht, njëri nga zërat më të rëndësishme është ai i Tokës Shenjte…

“Është mbrëmësore, në të cilën jemi të ftuar të gjithë, pranë Kishës së Shën Shtjefnit, kishë e domenikanëve, sonte, në orën 17.00. Do të marrim pjesë dhe ne, fretërit e Rojtarisë. Më pas, në mbrëmje, do të kremtojmë Meshën e Natës së Rrëshajëve, atë me pesë lexime, që i ngjet shumë Meshës të Natës së Pashkëve. Do ta kremtojmë për të njëjtin ndjet: paqen. Do të ringjallim çastin kur, siç rrëfehet në Veprat e Apostujve, zgjidhen gjuhët, flitet në një gjuhë, të cilën e kuptojnë të gjithë, e hapen edhe veshët, për ta kuptuar njëri-tjetrin! Ky është themeli i dialogut që, përveç shumë të mirave të tjera, sjell me vete edhe respektin për të gjitha përkatësitë fetare. Prej këndej, duhet ta lusim me besim Shpirtin Shenjt që të realizohet aftësia për dialog, absolutisht i nevojshëm, nëse duam të bashkëjetojmë në atmosferën e paqes së vërtetë”.

22 maj 2021, 13:12